Organizata Iniciatva për Progres (INPO) nëpërmjet një njoftimi për media ka akuzuar komunën e Ferizajt për shkelje ligjore në procesin e prokurimit publik, duke kërkuar që autoritetet kompetente të mbajnë përgjegjës zyrtarët e përfshirë.
Në reagim thuhet se në kuadër të monitorimit sistematik të prokurimit publik në komuna, INPO ka gjetur se komuna e Ferizajt, ka kufizuar konkurrencën dhe ka diskriminuar operatorët tjerë ekonomik, duke e favorizuar operatorë të caktuar.
“Aktivitetin e prokurimit me titull “Rregullimi i kanalizimit në fshatin Kosinë” me numër të prokurimit 656-21-3018-5-2-5, komuna e Ferizajt e ka zhvilluar duke përdorur pa arsye të bazuar në Ligjin për Prokurim Publik (LPP), procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Më 28.05.2021 komuna ka nënshkruar kontratë për punë, për rregullimin e kanalizimit në fshatin Kosinë në vlerë prej 213,953.33€, me kompaninë “Linda” Sh.P.K., kompani kjo e vetme që ishte ftuar për të ofertuar nga ana e komunës. Sipas LPP-së, përdorimi i kësaj procedure mundësohet vetëm në rrethana të caktuara ligjore dhe në asnjë mënyrë nuk mund të përdoret si rrjedhojë e neglizhencës së autoriteit kontraktues për të zhvilluar prokurimet”, thuhet në njoftim.
Në bazë së analizës së dokumenteve të tenderit, sipas INPO-s, kërkesa për inicimin e aktivitetit të prokurimit, në të cilën kërkohet përdorimi i procedurës së negociaur pa publikimin e njoftimit për kontratë dhe kërkohet që vetëm kompania “Linda” të ftohet për ofertim, është bërë nga Drejtoria e Infrastrukturës, respektivisht drejtori i kësaj drejtorie.
“Përdorimin e procedurës së negociaur pa publikimin e njoftimit për kontratë, drejtori e ka arsyetuar me “gjendjen e rënduar të kanalizimit, situatën me pandeminë Covid – 19 dhe presionin qytetarë”. Ndërkaq, përzgjedhjen e kompanisë për kryerjen e punëve e ka arsyetuar me faktin se “e njëjta është duke e implementuar kontratën për ndërtimin e kolektorit të kanalizimit në atë pjesë dhe mund të sigurohet një çmim më i lirë” .
INPO vlerëson se këto arsye janë të papranueshme sipas LPP-së dhe standardeve ndërkombëtare për prokurim të drejtë dhe transparent, si dhe janë vetëm mësymje për të përligjur përdorimin e procedurës më jo transparente të prokurimit.
“Tutje, INPO gjen se të njëjtin vlerësim e ka dhënë edhe Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP), i cili në opinionin e saj, dhënë komunës së Ferizajt, thotë se “për këtë aktivitet të prokurimit nuk janë plotësuar dispozitat e nenit 35 të LPP-së. Andaj, KRPP kërkon nga Zyrtari Kryesor Administrativ (ZKA), përkatësisht Autoriteti Kontraktues – Komuna e Ferizajt të rishqyrtojë edhe njëherë vendimin lidhur me përdorimin e kësaj procedure dhe të analizoj mundësitë që këtë aktivitet të prokurimit ta zhvilloj me procedurë të hapur”. Mirëpo, komuna nuk ka përfillur as opinionin e KRPP-së dhe ka nënshkruar kontratën me të vetmin operatorë të ftuar për ofertim, i cili vetëm gjatë vitit 2020, si anëtarë i konzorciumeve ka fituar pesë (5) kontrata në vlerë mbi 5 milion euro, apo 24.9% të vlerës së totale të kontratave të nënshkruara gjatë vitit 2020 nga komuna.
Vlen të theksohet se kjo kontratë nuk është publikuar në platformën e prokurimit publik e-prokurimi.rks-gov.net dhe as në ueb faqen zyrtare të komunës, ashtu siç urdhëron legjislacioni në fuqi”.
Bazuar në këto gjetje dhe të dhëna, INPO thotë se me arsye dyshon në keqpërdorim të parasë publike përmes prokurimit dhe favorizim të kompanive të caktuara për interesa të caktuara nga ana e zyrtarëve të komunës.
“Andaj, INPO i bënë thirrje ekzekutivit të komunës së Ferizajt dhe organeve të ndjekjes që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme sipas kompetencës së tyre ndaj zyrtarëve që kanë lejuar shkeljen e dispozitave të LPP-së, dhe të sigurojnë sundimin e ligjit dhe parandalimin e praktikave diskrimiminuese dhe favorizuese ndaj kompanive të caktuara dhe në dëm të interesit publik. Ndërsa, Komisionit Rregullativ për Prokurimin Publik i bëjmë thirrje që të intensifikoj aktivitetet në kuadër të monitorimit, duke siguruar se autoritetet kontraktuese zbatojnë dispozitat ligjore në fushën e prokurimit publik”, përfundon njoftimi./Media Ndërtimi