Në mungesë të dëshmitarit Xhevat Kastrati, ka dështuar të mbahet seanca në rastin ku ish-drejtori i Inspektoratit në komunën e Fushë Kosovës, Afrim Krasniqi dhe inspektoret e ndërtimit, Valbona Ferati, Doruntina Dumani dhe Mobere Hyseni, po akuzohen për dallavere me leje ndërtimore në periudhën 2014-2016.
Në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohej edhe dëshmitari Faruk Lepaja, por që i njëjti nuk ka qenë i pranishëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurorja Merrushe Llugiqi, ka hequr dorë ndaj të njëjtit dëshmitar, pasi sipas saj, Lepaja nuk ishte paraqitur as në prokurori për të dhënë dëshminë e tij.“Me të thënë të drejtën, kur e kam ftu edhe në prokurori, ky person nuk ka qenë i interesuar me ardhë me u deklaru as në prokurori, edhe prokuroria heq dorë prej tij, edhe s’ka çka na thotë diçka ma shumë ky person”, tha prokurorja Llugiqi.
Ndërsa, sa i përket dëgjimit të dëshmitarit Xhevat Kastrati, prokurorja Llugiqi ka mbetur pranë propozimit për dëgjimin e të njëjtit.
Ndërsa, sa i përket dëgjimit të dëshmitarit Xhevat Kastrati, prokurorja Llugiqi ka mbetur pranë propozimit për dëgjimin e të njëjtit.
Por, me heqjen dorë të prokurores nga dëgjimi i dëshmitarit Lepaja nuk janë pajtuar të akuzuarit, me arsyetimin se ky dëshmitar është ai që ka iniciuar ankesën për këtë rast.
“Faruku është kryesori, nuk është as Muharrem Kurtaj as kërkushi, Faruku është ai që ka qenë, ai e ka iniciu ankesën ai ka pas takime me kryetarin e komunës dhe jo me neve”, tha i akuzuari Krasniqi.
Lidhur me këtë, anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuqi, ka thënë se të njëjtit mund ta rezervojnë të drejtën që për seancën e radhës ta propozojnë Lepajën si dëshmitar, me të cilin konstatim nuk është pajtuar gjykatësja Krasniqi- Jashanica, pasi sipas saj dëshmitari ndaj të cilit prokuroria ka hequr dorë nuk mund të ftohet nga mbrojtja.
Por, në fund gjykatësja Krasniqi- Jashanica, tha se për interes të drejtësisë do të bëjë përpjekje që të kontaktojë edhe me dëshmitarin Lepaja dhe pastaj, sipas saj të shqyrtohet mundësia që i njëjti të ftohet për seancën e radhës.
“Nejse do të bëj përpjekje për ta kontaktuar, pastaj shoh a do ta ftojmë apo jo, kështu është edhe qëndrimi i prokurores Llugiqi, do të thotë nuk ndryshoj mendim për relevancën e dëshmisë së tij, megjithatë ai nuk është dëgjuar as në prokurori, por unë do të bëj përpjekje prapë për interes të drejtësisë, ta shohim prokurore nëse ka mundësi do e kontaktoj”, tha gjykatësja Krasniqi Jashanica.
Kështu kjo seancë është ndërprerë dhe e njëjta pritet të vazhdojë më 30 shtator./ Media Ndërtimi.