Connect with us

Trashëgimia

Çërrik, as presje as pikë!

Published

on

Shkruar nga Ben Blushi, shkrimtar

Cërriku është një qytet i krijuar në letër. Në vitin 1947.

Në Cërrik ka vetëm pallate. Tre katëshe. Nuk ka asnjë vilë. Ose më saktë nuk ka asnjë shtëpi private, siç i quanim ne që banonim në apartamente, shtëpitë e vjetra të ndërtuara para Çlirimit.

Cërriku nuk ka asnjë datë përpara Luftës së Dytë Botërore.

Askush nuk e ka sulmuar Cërrikun. Askush nuk ka luftuar për ta mbrojtur. Askush nuk ka vdekur për Cërrikun.

Aty nuk ka varreza me partizanë, lapidarë, heronj, armë të fshehura në tokë, kujtime me gjermanë, triçikla që i përdorte Kinostudio ose avlli nga ku komunistët kërcenin mbi armikun.

Heronjtë e fundit që kanë kaluar këtu, kanë qenë kinezë. 50 vjet më parë kinezët ndërtuan Radiostacionin e Cërrikut nga i cili, Shqipëria i fliste botës në shumë gjuhë, përfshi gjuhën mandarine ose kinezçe. Kush e di si tingëllonte në kinezçe, Ju Flet Cërriku.

Nga vjen emri Cërrik, pyeta një burrë që mu afrua në rrugë.

Cërrik, as presje as pik, tha burri.

Çdmth as presje as pik, thashë unë.

Dmth që ne në Cërrik i themi gjërat siç janë, troç, daç rri daç ik, tha burri.

Do rri dhe pak, thashë unë.

U futa në google dhe zbulova se fjala cërrik do të thotë, një dru në të cilin varet duhan për tu tharë.

Meqë ai që e ka projektuar, e ka patur të lehtë të hedhë viza mbi një fushë, qyteti ka rrugë të drejta, trotuare të gjëra dhe pallate të vendosura paralel me rrugën.

Rruga kryesore, nga e cila hyet në Cërrik, mbaron te dera e një shkolle. Pas shkollës ka sërish fusha të mbjella dhe asnjë ndërtim.

Mua mu duk e habitshme sesi një rrugë që përshkon një qytet, mbaron te oborri i një shkolle, por pastaj u kujtova se në Tiranë ndodh e njëjta gjë.

Bulevardi kryesor i Tiranës fillon te Treni dhe mbaron te Universiteti.

Këtë mënyrë krahasimi me qytetet e tyre, duhet ta përdorin të gjithë ata që shkojnë në Cërrik.

Është e vetmja mundësi që ky qytet të duket normal dhe jo aq i çuditshëm.

Në mes të kësaj rruge, tani kanë ndërtuar një orë betoni, rreth 10 metra të lartë. Për shkak të Orës që përbën monumentin e vetëm në qytet, rruga që bashkon botën jashtë Cërrikut, me pjesën e brendshme të Cërrikut, është ndërprerë.

Ora e Cërrikut, si çdo ngrehinë pa dritare, ka dy pamje. Një ballore dhe një të pasme.

Kur dielli shkon në perëndim, pjesa e pasme e Orës shërben si hije për disa burra me kanatiere.

Unë nuk kam shkuar në Cërrik asnjëherë paradite. As në mbrëmje. Dhe meqë kam shkuar vetëm pasdite nuk e di si është mëngjesi, apo nata.

Por sa herë që kam shkuar, Ora e Cërrikut ka qenë e mbetur. Ajo nuk lëviz.

Nga pjesa ballore ora është gjithmonë 19.42. Pra njerëzit që jetojnë në perëndim të qytetit kanë vetëm pasdite. Në këtë zonë në fakt bëhet xhiro, luhet domino dhe ndodhen lokalet më të shtrenjta.

Nga pjesa e pasme, ora ka ngecur në 12.52, që do të thotë se ata që jetojnë në lindje kanë vetëm drekë. Kjo duhet të jetë e vërtetë se në këtë zonë të qytetit, njerëzit mu dukën më të shëndoshë. Andej janë dhe dyqanet që shesin ushqime dhe në rrugë piqen qofte zgare.

Ata që e kanë projektuar Orën, nuk kanë bërë një shkallë të brendshme si në të gjitha ngrehinat e larta që kërkojnë mirëmbajtje.

Ndoshta ata kanë menduar se Ora e Cërrikut nuk do mbetej kurrë.

Por për fajin e projektuesve, Cërriku vuan stresin postkonsumator të të gjithë atyre, që duan të zbukurohen pa bërë llogari.

Kur blen një palë këpucë të reja, të duhen dhe një palë pantallona, pastaj pantallonat kërkojnë një bluzë në ngjyrën e tyre, pastaj bluza i do një palë syze ku të reflektojë ujërat e saj dhe natyrisht syzet e kërkojnë një model tjetër flokësh.

Me pak fjalë, çmimi i këpucëve është i barabartë me, çmimin e përbashkët të gjithë këtyre sendeve, përfshi shërbimin e berberit ose parukieres.

Kështu i ka ndodhur dhe nevojës së Cërrikut për tu zbukuruar pa plan.

Kostoja e Orës së Cërrkut është një shumatore e betonit, hekurit, akrepave dhe vinçit që duhet t’i rrotullojë këto akrepa, sa herë që Ora mbetet.

Ky vinç, nëse ai është ende aktiv, i ishte ngjitur Orës së Cërrikut për herë të fundit përpara dy vitesh.

Këtë ma tha një nga burrat me kanatjere që rrinin nën hijen e Orës./Media Ndërtimi.

 

Trashëgimia

Në Bostan të Novobërdës fillojnë gërmimet arkeologjike

Published

on

Në lokalitetin arkeologjik të fshatit Bostan në Komunën e Novobërdës, kanë nisur hulumtimet dhe gërmimet arkeologjike.

“Përmes zbulimeve arkeologjike formësohet historia e lashtë e vendit tonë.”, deklaroi ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Ky lokalitet  në mesin e banorëve njihet me emrin “Gumnishtë” dhe ndodhet në lartësi mbidetare 957m, ndërsa qëllim i këtij hulumtimi është konfirmimi i një qendre banimi që lidhet me periudhën e Mbretërisë Dardane.

Continue Reading

Trashëgimia

Gjendet një vend me përplot bukuri natyrore në Kalanë e Vuçakut në Drenas

Published

on

Gjendet në një vend me përplot bukuri natyrore dhe potenciali e rëndësia historike që ka e bën tejet të veçantë Kalanë e Vuçakut në Drenas.

Ndërhyrjet në këtë kala kanë nisur dhe në fokus kanë pastrimin, konservimin e strukturave dhe përgatitjet që ky monument të jetë në shërbim të turizmit kulturor.

“Ky do të jetë një vit intensiv me punë në arkeologji”, deklaroi ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trashëgimia

Restaurohet shtëpia e familjes Kryeziu nga Gjakova si aset i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore

Published

on

Shtëpia e familjes Kryeziu nga Gjakova, me arkitekturë tradicionale të fundit të shekullit VIII-të gjendet në pjesën e vjetër të qytetit dhe ka pamje mbresëlënëse.

Ndodhet mes Muzeut Historik dhe hapësirës ku është i vendosur busti i Sylejman Vokshit.

Gjakova njihet si qytet i kulturës, traditës dhe qytetërimit. Investimet në ruajtjen trashëgimisë kulturore nga MKRS nuk do të ndalen./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending