Infrastrukturë
Dokumentet e historisë së Kosovës ruhen në një institucion të neglizhuar
Published
1 year agoon
Brenda një ndërtese të socializmit realist afër rrugës “B”, dikur periferi e Prishtinës, e sot zonë urbane, qëndron një thesar i çmuar me dokumente që rrëfejnë historinë e Kosovës. Nëpër korridore e zyra të ndërtesës sillen e punojnë njerëz që mbajnë mantele të bardha, syze e maska kundër pluhurit dhe dorëza të bardha.
Pas dy dyersh të qelqta, gjendet Arkivi i Kosovës, apo siç quhet zyrtarisht “Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës”.
Dokumentet që ruhen aty datojnë prej një dorëshkrimi të një fjalori persisht-arabisht, i vitit 1437. Bashkë me të, një dokument osman origjinal i vitit 1608 rrin si pararojë e shumë vendimeve, procesverbaleve, diplomave të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore, që përshkojnë historinë deri në ditët e sotme, me dokumentet e punimeve për Kushtetutën e Kosovës. Aty ruhen edhe dokumente personale të qytetarëve, të lëshuara nga institucionet shtetërore.
Në institucionin që arkivon historinë, vitet që kalojnë kanë lënë gjurmë gjithkund. Mermeri i vjetër i shkallëve ka zënë të shlyhet. Njëjtë kanë zënë të shlyhen edhe mbështetëset e drunjta përgjatë shkallëve ku mbahen njerëzit që lëvizin lart e poshtë përgjatë katër kateve.
Disa emërtime të zyrave dhe sallave, si në rastin e bibliotekës së Arkivit, s’janë ndërruar që nga 25 maji i vitit 1977, kur u hapën dyert e këtij objekti.
Po atë vit, gazeta “Rilindja” njoftonte hapjen e këtij objekti 7,200 metër katrorë, e që për herë të parë do të kishte laboratoriumin për konservim, mikrofotografimin, restaurim dhe laminim të dokumentave të dëmtuara. Do të kishte edhe libërlidhjen dhe shtypshkronjën off-set, sallën për simpozium e edhe sallën për ekspozita. Në artikullin e “Rilindja” si drejtor i arkivit atëbotë përmendet historiani Ismet Dërmaku, i cili po atë vit botoi librin “Arkivi i Kosovës”.
I themeluar në vitin 1951 si “Arkivi Shtetëror Krahinor i Kosovës”, puna kishte nisur në vitin 1948, pas Luftës së Dytë Botërore nën emrin “Qendra Arkivore”. Ndonëse dikur objekti i sotëm strehonte vetëm Arkivin, sot akomodon edhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës.
Depot në mëshirë të fatit
Zelije Shala është udhëheqëse e Divizonit të Thesarit – depos së Arkivit. Edhe pse nuk e ka njohur historianin e ish-drejtorin e Arkivit, Ismet Dërmaku, Shala thotë se çka ka bërë ai, ashtu ka mbetur.
“Me meritën e tij e kemi këtë muze, edhe shumë prej investimeve të asaj kohe ende na shërbejnë”, thotë Shala, të cilës i qëndron në krah punëtori i depos, Nexhat Sertolli.
Të dy nuk ndalen së rendituri dokumente, teksa disa tjera i shpalosin për t’i dërguar në përpunim e hulumtim nga palët që vijnë për t’i kërkuar. Sipas përllogaritjeve të tyre, në Arkiv janë 4.5 kilometra lineare me dokumente.
Përpara se të mbërrijnë dokumentet në Arkiv, ato kalojnë nëpër duar të ndryshme. Institucionet e kanë obligim që më së largu pas 30 vitesh t’i dorëzojnë dosjet aty. Mirëpo, pos dosjeve të institucioneve shtetërore, në rafte të arkivit gjen edhe dosje personale, që i kanë dorëzuar qytetarët në baza vullnetare dhe mund të kenë vlerë si të arkivuara. Lënda që mbërrin në arkiv, shqyrtohet në bazë të vitit e jetëgjatësisë, e më pas futet në fashikuj ose pako, të cilat klasifikohen në vite, njësi pas njësie. Në fund sistematizohen alfabetikisht, duke i futur në dollapë sipas shkronjës së parë dhe vitit.
Këto dokumente të arkivuara nuk ruhen në kushtet e duhura fizike. Hapat e punëtorëve korridoreve të ngushta mes rafteve që mbajnë shumë pako të mbushura me letra trazojnë pluhurin e shtresuar. Mirëmbajtësit nuk e vizitojnë sa duhet e edhe kur e vizitojnë nuk i kanë kushtet e duhura për pastrim të pluhurave në arkiv. Solucionet që fshijnë pluhurat e shtëpive nuk kryejnë punë për këta pluhura. Kështu, pluhuri endet lirshëm nëpër kate prej vitit 2020 kur dyert e mëdha të secilit kat u hoqën, për t’u lënë vend të rejave, që nuk erdhën kurrë.
Kati i parë dhe disa pjesë të kateve tjera u ngjajnë shtëpive që nisin e renovohen, por lihen në gjysmë. Në katin e parë, para tri vitesh, është ndërtuar edhe dhoma “super sekrete”, me grila e me sistem kundër-reaktiv që të ruhen dokumentet shumë të rëndësishme të shtetit. Sot ajo dhomë nuk ka çfarë sekreti të ruajë sepse është e zbrazët.
Shumica e rafteve në këtë Arkiv janë të vjetër, nga ata që zënë vend më shumë, ndërsa raftet e reja enden shinave për ta bërë përdorimin e hapësirës më efikase. Dritat e reja që janë vënë janë nga ato të ftohtat “LED”, që vrajnë sytë e fshijnë shkronjat.
“Dritat duhet të jenë të veçanta,” tregon Shala. “Ato nuk duhet të përhapin rrezatim të fortë sepse zbehin ngjyrën e shkronjave në dokumente të vjetra. Tash kur ne hapim një raft dhe punojmë në të për ta sistemuar e për ta rregulluar, ndodh të jetë i hapur deri në një orë. Kështu po fshihen shkronjat, na ka ndodhur qe disa herë”.
Kur ishte ndërtuar objekti i Arkivit në vitin 1977, ishte pajisur me sistemin e ngrohjes dhe ftohjes dhe me sistemin e ajrosjes natyrale. Brenda hapësirave ku ruhen dokumentet, temperatura duhet të jetë prej 18 deri 21 gradë, pavarësisht temperaturave jashtë. Por, sistemi i vjetër që është çmontuar qe dy vjet nuk është zëvendësuar ende.
Autor: Uran Haxha
Fotografia: Majlinda Hoxha/K2.0
Artikulli është publikuar në Kosovotwopointzero.
You may like
-
“Kulla s’asht cool”-qytetarët e Shkodrës po protestojnë kundër ndërtimit të objektit 35 katesh
-
Si Vladimir Putin krijoi një ‘flluskë’ të pasurive të paluajtshme
-
Kinezët dhe turqit “gëzojnë” koncesionin e bakrit në Shqipëri
-
Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?
-
Një autostradë dixhitale do të ndërtohet mes Tokës dhe Hënës
-
Develon prezanton ekskavatorin tunelues DX235RTF-7
Infrastrukturë
“Kulla s’asht cool”-qytetarët e Shkodrës po protestojnë kundër ndërtimit të objektit 35 katesh
Published
4 months agoon
July 25, 2024Ndërtimi i kullës 35 katëshe ‘Hotel Rozafa Tower’ në Shkodër mblodhi në protestë dhjetra qytetarë dhe aktivistë.
Kulla është një investim privat që do të ndërtohet përbri pallatit ekzistues Rozafa, nga “Uldedaj Group”, i zbatuar nga një studio spanjolle.
“Të vendosur përpara një fakti të kryer në një kohë kur për projekte kaq të mëdha duhen dëgjesa publike; të shqetësuar për dëmin urban dhe arkitekturor që kjo kullë paralajmëron ti kanosë Shkodrës; të indinjuar nga mosrespektimi nga ana e institucioneve i të drejtës sonë për qytetin dhe hapësirës që jetojmë vendosëm të marshojmë sot bashkë me ju kundër betonizimit të qytetit për të thënë: Jo kullave!“ – u shpreh aktivisti Amel Pervizi.
Sipas qytetarëve, zhvillimi i qytetit nuk vjen përmes kullave, ndërsa ky investim bie në kundërshtim me planin e përgjithshëm vendor të qytetit.
„Projekti i ri ka jo më pak se 43 mijë metër ndërtim të ri. Intensiteti I ndërtimit nga 4 që është i lejuar në planin e përgjithshëm vendor, shkon në 8.2, pra dyfishohet. Numri I lejuar i kateve nga 7 kate të lejuara shkon në 35, pra pesëfishohet. Lartësia në metra nga 29.8 metra e lejuar shkon deri në 100 metra lartësi. Parametër i cili trefishohet. Sa I përket distancave, kjo godinë me këtë lartësi duhet të mbajë jo më pak se 36 metër distancë nga kufiri i saj i pronës. Gjë që nuk mund ta realizojë dot”,-u shpreh urbanisti Imeldi Sokoli.
Ata theksuan se Shkodra ka nevojë për hapësira dhe investime publike dhe jo shëmbëlltyrë e “kryeqytetit rilindas”.
“Sot ne jemi të thirrur për ti dalë zot qytetit tonë, bukurisë së qytetit tonë, kulturës së qytetit tonë, historisë dhe trashëgimisë kulturore. Në 11 vite, kjo qeveri nuk solli asnjë investim për Shkodrën. Shkodra ka nevoja të mëdha, Shkodra ka objekte, monumente kulture që po bien brenda. Shkodra nuk ka nevojë për kulla, Shkodra ka nevojë për zhvillim dhe nëse flitet për inovacion, inovacioni nuk është një kullë e ndërtuar dhe e sjellë këtu jashtë të gjitha kritereve dhe jashtë të gjitha ligjeve. Ne nuk duam dhe nuk pranojmë betonizimin e Shkodrës“, -u shpreh Eliona Shkreli, anëtare e këshillit bashkiak Shkodër.
Mes thirrjeve „Stop betonizimit“ dhe “Kullat janë pastrim parash” qytetarët marshuan nga busti i Luigj Gurakuqit drejt godinës së bashkisë Shkodër, ku kërkuan realizimin e dëgjesave publike dhe konsultimeve me grupet e interesit.
“Një nga kompanitë, pjesë e Rozafa Group që do të investojë për kullë, sinjalizohet me shkresë për mos shlyerje të detyrimeve tatimore me vlerën 970 mijë euro. Nëse mbledhim fitime te deklaruara të këtij grupimi nuk arrijnë të shlyejnë as taksën e ndërtimit prej 8% ndaj bashkisë Shkodër, nëse ky investim prej 30 milionë eurosh realizohet. Si thoni ju a është me të vërtetë kjo kompani pas këtij ndërtimi? Zhvillimi duhet bërë duke ndjekur planin urbanistik të qytetit, duke bërë transparencë dhe duke u konsultuar”, – u shpreh Amel Pervizi./Media Ndërtimi
Infrastrukturë
Si Vladimir Putin krijoi një ‘flluskë’ të pasurive të paluajtshme
Published
4 months agoon
July 25, 2024Çmimet janë rritur me 172% në qytetet më të mëdha të Rusisë gjatë tre viteve të fundit.
Hipotekat dikur ishin të papranueshme në Rusi. Dekada të propagandës sovjetike, e cila e denoncoi kredinë si një barrë të padurueshme, patën efekt.
Edhe pas përfundimit të komunizmit, rusët ende i referoheshin hipotekave si “skllavëri borxhi”, duke preferuar të kursenin derisa të mund të blinin shtëpitë e tyre. Vladimir Putin, presidenti i vendit, ka kaluar dy dekada duke u përpjekur të bindë qytetarët e tij, që të kenë një tjetër pikëpamje.
Në vitin 2003, gjatë mandatit të tij të parë, ai shpjegoi se hipotekat mund të ndihmojnë në zgjidhjen e “problemit akut të strehimit”, me të cilin përballen rusët. Lutja e tij ra në vesh të shurdhër.
Ai tani duket se ka më shumë sukses. Gjatë viteve të fundit, numri i rusëve që marrin hipoteka është rritur, për shkak të një programi bujar të subvencioneve shtetërore për blerësit e apartamenteve të reja. Por, shpërndarja e subvencioneve të shtetit ka nxitur një treg shumë ‘të nxehtë’ të pronave, duke i rritur çmimet e banesave.
Në vitin 2020, kur Rusia u mbërthye nga Covid-19, zyrtarët rritën ndihmat për ata, që blinin prona të sapondërtuara në një përpjekje për të forcuar ekonominë. Në fillim, bankat u ofruan aplikantëve për hipotekë një normë preferenciale prej rreth 6%, afërsisht dy pikë përqindje nën normën e tregut, dhe shteti paguante diferencën.
Zbritje të ngjashme, të cilat më parë ishin në dispozicion vetëm për familjet, iu ofruan më pas punëtorëve dhe njerëzve, që zhvendoseshin në vende duke përfshirë Arktikun, Siberinë dhe Ukrainën e pushtuar.
Megjithatë, vëllimet e hipotekave nuk filluan të rriteshin vërtet, derisa ekonomia e Rusisë shkoi në gjendje lufte. Bankat lëshuan kredi hipotekore me vlerë 7.7 trilion rubla (88 miliardë dollarë, ose 4% e PBB-së) vitin e kaluar, nga një total prej 4.3 trilionësh në vitin 2020. Shumica u mbështetën nga subvencione.
Kjo pasqyron faktin se rusët nuk kanë mundësi investimi: sanksionet rëndojnë mbi bursën dhe kontrollet e monedhës e bëjnë të vështirë lëvizjen e parave jashtë vendit. Inflacioni, i cili u ngrit përsëri në mesin e vitit 2023, ka luajtur gjithashtu një rol.
Kur Banka Qendrore e Rusisë (CBR) filloi të rriste normat e interesit, interesi për skemën u rrit. Ndërsa CBR ngriti normën e saj bazë në 16%, qeveria e mbajti normën e saj preferenciale të ulët, duke e rritur atë në vetëm 8%. Në qershor kishte një hendek prej më shumë se dhjetë pikë përqindjeje midis normës së qeverisë dhe normës së tregut për një hipotekë.
Në fillim të këtij muaji ajo i dha fund skemës së saj më të njohur, e cila ishte për blerësit e ndërtesave të reja. Numri i hipotekave të reja mund të bjerë me rreth 50% në gjysmën e dytë të vitit.
Industria e ndërtimit të Rusisë do të vuajë si rezultat. Kështu do të bëjnë bankat, të cilat kanë gëzuar fitime rekord të nxitura nga rritja e shpejtë e portofolit të hipotekave. Për momentin, megjithatë, tregu i banesave duket se do të arrijë të shmangë një kolaps.
Vasily Astrov i Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, thotë se “ngadalësimi dhe ndoshta stanjacioni” ka më shumë gjasa sesa një rënie e madhe e çmimeve.
Ekonomia e luftës e Rusisë, e cila ka parë rritje të shpejtë të pagave këtë vit, mund të jetë ende në gjendje të mbajë një treg të fortë pronash, edhe kundrejt normave më të larta dhe mbështetjes së pakësuar të shtetit./Media Ndërtimi
Infrastrukturë
Kinezët dhe turqit “gëzojnë” koncesionin e bakrit në Shqipëri
Published
4 months agoon
July 25, 2024Fabrika e përpunimit të bakrit në Fushë Arrëz iu dha me koncesion për 30 vite një kompanie turke. Ishte viti 2001 kur shteti shqiptar firmosi marrëveshjen koncesionare. Shumë shpejt në lojë hynë edhe partnerët kinezë. Periudha e artë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën u ndërpre rreth viteve 80-të, për t’u rivendosur sërish me ardhjen e demokracisë.
Përmes një operacioni financiar të zhvilluar në Turqi, ata morën nën zotërim pjesën më të madhe të rezervave shqiptare të bakrit, të cilat kaluan në pronësi të gjigantit botëror të minierave, kompanisë kineze “Jiangxi Koper”, shkruan citizens.al.
Ata blenë 48% të aksioneve të kompanisë “BerAlb” e cila zotëronte për 30 vite koncesionin e bakrit në vendin tonë, duke përfituar të drejtën për të administruar dhe shfrytëzuar minierën e bakrit Munellë, minierën e bakrit Lak-Rosh, minierën e bakrit Karmë, fabrikën e pasurimit të bakrit Fushë-Arrëz dhe të Mjedës si dhe impiantin e fraksionimit të skorieve të bakrit në Shëngjin.
Me një kapital fillestar prej vetëm 30 mijë USD ose 47 Milionë lekë, kjo kompani e ka zgjeruar kapitalin e saj çdo vit, ndërsa aktualisht deklaron një kapital prej 7.7 miliardë lekësh.
Pavarësisht rritjes së kapitalit, kompania deklaron se del vazhdimisht me humbje.
Megjithëse deklaron bilance negative, në vitin 2017 kompania nënshkroi një tjetër marrëveshje me shtetin shqiptar duke e shtyrë koncesionin edhe me 10 vite . Pra koncesioni i bakrit dhënë Turqisë dhe Kinës do të jetë në fuqi deri në vitin 2043. Ekspertët sugjerojnë se zgjatja e afatit duhet të ishte ballafaquar me performancën ekonomike, rritjen e niveli të mirëqënies së zonës si dhe ruajtjen e mjedisit./Meda Ndërtimi