Pas dekadave degradimit dhe lënie në harresë, ka nisur puna në terren për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës. Edhe pse afati për përfundimin e projektit ishte shtatori 2023, në terren janë kryer vetëm 45% e totalit të punimeve.
Hekurudha Shqiptare në një përgjigje për Citizens Channel tha se afati për përfundimin e punimeve është shtyrë në mars 2024, pra me 8 muaj nga afati i përcaktuar në kontratë.
Ndërtimi i stacionit të trenit në Tiranë është pjesë e projektit të rehabilitimit të hekurudhës ekzistuese Tiranë–Durrës, dhe ndërtimit të një degëzimi të ri drejt Rinasit.
Tirana është kryeqyteti i vetëm në Europë pa tren. Ish-stacioni fundor i linjë Tiranë-Durrës, i cili ndodhej në qendër të kryeqytetit u hoq në vitin 2013, duke e zhvendosur atë në Kashar. Kështu hekurudha u largua nga banorët e Tiranës të cilët më herët e përdornin trenin si mjet transporti më të lirë.
Ky projekt ka nisur të diskutohet vite përpara, por në 2016 Ministria e Mjedisit lëshoi Deklaratën Mjedisore. Por që prej lëshimit të deklaratës, zbatimi i projektit ka ecur me hapa të ngadaltë duke shkelur afatet.

Eksperti i transporteve Sadedin Çeliku, shprehet se vonesa lidhet me lëvrimin e fondeve. Ai shprehet se hekurudha është lënë në degradim dhe nuk ka qenë në vëmendje të qeverive për të investuar.
“S’ka pasur interes asnjë qeveri, shkaqet janë të shumta por dhe korrupsioni është një nga arsyet. Sot rrjeti hekurudhor (450 km) është tërësisht i amortizuar kështu ka amortizim ,shinat, traversat, mjetet lëvizëse (lokomotivat, vagona mallrash e pasagjerësh) si dhe i gjithë pajisjet sinjalizuese”, tha për Citizens Channel Çeliku.
Linja e rehabilituar Tiranë-Durrës parashikohet të lejojë një shpejtësi treni të paktën 100 km/h, dhe ndonëse nuk është përcaktuar ende vlerësohet se çmimi i biletës do të jetë midis 1–1.2 euro.
Projekti parashikon rehabilitimin e 34.7 km linjë ekzistuese hekurudhore ndërmjet Tiranës dhe Durrësit, si dhe do ndërtohet rreth 5 km linjë e re nga Tirana drejt Rinasit.
Kostot e projektit janë ndarë midis një granti nga Bashkimi Evropian dhe një kredie të dhënë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Qeveria mbulon vetëm kosoton e TVSH-së në këtë projekt.
Në 19 tetor 2020, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim shpalli fituese kompaninë italiane INC S.P.A me një ofertë prej 69.69 mln euro. BERZH njoftoi se kohëzgjatja e kontratës do të ishte 30 muaj, pra punimet do të zgjasnin 2 vite e gjysmë. Edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në ceremoninë e zhvilluar në datën 3 shkurt 2021, ku u nënshkrua zyrtarisht dhe kontrata mes palëve bëri të njejtën deklaratë./Media Ndërtimi