Gjykata e Apelit të enjten ka vërtetuar edhe vendimin mbi konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale ndaj të akuzuarve Haliti, Canolli dhe Shala, të cilëve iu janë konfiskuar automjete të llojeve të ndryshme dhe një banesë në lagjen “Kalabria”.
Fillimisht, në gjykimin e parë, Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 prill 2018, të akuzuarin Haliti e kishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim, për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe me 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje, duke iu konfiskuar edhe vetura dhe para në shumën prej 11.000 euro si dhe një pistoletë.
Skënder Canolli për keqpërdorim të pozitës zyrtare ishte dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim si dhe me 1,000 euro gjobë për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për drejtësi”.
Atij i ishte konfiskuar makina e tipit “Passat” dhe 10,000 franga zvicerane.
Inspektorja Blerina Syla ishte dënuar me 2 vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Vehbi Abdullahu, gjithashtu me 2 vjet burgim, Blerim Ibishi me 2 vjet, Mergim Shala, me 2 vjet dhe gjithashtu i ishte konfiskuar banesa në lagjen “Kalabria”, derisa Drita Rukiqi ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj, Arbenita Ajeti 1 vit e 6 muaj, Ardian Muhadri me 1 vit burgim, dhe Granit Cenaj 1 vit burgim.
Kurse, afaristi Qemajl Pozhegu, ishte dënuar me 20,000 euro gjobë për falsifikim të dokumenteve.
Të pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, avokatët mbrojtës të të gjithë të akuzuarve ishin ankuar në Apel, duke atakuar kështu aktgjykimin e Themelores nën pretendimet se ka shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal si dhe në lidhje me vendimin për sanksionin penal.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzë më 12 qershor të vitit 2015 me pretendimin se të pandehurit Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.
Të njëjtit akuzohen se nuk i kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina, “Tregtia”, Shefik Rexhepi “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”.
Tutje, të akuzuarit ngarkohen se nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e këtyre objekteve./Media Ndërtimi.