Sipas marrëveshjes së arritur më 2013, punëtorët e “Elektrokosmet” (kompani serbe për energji në veri të Kosovës) duhet të inkuadrohen në kompaninë e regjistruar sipas ligjeve të Kosovës, ose duhet t’iu ofrohet punësim në KEDS.
Deri vonë, qytetarët e komunave veriore të Kosovës, kanë thënë se kanë pranuar fatura për energjinë elektrike nga kjo kompani serbe, raporton Radio Evropa e Lirë.
Kosova e konsideron “Elektrokosmet-in” e Serbisë si kompani ilegale.
Që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, më 1999, qytetarët e veriut furnizohen rregullisht me energji elektrike, por nuk e paguajnë atë.
Kjo ka ndodhur për shkak të refuzimit të strukturave të ndryshme të mbështetura nga Beogradi zyrtar, që kanë operuar në atë pjesë, por edhe për shkak të mosbindjes qytetare.
Nga përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë vazhdimisht ka pasur deklarata kundërthënëse se kush e furnizon veriun me rrymë.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) ka thënë se furnizimi bëhet nga operatorët e licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës, por, sipas zyrtarëve serbë, rryma në veri arrin nga Elektro-rrjeti i Serbisë.
Disa qytetarë të pjesës veriore të Kosovës, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë javë më parë, kanë thënë se e përkrahin idenë që të rregullohet çështja e furnizimit me energji elektrike, por disa nga ta thonë se do të donin që pagesën ta bënin në Serbi, e jo në Kosovë.
“Në cilindo rast, më shumë dua që ta paguaj energjinë sesa mos të kemi fare – të them të drejtën. Unë jam për këtë, më mirë të paguhet”, ka thënë Dragica Vulliq.
Një qytetar tjetër i Mitrovicës së Veriut, i cili prezantohet vetëm me emrin Millosh, ka thënë se nuk do të donte ta paguante energjinë elektrike për ndonjë institucion të Kosovës.
“Një rend duhet të ekzistojë… por më parë do t’ia paguanim shtetit tonë [Serbisë], sesa Qeverisë së Kosovës. Nuk e di, më duket se gjithnjë e më shumë po na shtyjnë drejt duarve të Prishtinës”, ka thënë Milloshi.
Sipas Millanit, çështja e pagesës së rrymës tani është e pakuptimtë.
“Nuk e di, por mendoj se tash kjo është e pakuptimtë për arsye politike”, është shprehur ai.
Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind.
Megjithatë, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit në Kosovë ka vendosur në fund të vitit 2017 për pezullimin e kësaj praktike, duke konstatuar se është e paligjshme.
Ky vendim më vonë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pagesa ka kaluar te KOSTT-i.
KOSTT është kompani publike e Kosovës me 100 për qind të aksioneve shtetërore./Media Ndërtimi.
Fotografia: Radio Evropa e Lirë.