Me datë 11.01.2023, do të mbahet ligjërata e parë e modulit të dytë “Pikat më të Rrezikuara Mjedisore në Kosovë” në kuadër të Green School.
Kjo ligjëratë e titulluar “Eksploatimi i lumenjve/gurthyesit” do të ligjërohet nga Besnik Boletini dhe mbështetet nga Instituti Riinvest dhe KFOS.
Industria e ndërtimit në Kosovën e pasluftës u zhvillua hovshëm por kjo shkoi në dëm të lumenjve, prej nga u nxor rërë e zhavorr pa kritere, në sy të institucioneve.
Eksploatuesit ilegalë sot e dominojnë tregun e rërës dhe zhavorrit. Këta operatorë që veprojnë pa leje nuk respektojnë asnjë kriter gjatë nxjerrjes së rërës dhe zhavorrit dhe në këtë mënyrë kanë degraduar mijëra hektarë të shtretërve të lumenjve si dhe kanë ndryshuar edhe rrjedhën natyrale të këtyre lumenjve.
Sipas Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) në periudhën 2009 – 2014 janë evidentuar 178 operues ilegalë të cilët kanë kryer 207 operime ilegale. Por ky është vetëm numri i atyre që i ka evidentuar KPMM-ja, pasi që numri real i tyre është shumë më i madh.
Ndalja e operatorëve ilegalë që eksploatojnë rërë dhe zhavorr është shumë e vështirë për faktin se ka përzierje të kompetencave ndërmjet institucioneve dhe ka numër të vogël të inspektorëve.
Për me keq, Preportr ka gjetur se edhe këta inspektorë që aktualisht punojnë janë të lidhur me partitë politike, dhe janë zënë duke u bërë favore kompanive të ndryshme ose u kanë kërkuar ryshfet atyre.
Institucionet shtetërore janë dorëzuar para eksploatuesve ilegalë.
Drejtues të institucioneve dhe ish ministri i MMPH-së Dardan Gashi gjatë bisedës për Preportr e kanë pranuar se shteti në këto raste është treguar i pafuqishëm, duke u arsyetuar me faktin se operatorët ilegalë janë shumë të rrezikshëm dhe se kanë përdorur edhe armë kundër inspektorëve.
Një lajm i mirë që erdhi në fillim të vitit 2012 – se do t’u ndërpritet puna të gjithë eksploatuesve legalë dhe ilegalë – nuk solli efektin e dëshiruar.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndalim të kësaj veprimtarie në fillim u kundërshtua nga eksploatuesit, të cilët e dërguan rastin në gjykatë. Për vetëm disa ditë Gjykata Supreme mori vendim për pezullim të vendimit të qeverisë.
Megjithatë qeveria bashkë me organizata e individë që merren me mbrojtjen e mjedisit u ankuan në këtë gjykatë, gjë që rezultoi me revokim të vendimit të mëparshëm.
Ligjërata mbahet nga ora 17:30 në Institutin Riinvest në Prishtinë./Media Ndërtimi.