Drejtori i Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, Begzad Musliu, dhe ish-pronari i kompanisë “Sallahu”, Naim Sallahu, kanë dalë sot para Gjykatës së Prishtinës për t’u përballur me akuzat që u ngarkohen.
Në këtë rast, Musliu akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa Sallahu për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.
Shqyrtimi i sotëm gjyqësor lidhur më këtë rast dështoi të mbahej në mungesë të prokurorit të rastit, Bashkim Zeqaj si shkak i gjendjes së rëndë shëndetësore të prindit të tij.
Nuk ka pasur mundësi për zëvendësim andaj në mungesë të kushteve ligjore, shqyrtimi i sotëm gjyqësor nuk do të mbahet” – tha gjyqtari i çështjes, Avni Syla.
Ky rast po gjykohet nga gjykatësit Avni Syla- kryetar i trupit gjykues, Alban Ajvazi dhe Sulltane Hoti – anëtarë.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Begzat Musliu në nëntor të vitit 2020 i ka tejkaluar kompetencat e tij në cilësinë e drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës ashtu që ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit vetëm me kërkesën e operatorit ekonomik “Sallahu” SH.P.K., gjë që është e ndaluar me ligj.
Auditimi i lëndës së prokurimit është bërë për projektin me emrin “Ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9, segmenti Pejë-Kuqishtë me lokacionin Drelaj”, raporton Kallxo.com
Sipas aktakuzës, Musliu jashtë procedurave ligjore të auditimit të brendshëm ka përpiluar edhe një raport të auditimit në favor të operatorit ekonomik “Sallahu” me qëllim të krijimit të dobisë pasurore për kompaninë në fjalë, pa i vërtetuar provat në lëndën e iniciuar kundër këtij operatori, përkundër asaj që nuk kishte pasur autorizim.
Përmes këtij raporti që ka përpiluar Musliu e që ishte dërguar jashtë procedurës në arkivat e OSHP-së, ka ndikuar që ky organ t’i falë besimin si provë këtij raporti e të mos e fusë në listën e zezë të OSHP-së kompaninë “Sallahu”.
Aktakuza thotë se i pandehuri tjetër, Naim Sallahu, pronar atë kohë i kompanisë “Sallahu” SH.P.K., në gusht të vitit 2020 me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik, pasi kishte paraqitur dokumentacion të rrejshëm me qëllim të mashtrimit me procedura e prokurimit.
Tutje, sipas Prokurorisë, Sallahu në cilësinë e pronarit të kompanisë ka ofertuar me dokumentacion të falsifikuar, ashtu që lëndë ka paraqitur referenca për gjeodetin Fadil Shehu se i njëjti kinse ka punuar në projektin “Ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9 segmenti Balincë” dhe në projektin “Zgjerimi i rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës (Veternik) “lot 1”, por që në projekt nuk ka qenë i angazhuar ky gjeodet.
Në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Fadil Shehu për deklarim të rremë nën betim për këtë rast, por i njëjti e kishte pranuar fajësinë./Media Ndërtimi