Është një copë toke mbi një hektar. I takon ndërmarrjes shoqërore “Slloga”. Para luftës ishte e destinuar për ndërtim, por dikush e shndërroi në tokë bujqësore. “Po duan që ta privatizojnë për një euro arin…e pastaj dikush ta shet 100 mijë një ari”, denoncon publikisht avokati që i përfaqëson ish-punëtorët e kësaj ndërmarrje. Insajderi sjell detaje nga zhvillimet për këtë ndërmarrje që sipas avokatit në këtë rast janë të përfshirë AKP-ja, Gjykata e Komuna e Fushë Kosovës.
Ish-kryesuesi i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimi (AKP), Blerim Rexha tri vite më parë ishte bërë lajm nacional me një deklaratë.
Pesë mijë ari tokë janë shitur nga një euro ari. E kam kundërshtuar këtë proces të privatizimit me këtë çmim mjaft të ulët. Ndërsa, në bord anëtarët me thoshin, ‘po të dhimbset toka e Kosovës?’. Andaj, kjo ka qenë një ndër arsyet e dorëheqjes”, pati deklaruar ai parak një komisioni hetimor të Kuvendit të Kosovës për privatizimet.
“Historia mund të përsëritet”, druan avokati Vehbi Halili i cili përfaqëson ish-punëtorët e ndërmarrjes shoqëror “Slloga”, me të cilët ka nisur një betejë ligjore, siç thotë ai, për të parandaluar një veprim të ngjashëm të AKP-së.
Toka për të cilën ai dhe ish-punonjësit e “Sllogës” po shtyhen nëpër gjykata me AKP-në gjendet në Fushë Kosovë, afër ndërtesës së kësaj komune.
Është një copë toke prej një hektarë e tetëmbëdhjetë ari. Siç thotë ai, tash iu ka mbetur vetëm përdorimi i atyre që quhen mjete të jashtëzakonshme në Gjykatën Supreme, që të mos lejohet që edhe kjo tokë të shitet lirë.
Nga tokë ndërtimore, në bujqësore – kush e bëri ndryshimin?
“Po duanë që ta shesin me një euro arin. Ndoshta edhe dy euro. Diçka që e kemi parë edhe më herët dhe pse gjykata po kërkon të provohet kjo, tashmë ky është fakt i njohur”, thotë avokati i ish-punonjësve të “Slloga”, Vehbi Halili në një prononcim për Gazetën Insajderi.
Ai ka treguar se kur u autorizua nga ish-punonjësit e kësaj ndërmarrje që të mbronte pronë e saj në Fushë Kosovë, gjeti që para luftës së fundit të vitit 1999, kjo tokë ishte e destinuar si tokë ndërtimore- që rrjedhimisht ia shton vlerën.
Me datë 6 shtator 2023, në Dhomën e Posaçme u deponua një propozim për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit lidhur me ndalesën dhe shitjen e pasurisë së patundshme nga neni 297, 306 lidhur me nenin 304 të LPK-së.
“Në këtë propozim theksohet se asetet e ndërmarrjes “Slloga” në Fushë Kosovë janë definuar për shitje si tokë bujqësore nga AKP, vendim ky i cili është në kundërshtim me provat materiale, të cilat i posedojnë punëtorët e kësaj ndërmarrje p.sh., nga vendimi i ashtuquajturit (iratit) d.m.th. tokës nga Komuna e Prishtinës në OSH “Slloga”, në Fushë Kosovë, i datës 1 gusht 1989 e regjistruar me datë 17 nëntor 1989, Akti i quajtur “Spisak Promena” për vitet 1989-1996, Komuna Kadastrale në Fushë Kosovë, vendimi nr. 452 dhe shenja 16369/21 i datës 15 shkurt 2012 në të cilin vendim shihet se të gjitha parcelat e O.SH “Slloga” në Fushë Kosovë janë toka ndërtimore si dhe libri nga arkivi i vitit 1966”, thuhet në padi.
Këto parcela të cilat tashmë i disponon AKP, sipas padisë “pas lufte ishin regjistruar si toka bujqësore e jo siç kanë qenë toka ndërtimore në bazë të provave të i posedonte Agjencioni Kadastral i Fushë Kosovës, e një pjesë e konsiderueshme i mban të uzurpuara Komuna e Fushë Kosovës e qëllimi i tyre dhe i AKP-së është ndërrimi i destinacionit nga toka ndërtimore në tokë bujqësore, pra shitja si tokë bujqësore”./Media Ndërtimi