Connect with us

Ndërtim

Çeku: Jemi në fazën e zgjidhjes së problemit të stadiumit në Gjilan

Published

on

Tema kryesore në investimet infrastrukturore në Gjilan, sa i përket sportit është stadiumi i qytetit.

Dy ekipet ndër më të organizuarat në Kosovë dhe rajon, nuk mund të luajnë në kushtet të cilat i meritojnë, duke qenë gjithmonë e më larg qytetit të tyre në garat evropiane, ndërsa në ndeshjet kampionale i zhvillojnë në fushën me bari sintetik, e cila nuk i plotëson kriteret për të pasur dy tifozeri prezente, shkruan OLLE.

Sot me fillim nga ora 15:00, dy skuadrat të cilat e kanë filluar sezonin 2022/23 në mënyrë fantastike, pa asnjë humbje, do të zhvillojnë derbin më të madh në futbollin kosovar, por edhe kësaj radhe, do të jenë të detyruar që mos të kenë mbështetjen e tifozëve.

Në një vizitë të cilën e ka bërë sot në qytetin e Gjilanit, Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku ka folur për stadiumin në Gjilan.

“Shumë shpejtë do të nis hartimi për fazën e fundit i cili përfundimisht na nxjerrë koston, rrugën dhe kohën që na duhet për t’i kryer punimet dhe për ta realizuar përfundimisht ketë investim te rëndësishëm jo vetëm për Gjilanin, sepse një stadium i tillë i duhet dhe Kosovës, sidomos për garat ndërkombëtare për ekipet tona” shtoi Ministri Çeku për stadiumin e qytetit në Gjilan

Deri më tani ka pasur shumë premtime në realizimin e këtij projekti, por koha po punon në dëm të klubeve nga Gjilani dhe vetë sportit kosovar, sepse imazhet që jep ky derbi lokal, janë mjaftë pozitive për futbollin elitar dhe prezantimin në arenën ndërkombëtare./Media Ndërtimi.

Ndërtim

Parisi rivendos kufirin e lartësisë për ndërtesat e reja në qytet

Published

on

Parisi ka rivendosur një kufi të lartësisë për ndërtesat e reja në qytet, pas ndërtimit të diskutueshëm të kullës Tour Triangle të projektuar nga studio zvicerane Herzog & de Meuron.

Kufiri i lartësisë, i shpallur dje, do të kufizojë ndërtesat e reja në kryeqytetin francez në një lartësi prej 37 metrash ose 12 kate.

Ai rivendos të njëjtin ligj parisian të planifikimit që u prezantua në 1977 pas ndërtimit të Tour Montparnasse, një kullë zyre 210 metra e lartë nga arkitektët Eugène Beaudouin, Urbain Cassan dhe Louis Hoym de Marien, e cila gjithashtu u kontestua shumë.

Kufiri i lartësisë i vitit 1977 ishte në fuqi deri në vitin 2010. Ai u përmbys nga ish-kryetari i bashkisë Bertrand Delanoë për një kufi prej 180 metrash për kullat e zyrave dhe 50 metra për blloqet e banimit.

Ndalimi është rifutur si pjesë e Planit Urban Lokal Bioklimatik të kryebashkiakut Anne Hidalgo, i cili synon të reduktojë emetimet e karbonit në Paris.

Ajo u nxit gjithashtu nga ndërtimi i kullës në formë piramide Tour Triangle nga Herzog & de Meuron, e cila filloi në 2021 dhe është planifikuar të përfundojë në 2026.

Ndërtimi i tij, i cili është përballur me reagime të kundërta dhe është vonuar me 12 vjet për shkak të betejave të ndryshme ligjore dhe planifikuese, është bërë fokusi i përpjekjes së këshillit për të kufizuar lartësitë e ndërtesave, së bashku me rrokaqiejt Tours Duo 180 dhe 125 metra të lartë nga Jean Nouvel.

Kina gjithashtu kohët e fundit kufizoi lartësinë e ndërtesave në vend. Ndërtimi i rrokaqiejve super të lartë është kufizuar në 500 metra, me ndërtesa mbi 250 metra “të kufizuara rreptësisht”. Politika e re, e publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Strehimit dhe Zhvillimit Urban-Rural, ndaloi gjithashtu “sjelljen e kopjimit” dhe vendosi rolin e arkitektëve kryesorë në qytetet e saj./Media Ndërtimi

Continue Reading

Ndërtim

Si po i shpëtojnë drejtësisë ndërtuesit e shumëkateve pa leje?

Published

on

Tetë muaj pas vendimit kontrovers qeveria ende nuk e ka të qartë, as sa është sipërfaqja e ndërtuar pa leje dhe as sa është sipërfaqja e konfiskuar. Aksioni i nisur me nxitim vjeshtën që lamë pas, është shfryrë para zgjedhjeve, ndërsa prokuroria nuk ka nisur hetim penal për disa nga ndërtuesit e denoncuar nga Ministria e Brendshme. Aktualisht, të vetmit të ndëshkuar janë 3 policë.

Në hyrje të kantierit të ndërtimit të kompanisë “Xheluks Construction” dhe “Laxmi real estate & Investment” pranë Liqenit të Thatë është vendosur njoftimi i konfiskimit. Shiritat e policisë dallohen edhe pak metra më tutje, në kantierin e dytë të ndërtimit të së njëjtës kompani, këtë herë në bashkëpunim me “Devis Construction”, raporton INA Media.

Pallatet 6-katëshe, me 2, 3 dhe 4 kate parking nëntokë, në pronësi të biznesmenit të njohur Julian Morina, u denoncuan nga zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, se ishin ngritur, njëri krejtësisht pa leje dhe tjetri, në tejkalim të lejes ndërtimore. Të dyja këto ndërtime, në një nga zonat më luksoze në periferi të Tiranës, iu janë nënshtruar procedurave për konfiskim, bazuar në VKM nr. 589 të datës 07/09/2022 “Për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik, të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi”.

Vendimi kontrovers, i publikuar nga qeveria në fillim të shtatorit që lamë pas, ka në thelb konfiskimin e të gjitha ndërtimeve pa leje apo katet shtesë për qëllime përfitimi, që janë bërë në shkelje të lejes ndërtimore.

Referuar vendimeve të konfiskimit, të publikuara në faqen zyrtare të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, ndaj biznesmenit Morina janë marrë tri vendime konfiskimi për ndërtime shumëkatëshe pa leje në zemër të Tiranës. Po njësoj si Morina, edhe dhjetëra biznesmenë të tjerë kanë ndërtuar për qëllime përfitimi, pa leje ose duke tejkaluar lejen e ndërtimit, në zonat më të shtrenjta të Tiranës.

Më shumë se 8 muaj pas show-t të qeverisë, duket se aksioni, që nisi me “dorë të hekurt”, është shfryrë. Nisma, që mori vrull në shtator të vitit 2022, ka ngecur në prag të zgjedhjeve. Gjatë këtij viti nuk rezulton asnjë vendim konfiskimi për katet shtesë dhe ndërtimet pa leje, ndërsa vendimi i fundit, i publikuar në faqen zyrtare të KKT-së, është ai i datës 28 dhjetor 2022.

Në faqen zyrtare të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT) janë publikuar 26 vendime për konfiskimin e mijëra metrave katrorë, të ndërtuar pa leje, por vetëm për 15 prej tyre është firmosur vendimi për sekuestrim, duke e bërë të paqartë se çfarë do të ndodhë me të tjerët.

Njëri prej tyre, “Syri i Tiranës”, ka vendosur dhurimin e metrave katrorë, të ndërtuar pa leje, ndërsa “Sallillari” e kundërshtoi vendimin dhe iu drejtua gjykatës.

Ekspertët gjykojnë se ky ligj, i ndërmarrë me emergjencë dhe që u la papritur në harresë, është një ligj elektoral, që favorizon ndërtuesit dhe rrit rrezikun e pastrimit të parave.

Të dhënat e vëna në dispozicion nëpërmjet kërkesave për informacion dëshmojnë se institucionet nuk janë në gjendje që të bëjnë transparencë, as mbi sipërfaqet e identifikuara si ndërtime pa leje dhe as mbi ato të konfiskuara.

Nga ana tjetër, të dhënat e vëna në dispozicion nga Prokuroria e Tiranës dëshmojnë se për dy ndërtues nuk kanë nisur hetimet.

Ndërtuesit i shpëtojnë drejtësisë

“Nuk do të ketë tolerancë për asnjë ndërtues”, – tha zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, më 7 shtator 2022, kur njoftoi VKM-në për konfiskimin e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi.

Të dhënat e siguruara nëpërmjet përgjigjeve për informacion dëshmojnë se disa biznesmenë janë përkëdhelur nga ligji.

Sipas Ministrisë së Brendshme, janë 15 objekte të dyshuara me shtesa në sipërfaqe në proces konfiskimi, të cilat janë referuar në prokurori.

“Të gjitha rastet e evidentuara janë referuar pranë strukturave ligjzbatuese për hetim penal”, – përgjigjet Ministria e Brendshme.

Të dhënat e ofruara nga Prokuroria e Tiranës tregojnë se një pjesë e bizneseve i ka shpëtuar drejtësisë, pasi për to nuk ka nisur asnjë hetim penal, ndërsa ka edhe raste, kur referimet janë bërë këtë vit. Nga 9 vendime konfiskimi në Tiranë, janë hapur gjithsej vetëm 8 hetime nga prokuroria.

Referuar përgjigjes së Prokurorisë së Tiranës, për shoqërinë “Xheluks Construction” janë hapur dy hetime të reja këtë vit, edhe pse ka tri raste konfiskimi, ndërsa hetimi i tretë për këtë kompani është i vitit 2021 në ngarkim të Julian Morinës për ndërtimin te Liqeni i Thatë. Pra, për më shumë se një vit u lejua që ndërtimi pa leje të vazhdonte, edhe pse shteti kishte dijeni.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, në regjistrin e indekseve të kallëzimeve dhe të procedimeve penale nuk është regjistruar asnjë çështje për kompleksin e vilave, që po ndërtohen në Selitë, me zhvillues shoqërinë “Aleksandros”.

Fshehja pas shifrave, sa metra katrorë u konfiskuan

Institucionet nuk bëjnë transparencë as sa metra katrorë u konfiskuan si pasojë e këtij ligji.

As Agjencia e Zhvillimit të Territorit nuk është në gjendje të japë të dhëna, por sugjeron që t’i referohemi vendimeve të publikuara në faqen zyrtare, në pikën 1 të çdo vendimi.

Pas hulumtimit të vendimeve të konfiskimit, të publikuara në faqen e AZHT-së, rezulton se nga 25 vendime konfiskimi, vetëm 10 prej tyre e kanë të përcaktuar sipërfaqen që do të konfiskohet. Për këto 10 vendime sipërfaqja e konfiskuar përllogaritet të jetë 11,628.66 m2, ndërsa në 15 vendime të tjera konfiskimi thuhet vetëm se kanë ndërtuar mbi 10% të lejes ndërtimore, duke e bërë pra të paqartë sipërfaqen e konfiskuar si pasojë e këtij ligji.

Aktualisht, ndërtimet e konfiskuara me vendim të KKT-së kanë mbetur thjesht kantiere të rrethuara me shiritin e policisë, ku nuk punohet.

Vetëm Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dha një përgjigje të vagullt, që ka të bëjë me numrin e ndërtimeve të dërguara për konfiskim pranë KKT-së.

“Nga inspektimet e bëra dhe në zbatim të VKM-së, IKMT ka përcjellë propozimin për konfiskim për 25 objekte, ndaj të cilave nga ana e Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) është marrë një vendim për secilin objekt”, – thotë IKMT në një përgjigje me shkrim për Investigative Network Albania-n.

Por, nëse Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka evidentuar 25 objekte problematike me disa kate shtesë në tejkalim të lejes, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) ka firmosur vetëm 15 vendime për konfiskim, duke e bërë të paqartë se çfarë do të ndodhë me to. Por, edhe për to vendimmarrja nuk është përfundimtare, pasi ende nuk është zgjidhur çështja e pronësisë.

Por, pavarësisht ritmit galopant të ndërtimeve, Tirana renditet ndër qytetet më të shtrenjta sa i përket blerjes së një banese. Banka e Shqipërisë njoftoi se, në 6-mujorin e parë të vitit 2022 çmimet e banesave në rang vendi u rritën me 39.2% në raport me vitin 2021. Shtrenjtimi më i madh është regjistruar në Tiranë me një rritje deri në 40% dhe në bregdet, ku çmimet u rritën deri në 60%.

“Për sa i përket vitit 2023 nuk mendoj se shqiptarët do të blejnë më lirë se në vitin 2022. Nuk po blejnë njerëzit e thjeshtë apo familjarët. Janë pará nga jashtë që vijnë e po blihet në Tiranë”, – shprehet eksperti i tregut imobiliar, Ervin Demirxhiu./Media Ndërtimi

Continue Reading

Ndërtim

Ndërtimi i objekteve të larta afër shtëpive, shqetësim për shumë banorë të Prishtinës

Published

on

Probleme të tilla ka pasur në vazhdimësi, me ç’rast edhe janë denoncuar kompani të ndryshme që merren me ndërtimin e objekteve banesore. Kështu ka ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme, ku dy qytetarë kanë kërkuar ndihmën e Policisë, duke raportuar se po rrezikohen nga ndërtimi i lartë, raporton Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy banorë që jetojnë në rrugën “Faton Krasniqi” kanë raportuar se po rrezikohen nga punimet që po kryhen nga kompania ‘Lesna SHPK’ në atë pjesë. Denoncimi i tyre ka aktivizuar Policinë, me ç’rast drejtori i kësaj kompanie, Bekim Deshishku ka përfunduar në Polici si i dyshuar.

Sinjali mëson se rasti ka ndodhur të shtunën në orët e mëngjesit, kur dy banorët që jetojnë në shtëpitë afër objektit ku po ndërtohet janë ndjerë të rrezikuar dhe kanë vendosur që ta raportojnë te organet e rendit.

Sipas informacioneve të para, njëri prej tyre ka deklaruar se oborri i tij ka nisur të shembet për shkak të punimeve, prandaj kanë kërkuar që të merren masa para se të pësojë ai dhe familja e tij.

Si rezultat i denoncimit, anëtarët e familjeve që jetojnë në ato dy shtëpi janë evakuuar, ndërsa në vendin e ngjarjes, përveç zyrtarëve policorë, kanë intervenuar edhe inspektorët e komunës dhe zjarrfikësit.

Pas përfundimit të procedurave të nevojshme, drejtori Deshishku është intervistuar në cilësinë e personit të dyshuar, me ç’rast ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë për punimet që po kryejnë në pjesë.

Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.

Gazeta Sinjali ka tentuar të marrë një deklaratë edhe nga kompania, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm në dy numrat e tyre kontaktues./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending