Kriza botërore e energjisë u thellua pasi një tjetër rritje e çmimeve të gazit natyror në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërcënoi të shtynte drejt recesionit disa nga ekonomitë më të mëdha të botës.
Tregjet e gazit në Evropë u rritën papritmas me 10 për qind, duke shkuar në 251 euro për megavat orë, një shifër ekuivalente me më shumë se 400 dollarë për fuçi naftë, ndërkohë që tregtarët po nxitojnë për të siguruar furnizime përpara fillimit të dimrit. Çmimet janë rritur me më shumë se dyfishin krahasuar me nivelet jashtëzakonisht të larta të qershorit, megjithëse ato patën një rënie më vonë gjatë ditës së martë.
Këto ndryshime të ҫmimeve kanë ardhur pas kufizimit të furnizimeve nga Rusia. Tregtarët druhen për konkurrencën me kompanitë aziatike për sigurimin e ngarkesave të gazit natyror të lëngshëm, përpara fillimit të sezonit të dimrit. Politikanët evropianë kanë akuzuar Moskën se po i përdor furnizimet si një “armë”.
Çmimet e gazit në Evropë pritet të mbeten në këto nivele rekord ose të rriten edhe më shumë me afrimin e dimrit. Berlini po diskuton mundësinë e racionimit të përdorimit të gazit, ndërsa qeveritë e tjera, nga Londra në Madrid, po përgatiten të subvencionojnë faturat e larta të energjisë. Rritjet e mëtejshme të çmimeve do të shtojnë kostot për mbështetjen e familjeve, duke përfshirë edhe Britaninë e Madhe, ku është krijuar presioni për kryeministrin e ardhshëm që të vendosë një kufi për ҫmimin e energjisë në fatura, edhe sikur Rusia të ndërpresë plotësisht furnizimet.
Ҫmimet e gazit në SHBA mbeten shumë më të ulëta se në Evropë, falë bumit të nxjerrjes së shistit argjilor gjatë 15 viteve të fundit, por rritja e kostove të energjisë ka nxitur nivelet më të larta të inflacionit në dekadat e fundit, duke shkaktuar alarm në Shtëpinë e Bardhë.
Në Evropën kontinentale, çmimi standard i gazit është i barabartë me 75 dollarë për një milion njësi termike britanike, pasi çmimet rekord të gazit po futen në tregjet e energjisë elektrike, ku çmimet janë rritur me gjashtë herë krahasuar me nivelin e një viti më parë.
Rinisja e punës në Freeport në muajin tetor do të rriste furnizimet për Evropën, duke zbutur potencialisht çmimet përtej Atlantikut, por duke shtuar kërkesën në SHBA.