Drini i Bardhë është lumi më i dëmtuar në Kosovë për shkak të eksploatuesve ilegalë të rërës dhe zhavorrit. Banorët e fshatrave përreth po i vuajnë më së shumti pasojat.
Ata janë të rrezikuar nga gropat e mëdha që janë hapur afër shtratit të lumit dhe nga vërshimet. Institucionet kompetente nuk kanë arritur ta mbrojnë këtë lumë.
Ato në të shumtën e rasteve nuk ua konfiskojnë makineritë operuesve ilegalë, të cilët po vazhdojnë degradimin e lumit, shkruan në hulumtimin e Qendrën Kosovare për Gazetari Hulumtuese e cila publikon revistën “Preportr”.
Për më shumë se dy dekada eksploatuesit e rërës dhe zhavorrit kanë operuar ilegalisht pothuajse para syve të institucioneve shtetërore, të cilat do të duhej ta mbronin mjedisin duke parandaluar, por edhe duke i ndëshkuar degraduesit.
Në Ministrinë e Mjedisit e pranojnë se Drini i Bardhë u dëmtua nga operatorët ilegalë. Kjo ministri, por edhe KPMM-ja i kanë inspektoratet përkatëse që dalin në terren për të verifikuar dhe monitoruar gërmimet që bëhen qoftë nga gurthyesit apo edhe nga eksploatuesit e rërës dhe zhavorrit.
Kryeinspektori i Inspektorati të Ministrisë së Mjedisit, Bedri Halimi, thotë se ky institucion ka nevojë për më shumë inspektorë pasi që aktualisht kanë vetëm 12 të tillë dhe vetëm tre prej tyre janë të ujërave.
“Në shumë raste inspektorët e ujërave apo natyrës, madje edhe ndërtimit e planifikimit, detyrohemi t’i përdorim edhe për inspektime që nuk janë të fushës profesionale të tyre. Krejt kjo për shkak se kemi staf shumë të vogël të inspektorëve”, thotë Halimi.
Ai thotë se kur hasin në operues ilegalë, rastet i procedojnë në gjykatat kompetente. Por shprehet i pakënaqur me trajtimin e lëndëve nga gjykatat, pasi që sipas tij, një numër i konsiderueshëm i lëndëve parashkruhen, ndërsa edhe dënimet që shqiptohen ndaj operuesve ilegalë janë shumë të vogla.
Parashkrimi konsiston në atë se për shkak të kalimit të afatit të caktuar me ligj, shteti e humbë të drejtën e ndjekjes së personave apo kompanive dhe rrjedhimisht nuk mund t’u shqiptohet dënim për veprat e kryera.
Halimi thotë se përmes parashkrimit të një numri të madh të lëndëve që ata i dërgojnë në gjykata po amnistohen degraduesit e mjedisit, të cilët në të shumtën e rasteve i përsërisin veprat.
“Vlen për t’u theksuar fakti se te lëndët e parashkruara, gjykatësi gjen hapësirë dhe kohë për të shkruar dy-tri faqe tekst si arsyetim sesi është parashkruar lënda, por nuk gjen kohë për ta shkruar gjysmë faqe për ta dënuar simbolikisht kryerësin e veprës”, thotë Halimi.
Kundër eksploatuesve që nxorën ilegalisht rërë dhe zhavorr në Rahovec dhe Prizren, që nga viti 2015 e deri në korrik të vitit 2021, KPMM ka dërguar në prokuroritë përkatëse 388 kallëzime penale.
Sipas Ligjit për Miniera dhe Minerale, nëse një person zhvillon aktivitete të hulumtimit, shfrytëzimit ose aktivitete të veçanta pa poseduar licencën ose lejen e nevojshme, gjobitet duke filluar nga pesë mijë euro për secilin aktivitet të tillë.
Por edhe në këtë institucion shprehen të pakënaqur me trajtimin e këtyre rasteve nga gjykatat.
Selvete Grajqevci-Pllana, kryesuese e departamentit Ligjor në KPMM, ka thënë për Preportr se parashkrimet po ndodhin për shkak të neglizhencës së institucioneve të drejtësisë.
Pasojat shumëdimensionale të operimeve ilegale
Operimet ilegale në shtratin e Lumit Drini i Bardhë kanë shkaktuar pasoja të shumta. Zeqir Veselaj, profesor dhe njohës i fushës së mjedisit, i sheh si shumë shqetësuese dëmet që janë bërë në këtë lumë.
Ai thotë se pasojat nuk janë vetëm në vendin ku eksploatohet, por edhe shumë kilometra më larg në drejtim të rrymës ujore, duke bartur dhe grumbulluar inertet e shtratit që në vende të caktuar rrisin mundësitë e vërshimeve. Sipas tij, pasojë tjetër, jo më pak e rëndë, është ndotja e ujit nga rrjedhjet e makinerive (derivate, vajra etj.) që përdoren për eksploatim.
“Gërryerja e shtratit gjithashtu provokon erozionin lumor që dëmton tokat bujqësore rreth lumenjve. Lumi përmes vërshimeve dhe erozionit ‘hakmerret’ kohë pas kohe për abuzimin që po ua bën faktori njeri”, thotë Veselaj.
Ai thotë se gërryerja e substratit të shtratit të lumit ndryshon karakteristikat fizike të ujit (tejdukshmërinë, turbullirat etj.) që e vështirësojnë jetën e organizmave akuatikë bimorë, e sidomos atyre shtazorë./ Media Ndërtimi.