Banorët e mbetur në fshatin Shipitullë të Obiliqit, zonë me interes të veçantë për nxjerrjen e qymyrit në Kosovë, po kërkojnë që shtëpitë e tokat t’u shpronësohen dhe ata të zhvendosen nga jetesa afër ekskavatorëve.
Ekskavatorë dhe makineri të tjera të rënda, janë ndër gjërat e para që sheh Fatmir Mjekiqi në horizontin përballë shtëpisë së tij, ku jeton me familjen 7-anëtarëshe.
I lindur dhe rritur në fshatin Shipitullë, një zonë e pasur me qymyr, ai thotë se ndër vite i është dashur të shohë teksa tokat e pronat e gjithë fshatit shpronësohen për t’i lënë vend mihjes së qymyrit.
Ky qymyr përdoret nga ndërmarrja publike Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) për dy termocentrale që prodhojnë energji elektrike.
Hadja dhe Shipitulla, dy fshatra të Obiliqit, pjesa qendrore e Kosovës, ishin shpallur zona me interes të veçantë për zgjerimin e aktiviteteve minerare të Korporatës Energjetike të Kosovës në vitin 2004, për t’u rikonfirmuar edhe një herë në vitin 2009.
Sipas këtyre shpalljeve, në këto zona ishte ndaluar të bëheshin ndërtime të reja nga banorët, në mënyrë që të mos krijoheshin kosto shtesë të shpronësimit.
Prodhimi vendor i energjisë elektrike në Kosovë është në shumicë i varur nga puna e dy termocentraleve që gjenden në zonën e Obiliqit.
Ndërkaq, puna e termocentraleve varet nga mihja e qymyrit, që bëhet kryesisht në atë zonë.
Shpronësimi i pronave private për mihje bëhet nëpër faza disavjeçare, sipas nevojave të KEK-ut, me vendime nga disa institucione, përfshirë Qeverinë.
Rreth vitit 2017, mihja u zgjerua në zonën e Shipitullës fillimisht me shpronësim të tokave pa ndërtime.
Korporata Energjetike e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me ankesat e këtyre banorëve.
Por, në komunikata publike më 28 qershor dhe 2 korrik, KEK-u ka thënë se përvetësimi (shpronësimi) i tokës për nevoja xehetare bëhet vetëm “bazuar në planin xehetar dhe kornizat ligjore lidhur me të”.
As Qeveria e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve që kanë të bëjnë me ankesat e kërkesat e këtyre banorëve.
Nga mihja e qymyrit, banorëve të Shipitullës u është shpronësuar shumica e tokës bujqësore, duke i lënë vetëm rreth 50 shtëpi me oborre.
Kjo, siç thonë ata, ua ka pamundësuar të zhvillojnë bujqësinë e blegtorinë, nga të cilat vareshin financiarisht.
Në maj të këtij viti, fshatit Shipitullë i ishte mbyllur edhe rruga kryesore që e lidhte me qytetin e Obiliqit.
Sipas njoftimit publik të KEK-ut, kjo mbyllje ishte bërë “si pasojë e deformimeve të shfaqura në këtë segment dhe rrezikshmërisë për qarkullim të sigurt të komunitetit”.
Ata thonë se kanë siguruar një rrugë alternative për lidhjen e fshatit me Obiliqin, e për të cilën banorët ankohen se është disa kilometra më e gjatë sesa rruga paraprake.
Mihjen e zhurmshme dhe peshën e makinerive të rënda që nxjerrin qymyr e kishte ndier më së shumti shkolla e dikurshme e fshatit, që tani është mbyllur./Media Ndërtimi