Konventa e Bernës, (e njohur gjithashtu si Konventa për Ruajtjen e Jetës së Egër të Evropës) i ka kërkuar autoriteteve shqiptare pezullimin e punimeve për ndërtimin e aeroportit të Vlorës brenda zonës së mbrojtur Vjosë – Nartë derisa të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis.
“Në mungesë të plotë të konsultimeve dhe përfshirjes së palëve të interesuara, qeveria shqiptare nxitoi të fillonte ndërtimin e aeroportit në kundërshtim të plotë me ligjin, duke lejuar kompaninë koncesionare të hapte kantierin pa u pajisur me një leje ndërtimi,” thuhet në deklaratë për shtyp që u mbajt sot nga ekspertë dhe aktivistë të shoqërisë civile.
Vendimi i Konventës së Bernës, instrument i krijuar nga Këshilli i Evropës, pason rezolutën e Parlamentit Evropian të këtij viti i cili gjithashtu i kërkoi Shqipërisë të ndalonte projektin e aeroportit brenda zonës së mbrojtur.
Beteja ligjore kundër aeroportit
Drejtori ekzekutiv i PPNEA – së, Aleksandër Trajçe pohon se gjykata po shqyrton dy padi të ngritura kundër vendimmarrjes për Aeroportin e Vlorës. Një çështje që ka të bëjë drejtpërdrejtë me vendimmarrjen për ndërtimin e aeroportit dhe një çështje tjetër që lidhet me rishikimin e kufijve të zonës së mbrojtur Vjosë – Nartë.
“Çështjet janë hapur që në fund të vitit të kaluar dhe në fillim çështja nuk u mor përsipër nga Gjykata e Shkallës së parë me argumentimin që organizatat e shoqërisë civile nuk janë të legjitimuara për të ngritur të tilla çështje. U apelua dhe çështja është në po shqyrtohet,” shpjegon Trajçe.
Fill pas publikimit të vendimit të Bernës, Aleanca e Ligatinave të Mesdheut dhe partnerët e saj i kanë dërguar letër në lidhje me këtë vendim kryeministrit Edi Rama, Komisionit Evropian dhe Organizatës Ndërkombëtare për Transportin Ajror, të cilat janë firmosur nga 33 organizata dhe nga më shumë se 27 shtete të ndryshme.
“Kemi nesër një njoftim për një manifestim publik ku nesër përpara kryeministrisë do të kërkojmë zbatimin e rekomandimit të Konventës së Bernës,”, lajmëroi Trajçe.
Në gusht, beteja për mbrojtjen e luginës së Nartës nga ndërtimi i aeroportit të Vlorës ka marrë jehonë edhe në Gjermani.
Organizatat mjedisore EuroNatur dhe BUND, i bëjnë thirrje autoriteteve gjermane që të tërhiqen nga projekti i ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, për shkak të dëmtimit që natyrës dhe ekosistemit.
Aeroporti i Vlorës prek zonën Vjosë-Nartë që sipas ligjit 81/2017 ka statusin “Peizazh i Mbrojtur”, kategoria e pestë, të cilin e gëzon ligjërisht edhe sot.
Laguna e Nartës dhe zonat rreth saj, përbëjnë një sipërfaqe prej 19 mijë hektarësh, ç’ka e bën zonën më të madhe dhe të rëndësishme për ekosistemit e ligatinave jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë zonën e Mesdheut, e njohur si një zonë kyçe e biodiversitetit ku janë vënë re mbi 200 lloje shpendësh, si pelikani e flamengo.
Nga ana tjetër qeveria e ka mohuar ekzistencën e biodiversitetit dhe statusit të mbrojtur të zonës.