Kosova ka kohë që njihet për mikpritjen e saj, frymën properëndimore dhe jetën e natës. Megjithatë, një gjë që nuk po vihet në pah është shkalla e përparimit që ka bërë në 20 vjetët e fundit dhe talentin veçanërisht në teknologji që ajo e ka, shkruan revista prestigjioze Forbes, transmeton Telegrafi.
Kosova nuk është vetëm vendi më i ri në Evropë, por është gjithashtu një vend i dominuar tërësisht nga të rinjtë e saj. Me një moshë mesatare 26-vjeçare, vendi ka popullsinë më të re nga të gjitha vendet evropiane, ku mosha mesatare është afër 40 vjeç.
Të jesh një vend me një popullsi të re sigurisht që ka përfitimet e veta, shkruan Forbes. Në epokën dixhitale, të kesh një popullsi të re të jep një avantazh të konsiderueshëm; derisa fuqia punëtore e vendeve të tjera konkurrente plaket dhe ngadalësohet, popullsia e Kosovës është në vitet e saj të mira të punës.
Megjithatë, deri vonë, të qenit i ri në Kosovë do të thoshte të ngecësh mes një fluksi ekonomik dhe politike dhe, në të njëjtën kohë, të ndiheshe i izoluar pas një muri vizash. Kjo gjendje e pasigurisë krijoi urgjencë për popullin e Kosovës për të krijuar vende të reja pune cilësore që sigurojnë se talentet e të rinjve të përdoren për mirë.
Talent shumëdimensional
Natyrisht, këto janë vështirësitë që çdo vend në zhvillim duhet t’i mësojë t’i përballojë në mënyrën e vet. Për Kosovën, rinia e saj po dëshmohet se është zgjidhja. Vështirësitë me të cilat ballafaqohen të rinjtë kosovarë duket se po krijojnë një gjeneratë të ndërmarrësve që u është dashur të ndërtojnë një vend të ri nga themelet. Këto vështirësi kanë rezultuar në një vendosmëri të pakrahasueshme për të promovuar vlerën e tyre në një shkallë globale.
Kjo mund të jetë një nga arsyet pse Kosova, me një popullsi prej 1.8 milionë banorësh, gjeneron një numër të madh të talenteve të klasit botëror (përfshirë medalistët e artë olimpike si Majlinda Kelmendi dhe të famshëm si Dua Lipa dhe Rita Ora) për frymë në tërësi. S
Sipas artikullit thuhet se edukimi për IT në Kosovë fillon që në moshë të re, nga ku fëmijët nga mosha shtatëvjeçare marrin pjesë në kampe për robotikë, kodim dhe AI, duke iu dhënë atyre një fillim të mirë të karrierës së tyre në IT./Media Ndërtimi.