Në dekadën e fundit, vala e ndërtimit të hidrocentraleve në Kosovë ka nxitur reagime të shumta.
Projektet e hidrocentraleve të mëdha, në disa komuna kanë rezultuar në rezistencë publike mjaft të madhe.
Fillimi i ndërtimit të këtyre hidrocentraleve pa planifikim të mirëfilltë strategjik, pa vlerësim të ndikimit në mjedis, pa analizë adekuate të prurjeve të ujit ka ndikuar që niveli i shumë lumenjve të bie, apo në kohë të caktuara edhe në shtjerrë të tërësishme tyre.
Dëmi i cili është duke iu shkaktuar natyrës mund të jetë vështirë i riparueshëm. Fatkeqësisht, ndërtimi i hidrocentraleve ka degraduar rëndë mjedisin, florën, faunën, kanë çrregulluar ekosistemin, kanë shëmtuar peisazhin dikur shumë të bukur, kanë devijuar dhe penguar rrjedhën e lumit, ua kanë mohuar qytetarëve ujin e pijes dhe ujitjes, të cilët kanë qenë të varur nga ky ujë, sidomos bujqit vendor. Raste të tilla të degradimit janë vërejtur sidomos në komunën e Shtërpcës.
Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike, si e para e këtij lloji në Kosovë e cila në bashkëpunim me një OJQ vendore filloi luftën kundër hidrocentraleve në gjykatë. Rasti i paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me padinë e parashtruar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe GAIA rezultoi i suksesshëm. Puna e ndërtimit të Hidrocentralit në Brezovicë u ndal dhe operimi i tij u ndalua, pas Aktgjykimit të Gjykatës Supreme më të cilin vërtetoi se gjykata e shkallës parë ka vepruar drejtë kur ka vendosur për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit me të cilin iu është aprovuar leja ujore.
Procedurat administrative për ndërtimin e katër hidrocentraleve në Shtërpcë kanë filluar në vitin 2013. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (në vijim: Ministria) nuk i ka ndjekur procedurat e parapara me legjislacionin në fuqi dhe ka lëshuar pëlqimet për këto hidrocentrale, edhe pse ligji ka përcaktuar një procedurë tërësisht tjetër.
Sipas Ligjit për Ujërat parashihet procedura e ndarjes së koncesionit e cila duhet t’i paraprijë procesit të ndërtimit të një hidrocentrali, përkatësisht partneritet publiko-privat.Në këtë rast, Ministria ka vendosur t’i përdorë procedurat e lëshimit të lejes ujore si për çdo palë tjetër duke injoruar në tërësi kërkesën ligjore se lejet ujore mund të lëshohen pas një procesi koncesioni.
Ministria ka vazhduar të lëshojë vendime tjera sa i përket fitimit të së drejtës ujore dhe ka lëshuar lejen dhe mjedisore që janë aktet finale për fitimin e së drejtës ujore për hidrocentralet në Shtërpcë./Media Ndërtimi.