Connect with us

Gjykim

Gjykimi ndaj ish-inspektorëve të Prishtinës, nuk parandaluan ndërtimin e objekteve pa leje

Published

on

Eksperti financiar, Vehbi Imeri, ka thënë se, gjatë ekspertizës ka kategorizuar këto objekte për të cilat bëhet fjalë në aktakuzë, në ato me leje, pa leje dhe ato me tejkalim.

Këtë deklarim, eksperti Imeri e dha të mërkurën, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin ku për keqpërdorim të detyrës zyrtare po akuzohen Ismet Haliti, Mërgim Shala, Skënder Canolli dhe Vehbi Abdullahu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, eksperti Vehbi Imeri gjatë përgjigjes në pyetjet e prokurores Drita Hajdari ka deklaruar se, gjatë ekspertizës ka kategorizuar këto objekte për të cilat bëhet fjalë në, me leje, pa leje dhe ato me tejkalim.

Eksperti Imeri ka thënë se ekzistimi i dëmit është përllogaritur mbi bazën e leje ndërtimit tek cila do të duhej të merreshin për sipërfaqen e cila është ndërtuar si dhe për sipërfaqet e tejkaluara dhe nga kjo përllogaritje janë zbritur të gjitha ato leje të cilat janë miratuar dhe për të cilat janë pajisur ndërtimtaret me leje ndërtimi, dhe kanë kryer pagesat konform tarifave të përcaktuara me ligj dhe rregullore komunale.

Ndërsa, për ato ndërtime për të cilat janë pajisur me procedurë të legalizimit, ai tha se është llogaritur vetëm diferenca në mes të lartësisë së pagesës për leje të nderimit dhe pjesës së paguar për legalizim.

Kurse, sa i përket tejkalimeve sipas tij, të gjitha kanë qenë të shkruara në shkresa të lëndës, për siguri sa janë tejkaluar, të njëjtat janë llogaritur sikurse kërkesë e rregullt për leje ndërtimi

Tutje eksperti Imeri tha se në këtë rast, nga këto vlera për ato ndërtime për të cilat nuk është arritur të merret leja deri në ditën e hartimit të ekspertizës dhe të cilat nuk janë legalizuar përfundimisht deri në atë datë është llogaritur vlera totale si dëm i shkaktuar ndaj buxhetit të komunës së Prishtinës.

Për këtë llogaritje, ai ka thënë se, baza e shumës për përllogaritje bazohet në ligj dhe bazohet në rregulloren e Komunës për ndërtim.

Më pas, prokuroria Hajdari të njëjtin e ka pyetur për ndërtuesit pa leje që sipas saj arrijnë të ndërtojnë objektin deri diku dhe gjatë këtij procesi të ndërtimit të njëjtit i shesin banesat qytetareve afaristeve me ç’rast lidhin parakontrata, në këtë rast a ekziston pasurimi pa bazë i këtyre investitorëve.

Pyetje kjo e cila u kundërshtua nga avokati Ramiz Krasniqi me arsyetimin se është e palejueshme.

“Pyetja është e palejueshme, këtë pyetje prokuroja mbase duhet t’ia shtoj vetit apo shefit të saj” tha Krasniqi.

Kjo pyetje u refuzua nga gjykatësja Suzana Qerkini, me arsyetimin se eksperti ishte për të dhënë mendim profesional dhe jo të bazën e fajësisë të akuzuarve që janë.

10 ish-inspektorët thuhet se nuk i kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina, “Tregtia”, Shefik Rexhepi  “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”./Media Ndërtimi.

Gjykim

Apeli ia kthen në gjobë dënimin me burgim inspektorit të ndërtimit nga Prizreni

Published

on

Inspektorit të ndërtimit nga Prizreni, Nexhemdin Musliut dënimi me burg i është zëvendësuar në dënim me gjobë nga Gjykata e Apelit.

“Ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës së Prizrenit përkitazi me sanksionin penal-dënimin ashtu që Gjykata e Apelit, Nexhmedin Musliut i përcakton dënim me burgim prej 6 muaj i cili dënim i zëvendësohet me gjobë në shumën prej 2 mijë e 500 euro”- thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Musliu nga shkalla e parë ishte dënuar me 8 muaj burgim efektiv për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare. Ndaj tij ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues -ndalimi i ushtrimit të funsioneve në administratë publike për një vit.

Sipas aktakuzës, Nexhmedin Musliu ka qenë përgjegjës për inspektimin e ndërtimeve në rrugën “Muhaxherët” – zona e “Qylhanit”, në Prizren, mirëpo i njëjti nuk ka ndërmarrë veprime për rrënimin e ndërtimit pa leje.

Ankesë në Apel ka parashtruar Valbonë Morina, avokate e të akuzuarit. Në lidhje me këtë Apeli ka gjetur se pretendimet e mbrojtëses për një dënim më të butë janë të bazuara.

Në vendimin që Kallxo.com ka siguruar, shkalla e dytë ka vlerësuar se shqiptimi me 8 muaj burg është i ashpër.

“Gjykata e Apelit ka gjetur se dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë me 8 muaj burg, në rrethanat e çështjes rezulton se është dënim i ashpër, duke pasur parasysh faktin se i akuzuari ka pranuar fajësinë të cilës rrethanë nuk i është dhënë rëndësia e duhur në rastin e caktimit të dënimit”- sqarohet në aktgjykim.

Për rrethanat e tjera si pendimi thellë, është mbajtës i vetëm i familjes, është i gjendjes së dobët ekonomike, është në moshë të shtyer, premtimi se në të ardhmen do të përmbahet nga veprime të tilla sipas Apelit tregojnë se edhe me një dënim më të ulët mund të arrihet qëllimi ndëshkimor nga neni 38 KPRK-së.

“Kjo gjykatë vlerëson se dënimi i shqiptuar si në dispozitiv të këtij aktgjykimi është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale dhe shkallën e përgjegjësisë të të akuzuarit si ekzekutor, dhe me intensitetin e rrezikimit apo pasojave të shkaktuara dhe se me të do të mund të parandalohet i akuzuari nga kryerja e veprës penale në të ardhmen si dhe të parandalohen personat e tjerë”- përshkruhet në aktgjykim.

Sipas aktakuzës të datës 14 janar 2020, Nexhmedin Musliu po akuzohej se prej nëntorit të vitit 2014 e deri në maj 2016, si inspektor i ndërtimit nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të përcaktuara me ligj.

Sipas Prokurorisë, Musliu ka qenë përgjegjës për inspektimin e ndërtimeve në rrugën “Muhaxherët” – zona e “Qylhanit”, në Prizren, por i njëjti nuk ka ndërmarrë veprime për rrënimin e ndërtimit pa leje të bërë në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, Planin Zhvillimor Urban të komunës dhe lejeve të ndërtimit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Gjykim

866 ditë të pamjaftueshme për rastin “Hidrocentralet”, gjyqi ndaj ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2 drejt parashkrimit absolut

Published

on

Kanë mbetur më pak se dy muaj para se të arrihet parashkrimi absolut i rastit të njohur si “Hidrocentralet”. Me parashkrim absolut kuptohet se lënda vjetërsohet, çka nënkupton se asnjë veprim nuk mund të merret më nga gjykata, pra rasti nuk mund te gjykohet tutje dhe nuk merret vendim meritor për palët e akuzuara.

Sipas legjislacionit, parashkrimi absolut i ndjekjes penale paraqitet kur kalon dyfishi i kohës që kërkohet sipas ligjit për parashkrimin, pa marrë parasysh në ndërprerjet apo ndaljet eventuale të mëparshme.

Në këtë rast të akuzuarit Mimoza Kusari-Lilaj, Besim Beqaj, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha e Arben Xhuka akuzohen për vepër penale  – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, që dënohet me 6 muaj deri në 5 vjet burgim.

Për këto vepra Kodi Penal ka paraparë që parashkrimi absolut arrihet kur kalojnë më shumë se 10 vite nga momenti i kryerjes se veprës penale, raporton Kallxo.com

Vepra në fjalë është kryer më 8 maj të vitit 2013, ndërsa parashkrimi sipas kësaj llogaritjeje arrin më 8 maj të këtij viti.Të akuzuar për këtë rast janë katër ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2: Kusari- Lila, Gashi, Rashiq, Beqaj, si dhe Hoxha e Xhuka.

Aktakuza ka të bëjë me privatizimin e katër hidrocentraleve.

866 ditë kanë kaluar që nga mbajtja e shqyrtimit fillestar për këtë rast, ku të akuzuarit atë kohë ishin deklaruar të pafajshëm për veprat që u viheshin në barrë.

Lidhur me këtë rast ende nuk ka një epilog përfundimtar, ani pse lënda është për shqyrtim në Gjykatën e Apelit pas ankesës së Prokurorisë Speciale pasi që Gjykata në Prishtinë në nëntor të vitit që lamë pas kishte marrë aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve.

Tetë maji i këtij viti pritet që përfundimisht ta parashkruajë rastin e njohur si “Hidrocentralet”, duke marrë për bazë që veprat penale të kryera sipas aktit akuzues nga të pandehurit kanë ndodhur më 8 maj të vitit 2013.

Në aktin akuzues ndaj ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2 theksohet se të akuzuarit “kanë dëmtuar interesat e kompanisë KEK si dhe aksionarit – Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht vetëm për qira mujore për periudhat e mbetura të koncesionimit në shumën prej 1,054,000.00 euro, sepse e njëjta duhet t’i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese, si dhe pas përfundimit të koncesionimit, të njëjtat ngelin në pronësi të kompanisë privatizuese”.

Më tej në aktakuzë thuhet se dëmi tjetër i shkaktuar direkt është vlera e investuar (shtuar) në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, që nuk përfshinë vlerën e aseteve  para koncesionimit, sepse KEK-u nuk ka bërë regjistrimin dhe nuk ka prezantuar vlerën e aseteve para privatizimit, por privatizimi është bërë sipas vlerës së mjeteve të bazuara në regjistrimin e vitit 2003.

Prokuroria pretendon se me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pas parashtrimi të kërkesave për hedhje të aktakuzës nga mbrojtja, Gjykata ka pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes penale për të akuzuarit Fadil Çitaku, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Gjykim

Mbrohet në heshtje ish-drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm në Drenas, akuzohet se jepte me qira banesat e Komunës

Published

on

Ish-drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm në Komunën e Drenasit, Idriz Hysenaj, të hënën ka shfrytëzuar të drejtën e tij që të mbrohet në heshtje, në rastin ku ai po akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

“Çdo gjë që kam pas, e kam deklaru në hetime dhe mbes pranë tyre”, deklaroi Hysenaj.

Deklarimin e të akuzuarit Hysenaj, e ka mbështetur edhe mbrojtësi i tij, avokati Tahir Rrecaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, në këtë seancë është bërë edhe administrimi i provave materiale të propozuara si në aktakuzë, ku ndër të tjera përfshihen çertifikata e Zyrës Kadastrale të Komunës së Drenasit, parashtresa e Komunës së Drenasit që paraqet përcaktimin e dëmit, si dhe kontrata në mes komunës dhe kompanisë “Kulla Com”, me përfaqësues Idriz Hysenaj, për ndërtimin e objektit.

Gjithashtu, si provë materiale është administruar edhe raporti i kolaudimit, e që sipas prokurorit Bashkim Zeqaj, paraqet se si është bërë ndarja e banesave në ndërtim dhe një aktvendim i drejtorisë që ka të bëjë me çështjen e njëjtë.

Po ashtu, si provë është administruar edhe ekspertiza e telefonit “Samsung” të të akuzuarit Hysenaj, në lidhje me të cilën prokurori Zeqaj tha se i njëjti e ka ditur se është duke zhvilluar veprim të kundërligjshëm.

Përveç këtyre, prokurori Zeqaj ka propozuar edhe prova materiale shtesë, ku përveç tjerash përfshihen edhe disa shkresa të dorëzuara nga Kuvendi Komunal i Drenasit, si dhe një parashtresë e 6 janarit 2013.

Sipas tij, në këtë parashtresë gjenden faturat e KEDS-it, çertifikata e regjistrimit të biznesit “Kulla Com” deri më 7 nëntor 2016, ku në cilësinë e drejtorit ka qenë Idriz Hysenaj, ndërsa nga ajo datë është bartur tek vëllai i tij, S.H.

Në lidhje me këto prova, avokati Rrecaj tha se nuk ka vërejtje në leximin dhe administrimin e tyre, mirëpo tha se ka vërejtje vetëm në paraqitjen e tyre, sipas tij “paksa të cunguar” nga ana e prokurorit Zeqaj.

Sipas avokatit Rrecaj, i mbrojturi i tij të gjitha veprimet i ka ndërmarrë si pronar i kompanisë “Kulla Com”, e jo si person zyrtar, as si asamblist e as si drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Drenasit.

“Këtu qëndron thelbi i problemit, nëse Idriz Hysenaj ka vepruar si person zyrtar apo si pronar i një kompanie private”, ka vazhduar tutje avokati, duke shtuar se sa i përket mbrojtjes kjo paqartësi nuk ekziston fare dhe do të vërtetohet me provat e Prokurorisë.

Gjithashtu, edhe avokati Rrecaj ka propozuar prova tjera materiale, të cilat sipas tij do ta vërtetojnë pafajësinë e të mbrojturit të tij.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Idriz Hysenaj në mes të periudhës kohore nga viti 2014 e deri më 15 tetor 2019, në vazhdimësi, si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti në cilësinë e personit zyrtar, fillimisht asamblist i Kuvendit Komunal në Drenasi, e pastaj drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në këtë komunë, në mënyrë të kundërligjshme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe biznesin e tij, ua kishte dhënë me qira në shuma të ndryshme gjashtë banesa në kate të ndryshme personave N.K, B.O, D.H, L.B, J.R., dhe M.S, të cilat kanë qenë pronë e komunës në fjalë.

Sipas aktit akuzues, në disa raste u kishte dhënë në shfrytëzim banesat të cilat kanë qenë pronë e Komunës së Drenasit personave të caktuar nga të cilët kishte marrë tokën për ndërtimin e banesave, apo prej qytetarëve që kishin blerë banesë nga ana e firmës së tij “Kulla Com”, deri në përfundim të banesave .

Në këtë mënyrë, në aktakuzë thuhet se Kuvendit Komunal në Drenas i kishte shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa vetes dhe kompanisë së tij i kishte sjellë dobi të kundërligjshme pasurore.

Me këtë, Hysenaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Trending