Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka hapur ofertën për tender ndërkombëtar për autostradën e shumëpërfolur Shkup-Prishtinë.
Vlera totale e parashikuar e projektit është afër 200 milionë euro. Autostrada e shumëpërfolur kufitare Shkup – Prishtinë ka dalë në tender ndërkombëtar. Qeveria maqedonase ka hapur ofertë. Vlera totale e parashikuar e projektit është 186,700,000.00 euro per rreth 12 km.
Maqedonia e Veriut po synon të përdorë një pjesë t të ardhurave të një kredie nga granti i administruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – BERZH për koston e projektit të shumëpritur, sidomos nga ana e Kosovës për ndërtimin e autostradës Shkup-Prishtinë, raporton Revista Monitor.
Sipas dosjes së tenderit, projekti do të bashkëfinancohet nga një grant investimi prej 20.8 milionë euro të siguruar nga Bashkimi Evropian përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor.
Nënseksioni i mbetur prej 2 km nga Kryqi i Bllacës deri te vendkalimi Kufitar Bllacë me Republikën e Kosovës financohet nga buxheti i qeverisë maqedonase dhe aktualisht është në ndërtim e sipër.
Qeveria maqedonase fillimisht ka bërë njoftim paraprak për ofertë në ueb-faqen prokuruese të BERZH, pasi edhe tenderi do të realizohet në bazë të politikave prokuruese të kësaj banke.
Data e parashikuar e fillimit të prokurimit është data 17.10.2022 dhe aty mund të marrin pjesë edhe kompanitë nga Kosova, të cilat tashmë janë prezentë në projektet infrastrukturorë në Maqedoninë e Veriut.
“Prokurimi në kuadër të këtij projekti do të kryhet duke përdorur Portalin E-Prokurimit të Klientit të BERZH-it (ECEPP). Nëse keni ndërmend të merrni pjesë në ndonjë prokurim sipas këtij projekti, ju lutemi sigurohuni që të jeni regjistruar në ECEPP.
Subjektet e dokumentuara do të njoftohen drejtpërdrejt kur të publikohen mundësitë e prokurimit”, thuhet në njoftimin paraprak të këtij tenderi.
Maqedonia e Veriut e ka partner kryesor Kosovën në të bërit biznes. Statistikat e Doganës së Kosovës tregojnë se ky shtet fqinjë ka importuar mallra në Kosovë në muajin korrik në një vlerë prej 15,777,122.68 eurove.
Faktikisht, edhe Kosova e ka partner serioz për të bërë biznes, Maqedoninë fqinje dhe ekspertona mallra më së shumti nga te gjitha vendet ballkanike atje. Në korrik tregtarët kosovarë dërguan mallra në një vlerë prej 6,990,221.14 euro.
Qeveria e Kosovës, në vitet e kaluara, ka orientuar një pjesë të madhe të investimeve kapitale në ndërtimin e dy rrugëve të mëdha (autostradave), respektivisht në ndërtimin e rrugës 7 (Merdare – Morinë) dhe të Rrugës 6 (Prishtinë – Hani i Elezit).
Ndërtimi i këtyre dy rrugëve, përveç që lidhë Kosovën/Prishtinën me Shqipërinë/Tiranën dhe Maqedoninë/Shkupin, respektivisht, në fakt e përfshinë Kosovën si pjesë të rrjetit kryesor të transportit të Evropës Jug-Lindore./Media Ndërtimi.