Bartja apo rikthimi i kompetencave për mbrojtjen e pyjeve dhe licencimin e prerjes së pyjeve nga komuna tek Agjencia Pyjore e Kosovës ka qenë tema kryesore e diskutuar në një takim konsultativ për projektligjin për pyjet, organizuar nga Komisioni parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Takimi që mblodhi përfaqësues të komunave, të institucioneve përgjegjëse në nivel qendror dhe ekipin e programit të FAO-s për pylltari, kishte për qëllim diskutime shtesë rreth qartësimit të përgjegjësive dhe koordinim ndërinstitucional para se projekligji për pyjet të shkojë për lexim të dytë në Kuvend.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, Fitore Pacolli theksoi nevojën urgjente për përmirësimin e menaxhimit të pyjeve. Ajo tha se mungesa e zbatimit të ligjit dhe ndarja e kompetencave institucionale mes ministrive, komunave e organeve tjera ka kontribuar në gjendjen jo të mirë të pyjeve.
Që nga marrja e kompetencave për mbrojtjen e pyjeve gjatë viteve 2010-2012, komunat janë ballafaquar me vështirësi në realizimin e përgjegjësive, kryesisht në sigurimin e personelit profesional, mungesë të pajisjeve të duhura për punë dhe numër të vogël të rojeve të pyjeve, gjë që ka ndikuar në ngecje të shumta në zbatim të ligjit dhe vështirësi në koordinim ndërinstitucional.
Zëvendësministri i MBPZHR-së, Imri Demelezi shprehu gatishmërinë e MBPZhR-së për hartim të politikave adekuate për mbrojtjen e pyjeve në konsultim me palët e interesit. Ai tha se pyjet janë pasuri kombëtare dhe alternativë e rëndësishme për ngrohje, andaj trajtimi i tyre duhet të bëhet me kujdes.
Kryeshefi i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Bekim Hoxha duke folur për sfidat në menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, përmendi mungesën e inxhinierëve, inspektorëve e teknikëve të pylltarisë, mungesës së buxhetit si dhe kushteve për punë për rojet e pyllit.
Përfaqësuesit e komunave që ishin të pranishëm në këtë takim konsultativ u pajtuan për kthimin e kompetencave nga komunat tek Agjencia Pyjore e Kosovës.
Organizimi i takimit konsultativ mes komisionit parlamentar dhe pushteteve lokale për projekligjin për pyjet u mbështetë nga programi “Mbështetje në fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, që bashkëfinancohet nga BE dhe Ambasada e Suedisë në Prishtinë, ndërsa zbatohet nga FAO./Media Ndërtimi.