Operatori i Sistemit të Transmetimit po modernizon dhe zgjeron rrjetin e telekomunikacionit duke hedhur kështu themelin për një të ardhme më të sigurt të sistemit energjitik dhe telekomunikues në vend.
Nëpërmjet një bashkëpunimi të gjatë dhe ekspertizave këshilluese të kompanisë lider në teknologji Hitachi ABB Power Grids me seli në Zvicër, rrjeti i telekomunikacionit të OST-së po i nënshtrohet në mënyrë graduale migrimit të teknologjisë së vjetër, në teknologji më të avancuara (MPLS-TP) duke e renditur OST si një partner të besueshëm për klientët energjitikë.
“Ne jemi krenarë që veprojmë bazuar në tre parime kryesore si cilësia, siguria dhe përballueshmëria dhe e bëjmë këtë sepse jemi operatori i vetëm i energjisë që arrin në të gjithë Shqipërinë me kapacitetet tona teknologjike”, bën të ditur kreu i OST-së, Skerdi Drenova.
Vendosja e rrjetit të parë të komunikimit të shërbimeve hibride në rajon, do të hapë rrugën për projekte të tjera të transformimit të rrjetit.
Si rrjeti i parë hibrid në rajon, sistemi i telekomunikimit i OST-së do të ndihmojë në përmirësimin e besueshmërisë së rrjetit, uljen e shpenzimeve operative, hapjen e rrugës për dixhitalizimin dhe mundësimin e aplikacioneve të reja në të ardhmen.
Rrjeti i OST-së përbëhet nga 3 355 kilometra linja elektrike dhe 2 100 kilometra tel optik tokësor, që lidh 92 nënstacione që mbështesin transmetimin e energjisë elektrike të prodhuar brenda vendit, si dhe shkëmbimet e energjisë elektrike me vendet fqinje.
OST-ja ka 15 nënstacione administrimi dhe fuqi totale prej 4,471 MVA dhe Shqipëria ndan gjashtë linja interkoneksioni me vendet e tjera. Gjatë viteve, OST-ja ka investuar vazhdimisht për të përmirësuar besueshmërinë e sistemit dhe për të përballuar një rritje vjetore prej 2,5% të parashikuar të kërkesës për energji elektrike, si pjesë e një programi të modernizimit të rrjetit në vazhdim.
“Një rrjet modern dhe i besueshëm i telekomit na ndihmon të përmirësojmë efikasitetin e rrjetit tonë elektrik dhe në të njëjtën kohë të sigurojmë shërbime me cilësi të lartë për klientët tanë”, thotë Drenova.
“Dixhitalizimi i rrjetit të energjisë është gjithashtu zgjidhja për një mjedis më të gjelbër. Si rezultat i projektit tonë të përditësimit të rrjetit, ne jemi duke përparuar drejt realizimit të përfitimeve të plota të një rrjeti modern telekomunikues të shërbimeve”, shton ai.
Bazuar në një bashkëpunim që përfshin gati 20 vjet, rrjeti energjetik i Shqipërisë mbështetet nga ekspertiza konsultuese e Hitachi ABB Power Grids dhe zgjidhjet e komunikimit dhe nënvizimit të nënstacionit drejtues të industrisë.
Në fakt, OST-ja mbështetet në zgjidhjen FOX515 për të siguruar një lidhje të besueshme komunikimi për të mbështetur linjat e interkonjeksionit dhe shkëmbimet e energjisë elektrike.
“Rrjetet moderne të komunikimit mbështesin aftësinë e klientëve tanë për t’i bërë rrjetet e tyre të qëndrueshme, ndërsa administrojnë kërcënimet kibernetike dhe sigurojnë cilësi të besueshme të energjisë. Bashkëpunimi ynë i gjatë me OST-në, na pozicionon si një partner të besueshëm”, tha Jon Bisaz, menaxher për Europën për biznesin e Automatizimit në Hitachi ABB Power Grids.
“Arkitektura jonë e komunikimit hibrid u jep klientëve mundësinë për të operuar gjerësisht”, shtoi ai./ atsh