Në kuadër të projektit FLOWS, është mbajtur punëtoria: “Analiza e formave të mundshme të shkatërrimit të Digave ekzistuese në Kosovë, vlerësimi i tyre dhe planet e veprimit për rritjen e sigurisë së Digave.”
Moderuar nga ekspertë të fushës nga Shqipëria, e ku pjesëmarrës ishin përfaqësues të MMPHI-së, komunave, operatorëve të digave dhe Bankës Botërore, u diskutua në hollësi për çështjet e sigurisë, përmirësimin e operimit dhe nevojën për rehabilitimin dhe avancimin e sistemeve të monitorimit të gjashtë digave ekzistuese në Kosovë, përkatësisht digat e Batllavës, Badovcit, Përlepnicës, Radoniqit, Ujmanit dhe Livoçit.
Në takim u identifikuan sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet sot Kosova sa i përket sigurisë së digave ekzistuese, rrjedhimisht u dhanë rekomandime specifike për përmirësimin e sigurisë, monitorimit e mirëmbajtjes së digave si dhe rritjen e kapaciteteve ujore, që do të kontribuonin për furnizimin me ujë të popullsisë së Kosovës, në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore.
ARPL, si Autoriteti kryesor në MMPHI për menaxhimin e ujërave, ka ndërmarrë disa hapa konkret në këtë drejtim, si: themelimin e njësisë së digave duke rekrutuar ekspert (senior dhe junior) për menaxhimin dhe operimin e digave, inicimin e sistemin e monitorimit për digat ekzistuese, propozim projektin për sistemet e alarmeve automatike dhe moderne në këto diga dhe iniciativa të ngjajshme.
Gjatë punëtorisë, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu theksoi se siguria e digave ka rëndësi të veçantë për jetën e popullatës, aktivitetet ekonomike që shfrytëzojnë ujin e akumulimeve të këtyre digave, e marrë parasysh këtë, duhet konsolidim institucional i mëtejshëm për përmirësimin substancial të sigurisë së digave ekzistuese me ç’rast do të mundësohet shfrytëzimi optimal i tyre.
Këto vepra hidroteknike për nga pikëpamja financiare, janë me kosto të lartë për një vend të vogël si i yni dhe kjo do të thotë që duhet të vlerësojmë dhe mirëmbajmë shumë mirë digat ekzistuese që i kemi, rrjedhimisht veprimet të cilat duhet të ndërmerren nga institucionet përgjegjëse në kuptimin ligjor dhe institucional, dhe veprimet teknike të nevojshme për rehabilitimin dhe për monitorimin e digave përfshijnë:
✅ Vendosja e instrumenteve të duhura të monitorimit në trupin e digave.
✅ Instalimi i sistemeve të alarmit.
✅ Certifikimi i sigurisë së digave, si dhe
✅ Përpilimi i rregullave, standardeve teknike dhe planeve të sigurisë së digave./Media Ndërtimi.