Aktuale
Fukuyama: Kina nuk ka vetëm interesa ekonomike në Ballkan
Published
3 years agoon
Përmes projekteve në Ballkan, Kina nuk ka vetëm motive ekonomike, por edhe të politikës së jashtme dhe qëllime strategjike, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Francis Fukuyama, profesor në Universitetin e Stanfordit dhe autor i librit të famshëm “Fundi i Historisë dhe Njeriu i Fundit” (The End of History and the Last Man).
Fukuyama thotë se blloku evropian duhet të këmbëngulë në kushtet për vendet që synojnë anëtarësimin, pavarësisht se Kina dhe Rusia po përpiqen të përfitojnë nga boshllëku i krijuar për shkak të lodhjes së BE-së nga zgjerimi.
Profesor Fukuyama, në këtë intervistë komenton gjithashtu kritikat e shumta se vlerësimet e tij në librin “Fundi i Historisë”, i botuar pas rënies së Murit të Berlinit më 1989, ishin tepër optimiste dhe të gabuara.
Profesor Fukuyama, po e fillojmë këtë intervistë me çështjen e rolit të Kinës në Ballkan. Mali i Zi ka njoftuar se i duhet ndihma e Bashkimit Evropian për të paguar borxhin e madh të një kredie kineze prej një miliard dollarësh për një projekt të diskutueshëm të ndërtimit të një austrostrade. BE-ja ka thënë se “nuk paguan borxhe ndaj palëve të treta”. Çfarë mund të ndodhë nëse Mali i Zi nuk arrin të paguajë borxhin? A mundet që Kina të marrë pronën në emër të garancisë për kredinë, siç ka ndodhur në Shri Lankë?
Nuk jam mjaftueshëm i informuar me përmbajtjen e marrëveshjes për koncesion, por mund të ndodhë një gjë e tillë pasi me sa e di, Kina shumë shpesh kërkon garanci në marrëveshje të tilla të huadhënies. Kina ka më shumë mundësi dhe sikurse huadhënësit e tjerë, ajo njëanshëm mund të negociojë kushtet e kontratës, të zgjasë afatin për kthimin e borxhit, të ndryshojë normat e interesit. Këto janë gjëra që huadhënësit i bëjnë me vendet në nevojë, kështu që vërtetë nuk e di se si do të veprojnë në rastin e Malit të Zi.
Kina nuk ofron kredi me norma interesi më të favorshme sesa bankat evropiane. Autostrada e Malit të Zi kushtoi shumë shtrenjtë (23.8 milionë dollarë për kilometër). Kina gjithashtu e kushtëzon kredinë me angazhimin e kompanive të saja në punimet e projekteve, pastaj shitjen e materialit të saj. Cilësia e punimeve është e diskutueshme. Pra, si po arrin Kina të joshë vendet për të rënë në një kurth të tillë të borxhit?
Mendoj se problemi qëndron në faktin se Kina është e gatshme të financojë projekte të cilat bankat perëndimore dhe institucionet tjera kanë refuzuar t’i financojnë, për arsye se nuk kishin kurrfarë dobie ekonomike. Një shembull i kësaj është autostrada në Mal të Zi. Ka pasur një përpjekje që të formohet një konzorcium i bankave dhe kompanive perëndimore për të financuar projektin, por kur në fund bankat e bën ekspertizën, njoftuan se përfitimet nga ajo rrugë nuk e arsyetojnë investimin e madh që duhej bërë.
Mendoj se kur hyn në projekte të tilla, motivi i Kinës nuk ka të bëjë vetëm me aspektin ekonomik, por edhe nga motivet strategjike dhe të politikës së jashtme. Kjo është pjesë e procesit 17+1 (17 vendet e Evropës Juglindore dhe Qendrore dhe Kina) përmes së cilit Pekini mendoi se ishte një mënyrë për të ndikuar te një vend anëtar i NATO-s, që synon anëtarësimin në BE. Kjo është arsyeja që Kina vendosi të kyçet në këtë projekt nga i cili nuk kishte justifikim ekonomik. Për fat të keq, ata gjetën një partner lokal, Millo Gjukanoviqin, i cili ra dakord me ato kushte. Por, në atë kohë ajo nuk ishte një marrëveshje e mençur dhe kjo u vërtetua gjatë zhvillimit të projektit transmeton Telegrafi.
Kina po e rrit rolin e saj në Ballkan përmes projekteve të infrastrukturës dhe energjisë, por edhe përmes forcimit të lidhjeve politike, në veçanti me Serbinë. Pyetja është se si do të ndikojë kjo në rrugën e integrimit evropian të Serbisë?
Kjo është një përpjekje për të përdorur Kinën si një mjet kundër BE-së, pasi kjo e fundit ka treguar përmbajtje ndaj procesit të zgjerimit për shkak të problemeve që ka me disa vende anëtare të reja nga Evropa Lindore. Ky hezitim i BE-së i ka hapur rrugë Kinës. Por, në fund të fundit kjo nuk është një gjë e mirë për këto vende (të Ballkanit) sepse ato e mbingarkojnë veten përtej mundësive që kanë. Pastaj bien në kurth të borxhit, siç është rasti me Malin e Zi dhe nuk arrijnë të kenë rritjen ekonomike siç e kanë pritur. Në fakt, politikanët arrijnë të kenë përfitime afatshkurtra sepse ata janë në gjendje të thonë se kanë siguruar miliarda dollarë investime kineze, gjë që hap hapësirë për rritje dhe punësim, por, për fat të keq, shumica e tyre nuk realizohet kurrë.
Në rastin e Serbisë, a bëhet fjalë edhe për një qasje shumëdrejtimëshe në marrëdhëniet ndërkombëtare, përkatësisht një orientim edhe në BE-në, SHBA-në, Rusinë dhe Kinën në të njëjtën kohë. A mund të jetë kjo ndoshta një reflektim i kohës së Jugosllavisë, kur Tito krijonte baraspeshë mes Perëndimit dhe Lindjes apo bëhet fjalë për një lojë politike që ka për qëllim të legjitimojë një regjim gjithnjë e më autokrat të saj?
Mendoj se bëhet fjalë për të dyja. Secili lider në atë situatë do të bënte përpjekje që të nxisë palët e ndryshme kundër njëra-tjetrës. Bashkimi Evropian në fakt ka një arsye të mirë për kujdes në procesin e pranimit të një vendi, siç është Serbia, sepse mendoj se ka disa prirje joliberale dhe autokratike në atë vend. Kjo siç thamë i hap rrugë Kinës. Kjo lloj konkurrence është pjesë normale e gjeopolitikës. Por, në fund të fundit, unë mendoj se nëse Serbia ose ndonjë vend në Ballkan, dëshiron të jetë pjesë e Evropës, ajo duhet të bëjë një zgjedhje thelbësore të vlerave. A dëshirojnë të jenë një demokraci liberale apo një joliberale, pra shtet gjysmë-autoritar. Derisa ta bëjnë atë zgjedhje, mendoj se do të jenë në pozitë të mesit.
You may like
Aktuale
Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?
Published
4 months agoon
July 25, 2024Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.
Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.
Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.
Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.
Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.
Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…
Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi
Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.
Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.
Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.
“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.
Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.
“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.
Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.
“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi
Aktuale
Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë
Published
4 months agoon
July 24, 2024Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.
Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.
Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.
Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.
Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.
Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.
Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.
Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.
Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.
Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.
Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.
“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi