Është nënshkruar marrëveshjea me Ndërmarrjen e Përbashkët Gjermano-Kosovare për Zbatimin e Programit për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta në Kosovë.
Projekti financohet me grante nga bashkëpunimi dypalësh gjerman, prej KfW si agjenci financuese dhe me fonde nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ), në kuadër të IPA 2020, IPA 2021, IPA 2022, dhe kontributin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që synon të përmirësojë sistemin e menaxhimit të mbeturinave në Kosovë në mënyrë të qëndrueshme për mjedisin.
Ky projekt është investimi më i madh në menaxhimin e qëndrueshëm të mbeturinave në Kosovë, në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Menaxhimit të Mbeturinave të Kosovës dhe nxitjen e përafrimit me standardet e BE-së. Projekti do të kontribuojë në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik, në reduktimin e emetimeve të gazrave serrë dhe krijimin e vendeve të reja të punës në sektorin e mbetjeve.
Përmes këtij projekti do të bëhen këto investime të domosdoshme në sistemin e menaxhimit të mbeturinave të Kosovës:
🔹 Ndërtimin e qendrës së re rajonale të menaxhimit të mbeturinave, duke përfshirë këtu deponi të re për rajonin e Prishtinës, dhe investimin në pajisje mobile të nevojshme për operim.
🔹 Punimet për rehabilitimin dhe mbylljen e celulave aktualisht funksionale të deponive rajonale në Gjilan dhe Prizren si dhe ndërtimin e një celule të re deponimi për secilën deponi, njëashtu edhe investimin në pajisje mobile të nevojshme për operim.
🔹 Punimet për mbylljen e celulës aktualisht funksionale të deponisë rajonale në Pejë dhe ndërtimin e një celule të re për deponim në të njëjtin lokacion si dhe mbylljen e deponisë së Istogut.
🔹 Punimet për mbylljen e Deponisë së Podujevës, aktualisht funksionale si dhe ndërtimin e një stacioni të ri transferi në lokacionin e Deponisë së Podujevës dhe blerjen e pajisjeve mobile për operim si dhe pajisjeve të transportit të mbeturinave për distanca të gjata.
🔹 Punimet për rehabilitimin e Stacionit të Transferimit të Ferizajit, aktualisht funksional.
Kohëzgjatja fillestare e projektit është 48 muaj, duke filluar nga janari 2024. Ndërmarrja e përbashkët e udhëhequr nga ICP GmbH do të ofrojë asistencë teknike dhe mbikëqyrje për zbatimin e projektit, duke siguruar kështu cilësinë dhe efikasitetin e aktiviteteve dhe rezultateve të projektit.