Piani degli Albanesi, qendra kryesore e arbëreshëve në Siçili, po zbulohet së fundmi si destinacion edhe nga shqiptarët e Kosovës.
Piana degli Albanesi, një qytezë arbëreshe vetëm 35 minuta larg Palermos në Siçili, po zbulohet së fundmi si një destinacion shpirtëror edhe nga shqiptarët e Kosovës. Veli Berisha, 41 vjeç, jeton prej shumë vitesh në Bernë të Zvicrës dhe bashkë me tre miq nga Kosova kanë ardhur në qytezë me një mision të veçantë.
“Për arbëreshët e Italisë më ka folur shumë babai im, por kur erdha këtu për herë të parë dhe kur njoha njerëzit e Pianës, të cilët i kanë ruajtur gjuhën dhe traditat shqiptare për më shumë se 500 vjet, u mahnita,” tha Berisha për BIRN.
Veli Berisha udhëtoi drejt Horës së Arbëreshëve në prill bashkë me Gencin, Ramadanin dhe Adnanin dhe u takua me kryetarin e bashkisë, Rosario Peta. Ata kanë vendosur të financojnë realizimin e një monumenti kushtuar heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Të frymëzuar nga historia e Horës së Arbëreshëve, Berisha thotë se ka krijuar në Kosovë shoqatën “Hora e Skënderbeut”.
Piana degli Albanesi, e njohur edhe si Hora e Arbëreshëvet, është qendra kryesore e komunitetit arbëresh në Siçili, i vendosur aty në fillim të shekullit XVI. Komuniteti e ka ruajtur prej shekujsh gjuhën dhe zakonet, por fatkeqësisht gjuha sa vjen e po humbet.
“Unë e kam ruajtur gjuhën e nënës sime dhe po të njëjtën gjë bëjnë edhe fëmijët e mi,” thotë Giorgio Cuccia, një nga aktivistët vendas për promovimin e Pianës, edhe jashtë ishullit më të madh në Italinë jugore.
“Në fakt, në Shqipëri njohin më shumë arbëreshët e Kalabrisë dhe drejtuesit e shtetit, vizitat zyrtare i bëjnë atje. Por tani, të gjithë po i kthejnë sytë edhe nga Piana degli Albanesi,” shton me krenari Giorgio.
Një ndeshje futbolli në vitin 2017 u bë shkak – tregon Giorgio – për të rivlerësuar historinë e Horës së Arbëreshëve. Pasi tifozët shqiptarë dhe ata të Pianës i bashkuan brohorimat në stadiumin e Palermos, futbollistët shqiptarë dhe drejtuesit e FSHF-së bënë një vizitë emocionuese në qytezë.
Ndërkohë, pak ditë më parë, nga Shqipëria, Kosova dhe Italia kanë festuar së bashku suksesin e arritur nga skuadra lokale e arbëreshëve “San Giorgio Piana” dhe presidenti i saj, Evis Troka, një sipërmarrës nga Kuçova, i cili jeton dhe punon prej më shumë se 20 vitesh në Piana.
“Ky ishte një sukses që do t’i shërbejë edhe më shumë vëmendjes ndaj qytezës sonë,” thotë Cuccia, i cili tregon më tej se të martën e ardhshme në kalendarin e veprimtarive tradicionale janë ftuar katër këngëtarë të njohur nga Durrësi dhe Tirana, të cilët me siguri do t’i mbledhin të gjithë banorët e Pianës në shesh.