Investimet nuk janë realizuar siç janë planifikuar nga Kelkos Energy.
Sipas Adem Lushajt, banor i zonës dhe aktivist, premtimet për investime në rimëkëmbjen mjedisore dhe të projekteve tjera në dobi të komunitetit nuk janë realizuar asnjëherë. Aty ishin premtuar se do të renovohet rruga, do të vendosen mbrojtëset që të parandalohet degradimi i shtratit të lumit, do të rregullohet shtrati i lumit, si dhe do të ndërtohet një park në komunën e Deçanit në shërbim të komunitetit.
Sipas një raporti të institutit për politika sociale “Musine Kokalari”, asnjë prej këtyre investimeve nuk janë realizuar ose janë realizuar pjesërisht dhe sipërfaqësisht (sikur rasti i parkut ku Kelkos Energy ka investuar në vendosjen e disa ulëseve duke e bërë të duket sikur park). Rruga nuk është renovuar asnjëherë.
Madje Kelkos Energy kishte penguar ndërtimin e rrugës me preteksin se kjo ia dëmton gypat e vendosur nën tokë për bartjen e ujit. Janë diku rreth 10 km gypa uji të vendosur nën tokë.
Shtoja këtu pastaj edhe premtimin për vende pune të cilën e kishin përdorur p ë r f a q ë s u e s i t e kompanisë në takimet publike.
Asnjë person nga komuniteti nuk është i punësuar në këto HEC, ndërkohë që numri i përgjithshëm i të punësuarëve aty është shumë i vogël për shkak të procesit të automatizuar të prodhimit.
Investimet dhe dobia ekonomike e sociale për banorët e zonës janë fryrë qëllimisht – kjo për ta marrë miratimin e banorëve të zonës për ndërtimin e HEC-eve, obligim ky kushtetues e ligjor./ Media Ndërtimi.
Kelkos Energy: Investimet dukshëm më të vogla nga studimi i parafizibilitetit Edhe fuqia instaluese, edhe potenciali energjetik, e veçanërisht investimet e nevojshme të llogaritura nga Kelkos Energy dallojnë dukshëm nga studimi i parafizibilitetit.
Sipas përllogaritjeve të Kelko Energy fuqia e instaluar mund të jetë 23.36 MW krahasuar me 13.5 MW, sa ishte vlerësuar me studimin e parafizibilitetit të vitit 2006. Kjo paraqet problem të madh mjedisor e social.
Vlerësimet e autoriteteve publike dhe ato të kompanisë investuese bazohen në të njëjtat parametra e burime të potencialit ujor të Lumbardhit.
Studimi i parafizibilitetit ka projektuar fuqi të instaluar hidroenergjetike në bazë të kritereve për shfrytëzimin e ujit, duke projektuar në të njëjtën kohë edhe sasinë e ujit që duhet të lihet në rrjedhën natyrore për ta mirëmbajtur minimumin ekologjik.

Ndërkohë që projektimet e Kelkos Energy kanë tjetër synim: maksimalizimin e profitit. Prandaj kalkulimet e tyre e rrisin potencialin e prodhimit të energjisë elektrike në dëm të mirëmbajtjes e ruajtjes së mjedisit. Të njëjtën shpërputhje të shifrave e gjejmë edhe te investimet.
Sipas Kelkos Energy investimet për ndërtimin e 3 HEC-eve arrijnë shumën prej 55 milionë euro gjithsej (këtu përfshihen edhe investimet në HEC ekzistuese ‘Lumbardhi 1’).
Ndërsa sipas studimit të parafizibilitetit investimet në kapacitetet e reja hidroenergjetike në Lumbardh (2 HEC në vend të 3 sa ka projektuar e ndërtuar Kelkos Energy) vlerësohen se duhet të jenë 11.3 milionë euro. Ndërsa investimi përfundimtar për 3 HEC të ndërtuara nga Kelkos Energy arrin vlerën prej 38,757,423 milionë euro.
Sipas KelKos Energy, në këtë vlerë nuk është përfshirë vlera e vendosjes së kabllos nëntokësore të tensionit të lartë 35 kV dhe ndërtimi i transformatorit 5/110 kV në nënstacionin Deçan të KOSTT. Dallimi në mes të vlerësimeve të studimit të parafizibilitetit dhe atyre të Kelkos Energy ka të bëjë me numrin dhe fuqinë instaluese të HEC-eve. Si dhe mbase dallimi eventual në çmimet e pajisjeve në kohë të ndryshme të projektimit (Studimi i fizibilitetit 2006 ndërsa Kelkos Energy 2011).
Megjithatë problematike mbetet dallimi në investime mes projektimeve dhe realizimeve të vetë kompanisë Kelkos. Ky dallim kap shumën prej 14,242,577 euro. Kjo nuk është shumë e vogël, pasi që përbën mbi 26% të vlerës së gjithmbarshme të investimeve të projektuara./ Media Ndërtimi.