E pandehura Rrezarta Metaj, themeluese e zyrës së përmbarimit “Metaj Law”, në Prishtinë, më datë 17.11.2017, me qëllim që vetes dhe të pandehurit Muharrem Ahmeti (pronar i kompanisë NTP “Tricom”) t’i sjell pasuri të kundërligjshme, ka nxjerrë urdhër përmbarues duke u mbështetur në përmbajtje të pavërtetë.
Përmes këtij urdhëri, Dogana e Kosovës obligohej që të paguante borxhin kompanisë NTP “Tricom” në vlerë mbi 14 milion euro, me pretendimin që kompania kishte kryer shërbimin e ruajtjes së derivateve të naftës gjatë periudhës 2002 deri në 2016, dhe për secilin vit kalendarik, sipas kësaj kontrate, Dogana ishte e obliguar të paguaj afër 770 mijë euro, raporton Drejtësia sot.
Me këtë nga ana e prokurorisë, Rrezarta Metaj akuzohet se ka keqpërdorur pozitën përkatësisht i ka tejkaluar kompetencat e saj zyrtare.
Aktakuza vazhdon me pretendimet se nga data 15.01.2016 deri më datë 17.11.2017, i pandehuri Muharrem Ahmeti bashkë me përmbaruesen private kishin përpiluar dhe prezentuar dokumente me përmbajtje të pavërtetë, përmes të cilave kishin kërkuar kompensim dëmi nga Dogana e Kosovës lidhur më shërbimin e lartcekur mirëpo duke mos ekzistuar asnjë kontratë valide rreth kësaj çështje.
Tutje, i pandehuri Ardian Maloku me qëllim që t’i ndihmojë të pandehurit Muharrem Ahmeti në legalizimin e përmbajtjes së pavërtetë, të dy së bashku, me qëllim të paraqitjes së provave të rrejshme, më datë 23 deri me 25 shkurt 2019, i kanë mbushur me ujë rezervuarët e naftës.
Të njëjtit, këto i kishin përdorur si prova në çështjen civile që ishte zhvilluar pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Pika e tretë e dispozitivit të aktakuzës tregon që Muharrem Ahmeti dhe Ardian Maloku, me qëllim për t’i sjellur përfitim pasuror të kundërligjshëm në shumë prej 14,131,529.97 Euro, me datën e lartcekur kishin mbushur me ujë rezervuarët e naftës, e që në pretendonin se aty ruhen mbi 237 mijë litra naftë të Doganës së Kosovës, të njëjtat janë ruajtur aty që nga viti 2001.
Më pas i pandehuri Muharrem Ahmeti kishte bërë shitjen e derivatit që e kishte marrë për ruajtje në mirëbesim, me ҫ’rast i ka shkaktuar dëm material Doganës së Kosovës në vlerë prej 205 mijë eurosh.
Me anë të gjithë këtyre fakteve, prokuroria e shtetit pretendon që të pandehurit janë fajtor për veprat penale të cilat ju ngarkohen të gjithëve se bashku dhe secilit veҫ e veҫ.
Mungesa e të akuzuarës Rrezarta Metaj, dhe të akuzuarit Muharrem Ahmeti si dhe mbrojtësve të tyre, ka bërë që në departamentin e krimeve të rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë të dështoi të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor për veprat penale keqpërdorim detyre, mashtrimi e legalizim i përmbajtjes së pavërtetë raporton Drejtësia Sot.
Me të filluar shqyrtimi i sotëm gjyqësor, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Naser Foniqi njoftoi se për të pandehurën Metaj është njoftur me fletëkthesë se nuk gjendet në adresën e saktë, ndërsa për të akuzarin Ahmeti nuk kanë pranuar asnjë informatë nëse i njëjti e ka pranuar ftesën apo jo./Media Ndërtimi.