Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë sot pritet të fillojë shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Betim Reçica dhe tre zyrtarëve të tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, lidhur me akuzat për keqpërdorime në tenderin për autostradën e Gjilanit.
Reçica akuzohet për disa vepra penale, përfshirë ushtrim ndikimi, dy vepra të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe për shpëlarje të parave, ndërsa tre zyrtarët e tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini akuzohen vetëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ndryshe, seanca e 22 shtatorit nuk ishte mbajtur, pasi mbrojtësi i të akuzuarit Reçica, avokati Florin Vërtopi kishte kërkuar shtyrjen e seancës për shkak të gjendjes shëndetësore të të mbrojturit të tij, e për të njëjtën arsye ishte anuluar edhe seanca e 23 shtatorit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 15 shkurt 2021 e kishte njoftuar opinionin për ngritjen e aktakuzës ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica dhe tre zyrtarëve të tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini.
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special në qershor të këtij viti, kishte refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave të ushtruar nga mbrojtësit e të akuzuarve Reçica, Berisha, Limani dhe Emini.
Sipas aktakuzës, ata akuzohet se kishin shpallur fitues për Lot I (një) Operatorin Ekonomik “Graniti Inginiering” && “Armendi & EX” që kishte ofertuar çmimin 18 milionë e 468 mjë e 426 euro 58 centë e jo Operatorin Ekonomik “AL TRADE” SHPK & “SALILLARI” që kishte ofertuar me çmimin 16 milionë e 24 mijë e 128 euro e 28 centë, i cili ishte më i ulët për 2 milionë e 444 mijë e 298 euro e 38 centë, e pastaj për Lotin -II- (dy) shpallën fitues Operatorin Ekonomik “GP&Papengburg Ardiani” e jo Operatorin Ekonomik “2A group & Alko IMPEX&ex – FIX&2T”, që kishin ofertuar me çmimin 4 milionë e 275 mijë e 806 euro e 22 centë, i cili ishte më i ulët për 1 milion e 630 mijë e 487 euro e 45 centë.
Gjithnjë sipas prokurorisë, të akuzuarit Berisha, Limani e Emini, kishin shpallur fitues për Lot IV (katër) Operatorin Ekonomik “2A GROUP” & “ALKO IMPEX” & “EX-FIX” & “2T”, që kishin ofertuar me çmimin 8 milionë e 700 mijë e 127 euro e 36 centë, e jo Operatorin Ekonomik ,,PEVLAKU & “BASE JOOS KRASNIQI” që kishin ofertuar me çmimin 7 milionë e 784 mijë e 756 euro e 72 centë, i cili ishte më i ulët për 915 mijë e 370 euro e 64 centë, pastaj për Lot VI (giashtë) shpallën fitues “KAG ASPHALT & BENI COM” e jo Operatorin Ekonomik “SALLAHU”, i cili kishte ofruar dëshmi të mjaftueshme konform kërkesave të DT dhe njoftimit për kontratë.
Po ashtu, për Lot VII (shtatë) të akuzuarit e lartcekur shpallën fitues “AL TRADE SHPK” & “SALILLARI” që kishin ofertuar me çmimin 7 milionë e 247 mijë e 86 euro e 87 centë, e jo Operatorin Ekonomik “KAG ASPHALT” & “BENI COM” që kishin ofertuar me çmimin 6 milionë e 147 mijë e 674 euro 16 centë, i cili ishte më i ulët për 1 milionë e 99 mijë e 412 euro e 71 centë, pastaj për Lot VIII (tetë) shpallën fitues Operatorin Ekonomik “JOOS KRASNIQI & PEVLAKU” që kishin ofertuar me çmimin 11 milionë e 913 mijë e 157 euro e 91 centë, e jo Operatorin Ekonomik “RSM COMPANY” & “BENITA COMPANY”, që kishin ofertuar me çmimin 11 milionë e 571 mijë e 113 euro e 42 centë, i cili ishte më i ulët për 342 mijë e 44 euro e 49 centë, ashtu që përfitimi në total i Operatorëve Ekonomik ishte 88 milionë e 618 mijë e 511euro e 95 centë, nga e cila shumë buxheti i Republikës së Kosovës, u dëmtua për 6 milionë e 200 mijë e 313 euro e 13 centë./Media Ndërtimi.