Connect with us

Gjykim

Ish-drejtoresha e Inspekcionit në Suharekë, e akuzuar për korrupsion thotë që objekti pa leje është rrënuar në tërësi

Published

on

Ish-drejtoresha e Drejtorisë së Inspekcionit në Suharekë, Jehona Rrafshi- Lumi, e akuzuar për korrupsion, duke vazhduar dhënien e mbrojtjes, në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prizren, deklaroi se objekti pa leje i investitorit Blerim Gashi është rrënuar në tërësi.

“Atë ditë unë kam qëndruar deri në fund të rrënimit të objektit ndërtimor me investitor Blerim Gashi. E kam parë që është rrënuar tërësisht”, ka thënë Rrafshi- Lumi.

Këtë deklaratë, Rrafshi-Lumi e ka dhënë në rastin ku e njëjta në cilësinë e Drejtoreshës së Inspekcionit në Suharekë, së bashku me inspektorin e ndërtimit, Hafir Maliqaj, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Genc Nixha, e akuzuara Rrafshi- Lumi ka thënë se qëndron në tërësi pranë deklaratës që ka dhënë në Prokurori më 22 shkurt 2021.

Ajo ka treguar se kompetent për hartimin e konkluzioneve është inspektori i ndërtimtarisë. E njëjta ka shtuar se si drejtoreshë e Inspekcionit, ka bërë nënshkrimin e konkluzioneve në bazë të praktikës së Komunës së Suharekës dhe se konkluzionet nga viti 2012 deri më 2018 ishin nënshkruar nga drejtorët.

Rrafshi- Lumi ka thënë se në bazë të Ligjit mbi Qeverisjen Lokale, kompetencë e drejtorit është të marrë vendimet përfundimtare.

Tutje, ajo ka thënë se ka bërë nënshkrimin e konkluzionit, të cilin e ka hartuar i akuzuari Hafir Maliqaj dhe ka treguar arsyet e nxjerrjes së konkluzionit për rrënim të objektit pa leje.

“Njëra prej pikëve është që në rastin konkret, investitori nuk i ka ndërprerë punimet pa u pajisë me leje ndërtimore, nuk e ka respektu aktvendimin për pajisje me leje ndërtimore dhe ka bërë heqjen e shiritave, e cila është vepër penale, i  cili objekt ka qenë i konservuar nga ana e objektit. Gjithashtu, edhe mosrespektimi i procesverbalit për ndërprerjen e punimeve deri sa të pajiset me leje ndërtimore, prandaj këto janë arsyet për të cilat është nxjerrë ky konkluzion”, ka thënë Rrafshi- Lumi.

Lidhur me rindërtimin e objektit pa leje nga investitori Gashi, Rrafshi- Lumi tha se nga inspektori i ndërtimit është informuar se i njëjti ka vazhduar punimet pa leje ndërtimore.

E pyetur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha, e akuzuara Rrafshi-Lumi ka mohuar se me këtë rast ka pasur ndonjë përfitim për vete apo personin tjetër.

Ndryshe, të panishëm në këtë seancë nuk ishin të dëmtuarit: Haziz Tafaj dhe përfaqësuesi i Komunës së Suharekës, për të cilët gjykatësja Krusha tha se janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Në këto rrethana, seanca e sotme është ndërprerë, kurse ajo e radhës është caktuar më 3 korrik 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit të ngritur më 19 prill 2021, e akuzuara Jehona Rrafshi-Lumi ngarkohet me veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i akuzuar Hafir Maliqaj, ngarkohet me dy vepra penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se akuzuara Rrafshi-Luma, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e pastaj nuk e përmbush detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.

Aktakuza thotë se në vend të inspektorit të ndërtimtarisë ne cilësinë e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspekcionit të Komunës se Suharekës, nxjerr konkluzion 09 Nr.109, të datës 26 maj 2020, e pastaj më 29 maj 2020 në vendngjarje ne parcelat kadastrale nr.2667-0 dhe 2685-0 , pronë e të dëmtuarës “AgroKosova – Holding ” , në rrugën “Ukë Bytyqi” në lagjen Shirokë të Suharekës,  nuk e rrënon në tërësi objektin afarist të ndërtuar pa leje, të investitorit Blerim Gashi dhe kësisoj i shkakton dëm material ose ia shkel të drejtat e të dëmtuarës.

Për këtë, ajo po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 e lidhur me paragrafin 3 pika 3.6 të KPRK-së./Media Ndërtimi

Gjykim

Dështon të mbahet seanca gjyqësore në rastin e 53-milionëshit

Published

on

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në rastin e 53-milionëshit ku të akuzuar janë ish-ministri Pal Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, nën akuzat se të njëjtit janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”, që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani njoftoi palët në procedurë se anëtari i trupit gjykues Vesel Ismaili nuk mund të jetë prezent në këtë gjykim për arsye shëndetësore.

“Siç e shihni edhe vet trupi gjykues nuk është në përbërje të plotë për shkak të mungesës së anëtarit të trupit gjykues, gjyqtarit Vesel Ismaili. I njëjti nuk është mirë me shëndet, gjendet në trajtim mjekësor. Paraprakisht ka njoftuar edhe udhëheqësin e departamentit se për shkaqe shëndetësore nuk mund të prezantojë”- tha kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani.

Përveç seancës së sotme, është anuluar edhe seanca e sila ishte paraparë të mbahej nesër.

Seancat e radhës për këtë rast u caktuan të mbahen më 12, 13, 14 dhe 17 korrik 2023.

Përndryshe sot ishte paraparë që të dëgjoheshin dy dëshmitarë, ish-ministri i Financave dhe tash kryetari i Komunës së Jugut, Bedri Hamza dhe Fitim Krasniqi, të cilët ishin prezentë në sallë.

Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Gjykim

Bedri Hamza pritet të dëshmojë sot në rastin e “53-milionëshit”

Published

on

Bedri Hamza, ish-ministër i Financave, aktualish kryetar i Komunës së Mitrovices pritet që sot të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit në rastin e njohur si “Rasti i 53 milionë eurove”, ku ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në seancën e fundit në këtë rast kishte dhënë dëshmin e tij edhe Bajram Hasani, ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, i cili kishte deklaruar se nëse nuk do paguheshin këto 53 milion, më vonë Kosova do të duhej të paguante 200 deri në 300 milionë euro.

Ndryshe, edhe në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj 2022, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale që iu vihet në barrë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.

Ndërsa, më 19 shkurt 2022, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më 18 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar  i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri,  drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Gjykim

Lirohen nga akuza të akuzuarit për keqpërdorime me fondet e “Llamkos-it”

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Luan Berishës, Driton Muharremit, Ilir Pushkës dhe Mehmet Sungurit, të akuzuar për keqpërdorime me fondet e “Llamkos-it”.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast është bërë të hënën nga kryetari i trupit gjykues Arben Hoti, raporton “Betimi Për Drejtësi”.

I njëjti theksoi se të akuzuarit lirohen nga akuza dhe arsyet më të gjera për këtë vendim do të prezantohen në aktgjykimin e shkruar.

Tutje, gjyqtari Hoti deklaroi se lidhur me këtë vendim palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në këtë rast, të akuzuar kanë qenë edhe Remzi Podvorica e Ramush Muli, si dhe A.K, mirëpo për ta është pushuar procedura.

I akuzuari A.K ka ndërruar jetë, ndërkaq me anë të vendimit të gjykatës, që është vërtetuar nga Apeli, për pikat një dhe gjashtë të aktakuzës është hudhur poshtë aktakuza dhe pushuar procedura penale për shkak se prokurori special ka hequr dorë nga ndjekja penale për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës Kosovës, më 9 tetor 2019 ka paraqitur aktakuzën e ndryshuar në këtë rast.

Sipas kësaj aktakuze, të akuzuarit Driton Muharremi, A.K dhe Ilir Pushka, duke vepruar në bashkëveprim me njëri-tjetrin, si bashkëpronarë të biznesit Sh.P.K “Alcon”, nga Ferizaj, gjatë vitit 2005 kishin shitur karburante naftë dhe gaz, ndërmarrjes së re “Llamkos”, në emër të kompanisë fiktive “Gini-Trade”, në vlerë 243 mijë e 409 euro e 82 centë.

Sipas prokurorisë, sipas urdhrit të të akuzuarit Luan Berisha, si drejtor i “Llamkos”, gjatë vitit 2005 kompanisë “Gani Trade”, në periudha të ndryshme i ishin paguar 172 mijë e 312 euro e 89 centë, si dhe në vitin 2006, të gjitha pagesat në shumë prej 125 mijë e 430 euro ishin paguar në para të gatshme nga arka e ndërmarrjes “Llamkos”, personit Venhar Jonuzi, duke paguar shumën prej 297 mijë e 742 euro.

Siç thuhet në aktakuzë, të njëjtit kishin paguar 5 mijë e 333 euro e 18 centë më shumë sesa që kishin pranuar mall, ndërsa të akuzuarit Muharremi, A.K dhe Pushka, pas pranimit të pagesave me para të gatshme nga “Llamkosi”, me qëllim që t’i paraqesin si të hyra legale nga biznesi “Alcon”, në xhirollogarinë e kësaj të fundit kishin deponuar 286 mijë e 919 euro, duke e dëmtuar ndërmarrjen “Llamkos”, në shumë prej 55 mijë e 333 euro e 18 centë.

Për këto veprime, ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi”.

Ndërsa i akuzuari Luan Berisha, po dyshohet se edhe pse e kishte ditur se pasuria buron nga aktiviteti kriminal kishte përfituar nga të akuzuarit Muharremi, A.K dhe Pushka parcelën në sipërfaqe 10,000 m2, në Nerodime të Epërmen, Komuna Ferizaj, dhe me qëllim të fshehjes dhe maskimit të burgimit të prejardhjes së pasurisë, kishte lidhur kontratë kinse për blerjen e patundshmërisë në shumë prej 6 mijë euro, të cilën shumë, i njëjti asnjëherë nuk e kishte paguar./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Trending