Kosova vlerësohet se ka resurse të kufizuara të ujit, por edhe ato, sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), janë keqshfrytëzuar dhe ndotur.
Në raportin “Ndikimi i Shfrytëzuesve të Rërës dhe Zhavorrit në Gjendjen Mjedisore të Lumenjve”, i publikuar në muajin gusht të këtij viti, AMMK-ja ka konstatuar se shumica e lumenjve të Kosovës janë shkatërruar në atë masë, saqë riparimi i dëmeve është i pamundur.
“Shfrytëzimi i inerteve të lumenjve i ka kaluar të gjitha limitet e mundësisë natyrore që lumenjtë të kthehen në gjendjen e mëparshme”, thuhet në raport.
Shkatërrimi i shtretërve të lumenjve, sipas raportit, ka nisur në masë të madhe nga viti 1999.
“Lumenjtë tanë, pas vitit 1999 e këndej, pa përjashtuar të kaluarën e mëparshme, i janë nënshtruar një presioni të vazhdueshëm të eksploatimit dhe shfrytëzimit nga personat fizikë dhe juridikë [operatorët ekonomikë]”, thekson raporti.
Sipas tij, më i shkatërruari nga nxjerrja e zhavorrit rezulton të jetë lumi më i gjatë në Kosovë, Drini i Bardhë, prej 112 kilometrash.
Radio Evropa e Lirë, më 16 shtator, ka vizituar këtë lumë në pjesën ku është më së shumti i dëmtuar – në afërsi të fshatit Krushë e Prizrenit.
Aty shihen shenja të makinerisë së rëndë, grumbuj zhavorri, gropa gjigande të shkaktuara nga nxjerrja e zhavorrit, si dhe dhjetëra makineri të tjera që përdoren për të thyer gurët për zhavorr.
Nxjerrja e zhavorrit nga lumenjtë është e ndaluar që nga viti 2016 përmes një Udhëzimi Administrativ. Por, pavarësisht kësaj, kamionët dhe ekskavatorët mund të shihen në afërsi të shtratit të Lumit Drini i Bardhë.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë ka provuar të flasë me banorët e fshatrave që jetojnë buzë shtratit të këtij lumi, por ata kanë thënë se “nuk duan që të kenë punë me kompanitë që merren me nxjerrjen e zhavorrit”.
Shkelja e ligjit “në sy të shtetit”Ligji për Ujëra në Kosovë përcakton që nxjerrja e zhavorrit nga operatorët e licencuar është e ndaluar më afër se 150 metra prej shtratit natyror të lumit.
Por, shumica e kompanive që merren me nxjerrjen e zhavorrit në fshatin Krushë e Prizrenit, kanë hapur gropa vetëm pak metra larg shtratit natyror të Drinit të Bardhë.
Aktivistja mjedisore, Egzona Shala – Kadiu, thotë se degradimi i lumenjve ka ndodhur me vite, sepse përgjigjja institucionale, sipas saj, ka qenë e zbehtë.
Përpos Drinit të Bardhë, degradim nga aktivitetet e nxjerrjes së zhavorrit dhe nga ndotja e pakontrolluar kanë pësuar edhe Lumbardhi i Pejës, Lumëbardhi në Deçan, Ibri, Sitnica, Ereniku, Krivareka, Desivojca, Shipashnica, si dhe disa lumenj më të vegjël.