Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës së Prishtinës, ka përfunduar gjykimi në rastin ku ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Xhelil Bekteshi dhe zyrtari tjetër Besim Tahiri po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton Drejtësia Sot.
Bekteshi dhe Tahiri po gjykohen nën akuzën se gjatë vitit 2016 kishin keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të dhënies së një tenderi për rrugë një kompanie që kishte ofertuar me çmim më të lartë.
Në gjykimin e së martës, të udhëhequr nga gjyqtarja Fatime Dërmaku, është dhënë mbrojtja nga ana e të akuzuarve dhe është paraqitur fjala përfundimtare e palëve.
Gjatë mbrojtjes së tij, ish-sekretari i MI-së Xhelil Bekteshi, mohoi në tërësi akuzat për ndikimin e tij në këtë procedurë tenderuese.
Sa i përket ndryshimit të përbërjes së komisionit vlerësues, Bekteshi tha se kryetarja e komisionit, në këtë rast dëshmitarja E.A. ka kërkuar zëvendësimin e saj në këtë komision për shkak të arsyeve personale.
Përveç tjerash, ai theksoi se gjatë gjithë punës së tij ka respektuar hierarkinë e ministrisë dhe se asnjëherë nuk ka pasur kontakt për protokollim të ndonjë vendimi me zyrtaren V.R., ashtu siç thuhet në aktakuzë.
Akuzat e prokurorisë i mohoi edhe i akuzuari tjetër Besim Tahiri, i cili në periudhën kritike ishte udhëheqës i divizionit të prokurimit në MI. Ai potencoi se procedura tenderuese në këtë rast është zhvilluar në harmoni me Ligjin e Prokurimit Publik dhe legjislacionin tjetër përkatës.
Ndër të tjera, Tahiri deklaroi se në asnjë mënyrë dhe asnjëherë nuk ka ndikuar tek anëtarët e komisitonit vlerësues që të rekomandojnë ndonjë operator ekonomik të caktuar si më të përgjegjshëm.
Sipas aktakuzës, thuhet se Xhelil Bekteshi kishte obliguar zyrtaren V.R, që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23.05.2016 në vend të datës së vërtetë 26.06.2016. Sipas aktakuzës ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu” i cili ishte me çmim të lartë 991,418.19 euro, ndërsa operatorit tjetër ekonomik i cili kishte ofruar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.
I pandehuri Besim Tahiri, akuzohet se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në MI, kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit E.A që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.
Sipas pretendimit të prokurorisë, Besim Tahiri e kishte obliguar E.A që të paraqes kërkesë me shkrim për tërheqje nga komisioni, në mënyrë që të bëhej ndryshimi i vendimit të marrë dhe tenderi t’i jepej operatorit ekonomik “Sallahu” edhe pse kishte çmim më të shtrenjtë.
Ndërsa, sipas aktakuzës së njëjte, Naim Sallahut i vihet në barrë vepra penale “falsifikim të dokumentit”, pasi që i njëjti me rastin e paraqitjes së ofertës në MI lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale, kishte paraqitur dokument të falsifikuar tatimor kinse ka kryer obligimet ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
Mirëpo procedura ndaj tij ka përfunduar për shkak të arritjes së marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë, me të cilën ai është dënuar me 6 muaj burgim e që më pas iu është zëvendësuar me gjobë./Media Ndërtimi.