Dokumente dhe dëshmi të mbledhura nga BIRN tregojnë se tregu i fajdeve po lulëzon në vend dhe në të janë të përfshirë krimi i organizuar dhe politikanë të korruptuar.
Sipas raportit vjetor mbi gjendjen e kriminalitet në vend që Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela lexoi në Kuvendin e Shqipërisë të enjten, gjatë vitit 2021 u regjistruan 14 procedime për veprën penale të ushtrimit pa licencë të veprimtarive financiare, e cila përfshin dhe dhënien e parave me fajde.
Ekspertët theksojnë se fenomeni i dhënies së parave me fajde shkon pas dekada në Shqipëri dhe është sofistikuar me kalimin e kohës.
Artan Gjergji, ekspert i lartë mbi tregjet financiare dhe themelues i bursës së parë të letrave me vlerë në Shqipëri me kapital privat, shpjegon se shpesh qëllimi i grupeve kriminale që përfshihen në fajde është falimentimi dhe marrja nën kontroll i bizneseve huamarrëse.
“Vendosin norma interesi jashtë logjikës ekonomike, duke parashikuar falimentin e biznesit që po kërkon hua dhe marrin garanci biznesin,” theksoi Gjergji. “Qëllimi i tyre është të marrin biznesin, kur pronari nuk është në gjendje të kthejë huanë,” shtoi ai.
Bizneset i drejtohen tregut informal të fajdeve, sepse shpesh nuk arrijnë të plotësojnë kriteret e forta të bankave për kredimarrje ose kanë nevojë për qasje të shpejtë në likuiditet.
Një kontabiliste nga Tirana, e cila foli për BIRN në kushtet e anonimatit, tregoi se një klient i saj, i cili katër vjet më parë kishte hapur një biznes prodhues, ishte përballur një vit më parë me vështirësi dhe kishte marrë një hua me fajde me vlerë 80 mijë euro. Edhe pse ka paguar mbi 90% të kredisë, sipërmarrësi po përballet me kërcënime për jetën e tij dhe peripeci të mëdha.
Një notere që foli për BIRN në kushtet e anonimatit shpjegoi se çdo ditë në Tiranë, në një rrjet noterësh të besuar, nënshkruhen kontrata fajdesh që shkojnë nga 10 mijë euro deri në 1 milion euro.
“Këto akte noteriale ndodhin çdo ditë, në të gjithë Shqipërinë, por në masë bëhen nga noterët e besuar që quhen noterët e VIPA-ve,” shpjegoi ajo.
“Ne të tjerët i bëjmë vetëm me të njohur, sepse sipas ligjit, jemi objekt raportimi pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave,” shtoi noterja.
Një tjetër noter, i cili gjithashtu foli në kushtet e anonimatit për shkak të ndjeshmërisë së temës, shpjegoi se ndër aktet ditore që nënshkruajnë, 20 për qind të volumit të punës e kanë kontrata huaje. Ai evidentoi gjithashtu ekzistencën e një tregu të mirëfilltë investimesh me para informale, ku ndërmjetës janë noterët.
“Persona që disponojnë shuma të mëdha parash, që i kanë krijuar jo në rrugë ligjore dhe i kanë jashtë sistemit bankar, na drejtohen që t’u gjejmë biznese që ata të investojnë të paktën 20 për qind të kapitalit,” shpjegoi ai, ndërsa theksoi se preferojnë të investojnë në fushën e ndërtimit dhe energjetikës.
Noterët janë një nga profesionet e lira, subjekte të ligjit ‘Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit’ dhe janë të detyruar t’i raportojnë transaksionet e dyshimta në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Noterët janë një nga profesionet e lira, subjekte të ligjit ‘Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit’ dhe janë të detyruar t’i raportojnë transaksionet e dyshimta në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.
“Nëse ne nuk raportojmë transaksionet që na duken të dyshimta, gjobitemi 5 milionë deri 20 milionë lekë,” shpjegoi noterja, e cila shtoi se jo të gjithë kolegët janë të barabartë në këtë drejtim, pasi disa prej tyre ‘i kanë gjetur fijet”.
“Ne na mbetet të raportojmë vetëm emigrantët, që të shkretët kanë punuar një jetë të tërë për një shtëpi,” përfundoi ajo.
Të dhënat nga Drejtoria e Pastrimit të Parave tregojnë se në vitin 2021 për 12 noterë është marrë masë administrative gjobë në vlerën e 3,8 milionë lekëve. Tipologjia e kundravajtjeve administrative të konstatuara për subjektet noteriale konsiston kryesisht në shkelje për mosraportim të transaksioneve në para fizike mbi pragun ligjor të parashikuar nga ligji në fuqi dhe moszbatim i detyrimit për kryerjen e vigjilencës së duhur.
Ekspertët sugjerojnë se lufta ndaj tregut të paligjshëm të fajdeve mund të fitohet vetëm me zhvillimin e sektorit financiar të ligjshëm.