Drejtori i Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, Begzad Musliu dhe ish-pronari i kompanisë “Sallahu” SH.P.K, Naim Sallahu, kanë dalë para Gjykatës së Prishtinës më 16.05.2024 për t’u përballur me akuzat që u ngarkohen.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Begzat Musliu në nëntor të vitit 2020 i kishte tejkaluar kompetencat e tij në cilësinë e drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, ashtu që ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit vetëm me kërkesën e operatorit ekonomik “Sallahu” SH.P.K., që sipas prokurorisë është e ndaluar me ligj.
Në seancën e 16.05.2024 janë dëgjuar Hysen Merovci, Shaban Krasniqi dhe Mexhide Behluli të cilët ishin propozuar si dëshmitarë për t’u dëgjuar nga ana e mbrojtësve të të akuzuarve.
Mexhide Behluli e cila ishe ftuar të dëshmojë në rolin e zyrtares ligjore në Ministri të Infrastrukturës tha se nuk i kujtohej se ka qenë në takimin në të cilin ishte diskutuar nga sekretari i kësaj ministrie dhe udhëheqësit të divizionit lidhur me kërkesën për futjen e kompanisë “Sallahu” SH.P.K, në listën e zezë.
“Nuk më kujtohet që kam qenë pjesë e këtij takimi” – tha Mexhide Behluli gjatë dëshmisë së saj në gjykatë.
Ajo mohoi të jetë në dijeni se ka pasur një kërkesë nga Vlamire Bllaca për ta futur në listën e zezë të Organit Shqyrtues të Prokurimit, kompaninë e “Sallahu” SH.P.K.
Mexhidi tha se fushë-veprimtaria e saj ishte të jetë si pikë kontakti mes avokaturës shtetërore dhe MI në lidhje me lëndët Gjyqësore në të cilat MI ishte palë e paditur.
Pas Behlulit, dëshmoi Hysen Merovcit, i cili kishte qenë udhëheqës i divizionit në Ministrinë e Infrastrukturës.
Për dallim nga Behluli, dëshmitari Merovci tha se është mbajtur një takim me sekretarin e MI, Izedin Bytyqin për të diskutuar lidhur me kërkesën e Valmire Bllacën për ta futur në listë të zezë të kompanisë “Sallahu” SH.P.K.
“Sekretari i MI Izedin Bytyqi më ka kërkuar mua në cilësinë e udhëheqësit të divizionit të projektit edhe kjo çika e departamentit ligjor, Mexhide në takim me zyrën e sekretarit në lidhje me një ankesë që është bërë nga Operatori Ekonomik ‘Sallahu’, e ka lyp mendimin tonë, në lidhje me vlerësimin e një tenderi për ndërtimin e urës M9 Pejë – Kuqisht” – tha Merovci.
Në fund është dëgjuar edhe dëshmitari Shaban Krasniqi i cili ishte gjeodet në kompaninë “Sallahu” SH.P.K.
Me të përfunduar faza e dëgjimit të dëshmitarëve, gjyqtari Avni Syla njoftoi të pranishmit në sallë se meqë nuk ka asnjë propozim për plotësimin e provave, do të kalohet në fazën e dhënies së mbrojtjes nga të akuzuarit.
Ky rast po gjykohet nga gjykatësit Avni Syla, kryetar i trupit gjykues, Alban Ajvazi dhe Sulltane Hoti – anëtarë. Aktakuza përfaqësohet nga prokurori i krimeve të rënda, Bashkim Zeqaj.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Begzad Musliu, në nëntor të vitit 2020 i kishte tejkaluar kompetencat e tij në cilësinë e drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës ashtu që ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit vetëm me kërkesën e operatorit ekonomik “Sallahu” SH.P.K., gjë që është e ndaluar me ligj.
Auditimi i lëndës së prokurimit është bërë për projektin me emrin “Ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9, segmenti Pejë – Kuqishtë me lokacionin Drelaj”./Media Ndërtimi