Në oborrin që ka nisur të baltoset nga moti i lagësht, Naser Abazi ka rregulluar një strehë të improvizuar për ta ruajtur qymyrin, që e përdor për ta ngrohur shtëpinë.
I lindur dhe rritur në Obliq, rreth 11 kilometra larg Prishtinës, 56-vjeçari thotë se është i mësuar me erën e rëndë që e lëshon djegia e qymyrit.
Shtëpia e tij njëkatëshe gjendet disa metra larg termocentralit Kosova B – njërit prej dy termocentraleve që ka Kosova për prodhim të rrymës.
Këto termocentrale funksionojnë duke djegur qymyr – për çka konsiderohen edhe si ndotës të mëdhenj të ajrit në Kosovë.
Gjatë stinës së dimrit, sidomos, ndotja arrin nivele të larta, pasi edhe një numër qytetarësh përdor njësoj qymyr, apo dru e pelet për ngrohje.
Përdorimi i këtyre lëndëve pritet të rritet këtë sezon, për shkak të pasigurisë energjetike.
Qeveria e Kosovës, ka muaj, që u bën thirrje qytetarëve që ta kursejnë rrymën dhe të gjejnë alternativa të tjera për ngrohje.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Abazi thotë se ka bërë disa përgatitje për këtë dimër.
“E kam marrë një kamion të vogël me qymyr dhe nuk e di nëse do të mund ta kaloj dimrin. Ndodh që duhet ta marr edhe një kamion [tjetër] të vogël”, thotë ai, duke treguar se kjo sasi i ka kushtuar 100 euro.
Përveç qymyrit, Abazi thotë se ka blerë edhe 10 metra dru.
Si pasojë e krizës energjetike që ka përfshirë Evropën, autoritetet e Kosovës nuk kanë dhënë asnjë garanci se do të ketë furnizim të rregullt me rrymë gjatë dimrit.
Kjo, si për shkak të kapaciteteve jo të mjaftueshme të prodhimit, ashtu edhe për shkak të çmimeve të larta të importit.
Abazi shprehet i shqetësuar se rritja e përdorimit të qymyrit mund t’i kushtojë familjes së tij me shëndet.
“Na pengon boll [era e qymyrit], thonë se është kancerogjen. Unë po e shoh vetë që po më pengon, ose fëmijët e vegjël [nipërit e mbesat] po i pengon. Mjegulla kur bëhet këtu, nga një javë nuk hiqet”, thotë Abazi.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2021, mbi 50 për qind e amvisërive kanë përdorur dru zjarri dhe pelet për ngrohje. Pjesa tjetër ka përdorur rrymë dhe rreth 1 për qind qymyr.
Për këtë vit, nuk ka ende të dhëna publike për nivelin e përdorimit të qymyrit në amvisëri.
Një shitës i kësaj lënde në një fshat të Obiliqit tregon për Radion Evropa e Lirë se ka pasur shitje për konsumatorë të shumtë nga Prishtina, e madje edhe nga Prizreni e Peja – qytete më të largëta nga Obiliqi.
Përveç termocentraleve dhe ngrohjes nga amvisëria, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit e Kosovës thotë se ndotje në ajër shkaktojnë edhe makinat, sidomos ato më të vjetra që shpenzojnë më shumë naftë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, nga dhjetori i vitit 2021, në Kosovë janë të regjistruara gjithsej 395.840 vetura. Prej tyre, vetëm 74 janë 100 për qind elektrike, që nënkupton se kanë ndotje zero ndaj ambientit./Media Ndërtimi.