Gjykata e Gjakovës ka marrë vendim që të caktojë masë siguruese për tjetërsimin e pronave që familja Zajmi i përfiton nga ndërtimi i një banese në Gjakovë.
Sipas vendimit, kompanisë që po i ndërton banesat i ndalohet që banesat të cilat kjo familje i pranon t’i tjetërsojë.
Më 24 nëntor 2022, Gjykata ka vlerësuar si të drejtë propozimin e propozuesve Nazire Zajmi dhe Gazmend Zajmi nga Gjakova për caktimin e masës së sigurisë.
“Caktohet masa e sigurisë në 3/4 e pjesës ideale të patundshmërisë të ngastrës me numër 5851 të sipërfaqes 0.05.35 ha. I ndalohet kundër-propozuesit të tretë “Real Construction Group A&SH” SHPK që të ndërmarrë çfarëdo veprimi procedural dhe ligjor që ka të bëjë më bartjen e të drejtës së pronësisë më pjesën ideale prej 3/4 të patundshmërisë të sipërfaqes së lartcekur. I ndalohet edhe kundër-propozuesit të parë, Malush Krushës nga Gjakova që në pjesët e lartcekura të ndërmarr çfarëdo veprime procedurale dhe ligjoren bartjen në pronësisë” – thuhet në vendimin e Gjykatës.
Si pronarë legjitimë të parcelës, paditësit kanë ushtruar kërkesë për masën e sigurisë kundër propozuesit të parë Malush Krusha dhe kundër propozuesit të tretë “Real Construction Group A&SH” .I autorizuari i masës së sigurisë, Besnik Haxhijanuzi, ka kërkuar ndalimin e çdo aktiviteti nga kundërpropozuesi i parë dhe i tretë që ta bëjë tjetërsimin e patundshmërisë lëndore, shkruan Kallxo.com.
Propozuesit e kësaj mase kërkesën e tyre e kanë arsyetuar me aktvendimin T.nr.62/60 të vitit 1961, aktvendimi E.nr. 613/64 të vitit 1965 dhe me aktvendimin e trashëgimisë T.nr. 112/2002 të vitit 2004 si pronarë legjitimë mbi bazën e procedurës trashëgimore.
Qëllimi i palëve kontraktuese sipas Gjykatës është dhënia me kompensim e palujtshmërive nga ana e pronarëve Amir Xharra si pronar i 1/1 pjesë e pronës dhe bashkëpronar 1/4. Kurse, Malush Krusha si bashkëpronar 3/4 pjesë të pronës e cila do t’i kompensohet me pjesë reale të pronave si pronarë me qëllim të ndërtimit të objektit kolektiv banesor.Por, pas daljes në vend ngjarje Gjykata ka konsideruar se propozuesit e sigurimit e kanë bërë të besueshëm masën e sigurimit të kërkesë-padisë.“Gjykata pas ndryshimeve të evidentuara vendosi që kundër propozuesit të parë në pjesën ideale prej 3/4 të ngastrës së lartcekur t’i ndalohet ta bëjë tjetërsimin ndaj personave të tretë në çfarëdo baze. Po ashtu i ndalohet kundër-propozuesit të tretë “Real Construction Group A&SH”, SHPK që të marrë çfarëdo veprimi procedural dhe ligjor që ka të bëjë me bartjen, tjetërsimin e të drejtës së pronës në pjesën ideale prej 3/4 të patundshmërisë që evidentohet me numër 1098-1”- thuhet në vendimin e marrë nga Gjykata e Gjakovës.Bazuar në këtë, kundërpropozuesit të parë dhe të tretë u është ndaluar tjetërsimi i asaj prone.