Në seancën fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të akuzuarit Naser Muja dhe Fisnik Ibrahimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzën se e kanë keqpërdorë pozitën zyrtare.
Në këtë rast, Naser Muja në cilësi të drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm në Komunën e Mitrovicës dhe Fisnik Ibrahimi në cilësinë e menaxherit të projektit, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Deklarimin rreth fajësisë, dy të akuzuarit e bënë pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fetije Bajrami, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, të akuzuarve nga gjykatësi i rastit Avni Mehmeti iu lexuan të drejtat e tyre, pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë në shqyrtimin fillestar.
Pasi të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, gjykatësi Mehmeti i njoftoi se në afat prej 30 ditësh, kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave të caktuara në aktakuzë apo kërkesën për hudhjen e aktakuzës.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 7 qershor 2022 ka ngritur aktakuzë kundër Naser Mujës dhe Fisnik Ibrahimit, me arsyetimin se në korrik të vitit 2018, në Mitrovicë, si zyrtarë, të pandehurit me dashje në kundërshtim me nenin 1, par.1 pika 1.4 dhe nenin 3 të Ligjit për Shpronësimin e Pasurisë së Paluajtshme nr. 03/L-139, kanë filluar punën në ndërtimin e rrugës në fshatin Suhodoll, në gjatësi totale prej 500m, pa u kryer të gjitha procedurat ligjore për fillimin e ndërtimit të rrugës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Naser Muja në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm në Komunën e Mitrovicës dhe i pandehuri Fisnik Ibrahimi si menaxher i projektit, nuk kishin marrë pëlqimin e pronarit të paluajtshmërisë që ndodhet afër rrugës në të cilën kishte filluar ndërtimi, kështu që punimet ishin ndërprerë, dhe se të dëmtuarit R.Z., i është shkaktuar dëm në pronën e paluajtshme, ndërsa kontraktorit “Bajraktari” SHPK – Maxhunaj i është paguar shuma në vlerë prej 10 mijë e 480 euro e 50 centë, dhe në këtë mënyrë i është shkaktuar dëm Ministrisë së Zhvilimit Rural dhe buxhetit të Republikës së Kosovës.
Me ketë, Muja dhe Ibrahimi, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal./Media Ndërtimi