Pranë, Gjykatës Themelore në Prizren-Departamenti për Krime të Rënda, është mbajtur shqyrtimi i dytë ndaj të pandehurve Jehona Rrafshi Luma dhe Hafir Maliqaj, të cilët po akuzohen “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Gjatë shqyrtimit të dytë e pandehura Luma përmes mbrojtësit të tij, avokat Hajrip Krasniqi si dhe i pandehuri Maliqaj përmes avokatit të tij Fatmir Jëlliqi, kërkuan nga gjykata hedhjen e aktakuzës, për shkak se në veprimet e të pandehurve Luma dhe Maliqaj nuk krijohen elementet e veprës penale, mbi të cilat thirret prokuroria, raporton Drejtesia Sot.
Andaj, avokati Jëlliq dhe Krasniqi, deklaruan se mbesin në tërësi pranë kërkesës për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin për pranim e provave, të parashtruar brenda afatit të përcaktuar ligjor.
Sipas aktakuzës, Jehona Rrafshi Luma në cilësinë e Drejtoreshës së Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Suharekës, jashtë kompetencave të saj, nxjerrë Konkluzionin 09 Nr.109, të dt. 26.05.2020 dhe pastaj me dt. 29.05.2020, në vendngjarje, në parcelat kadastrale të të dëmtuarës “AgroKosova-Holding”, në lagjen Shirokë të Suharekës, udhëheq me procedurën dhe në kundërshtim me frymën e Konkluzionit nuk e rrënon në tërësi objektin afarist të investitorit B. G., të ndërtuar pa leje dhe kësi soji i shkakton dëm material ose ia shkel të drejtat të dëmtuarës.
Ndërsa, i akuzuari Hafir. Maliqaj., në cilësinë e inspektorit të ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Suharekës, nuk ndërmerr masa ligjore për pengimin e rindërtimit pa leje të objektit afarist i ndërtuar nga investitori B.G., në pronën e të dëmtuarës “AgroKosova–Holding”, në lagjen Shirokë të Suharekës, duke u mjaftuar vetëm me nxjerrjen me vonesë të një Urdhër-ekzekutimi të lëshuar nga Drejtoresha e Drejtorisë së Inspeksionit, pasi kishte përfunduar tashmë ndërtimi, me këto veprime të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm material ose i ka shkelur të drejtat e saja.
Hafir. Maliqaj akuzohet se nuk ka vepruar sipas Urdhrit të lëshuar nga vetë ai, që obligonte investitorin Xh. R., pronar i objektit afarist–montazh “Viva Fresh”, në fsh. Reshtan-Komuna e Suharekës të pajisej me leje ndërtimi në afat prej 15 ditësh, duke mos e penguar të njëjtin ta vazhdoj ndërtimin e mëtutjeshëm, poashtu del me vonesë në vend të ngjarjes, nuk vepron sipas procedurës për rrëzimin e ndërtimit pa leje, por sërish i jep afat shtesë investitorit, kësaj here më të gjatë se 30 ditë, që të pajiset me leje ndërtimi, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm material Komunës së Suharekës.
Prokurori i shteti, Metush Biraj, ishte kundër këtij propozimi, i njëjti kërkoi nga gjykata që ta refuzoj kërkesën e të pandehurve Luma dhe Maliqaj për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, pasi që ajo është krejtësisht e pabazuar.
Në fund, prokurori Biraj, kërkoi nga gjykata që të vazhdohet me shqyrtim kryesor dhe të bëhet analizimi i provave në mënyrë të detajuar./Media Ndërtimi.