Infrastrukturë
Blloqet e KEK-ut emetojnë rreth 8 mijë ton pluhur të dyoksidit të sulfurit
Published
1 year agoon
Korporata Energjetike e Kosovës konsiderohet të jetë ndër ndotësit më të mëdhenj të mjedisit në Kosovë. Kjo edhe për faktin e vjetërsimit të dy termocentraleve, sidomos të termocentralit Kosova A. Por pavarësisht këtij fakti, nëse investohet në mekanizmat që ndikojnë në uljen e lirimit të ndotjes, ambienti do të jetë më i pastër.
Raporti më i fundit i cilësisë së ajrit në Evropë nga Agjencia Evropiane e Mjedisit rendit Kosovën si vendi me cilësinë e tretë më të keqe të ajrit në Evropë. Çdo raport për cilësinë e ajrit në Kosovë, që nga raportet vjetore për gjendjen e mjedisit në Kosovë, deri te raporti ‘Kosovë më e shëndetshme’ nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSh) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), i përcakton termocentralet si burim kryesor të ndotjes së ajrit, raporton Preportr.cohu.org.
Sipas një studimi të realizuar nga UNDP në vitin 2014, shkalla e vdekjeve të parakohshme që i atribuohen ndotjes përmes grimcave të pluhurit është 6 vdekje në 1000 njerëz për vit. Sipas Aleancës së Shëndetit dhe Mjedisit, kostot vjetore shëndetësore që shkaktohen nga këto dy termocentrale për banorët e Kosovës dhe të vendeve fqinje sillen mes 70 deri 169 milionë euro.
Ulja e nivelit të ndotjes mund të bëhet nëse investohet me kohë në ndërrimin e elektrofiltrave, të cilët janë pajisje që të reduktojnë nivelin e pluhurit i cili del nga tymtarët.
Se investimi në elektrofiltra është i rëndësishëm e dëshmon edhe fakti se aktualisht termocentrali Kosova A edhe pse është më i vjetër rreth 20 vjet krahasuar me Kosova B, liron më pak ndotje se sa kjo e fundit. Kjo për shkak se në Kosovën A, është investuar në ndërrimin e elektrofiltrave.
Luan Shllaku, njohës i fushës së energjisë dhe mjedisit, thotë se termocentrali Kosova A i ka elektrofiltrat më të mirë se termocentrali Kosova B, sepse janë ndërruar para 10 vjetëve, kur janë investuar 25 milionë dollarë në këto pajisje.
Shllaku sqaron se elektrofiltrat janë efikas në largimin e pluhurit para se të del nga tymtarët. Ai thotë se këto filtra nuk janë si çdo filtër tjetër, ato janë stabilimente të mëdha të cilat me metoda të ndryshme jo me filtrimin qysh mund ta imagjinojmë në pajisje tjera apo që i shohim në jetën e përditshme.
“Elektrofiltrat e ndalin një pjesë të madhe të pluhurit, në vend se të dalë nga tymtarët ajo del poshtë dhe bartet në deponitë e hirit të cilët po ashtu janë të rrezikshme, sepse ato janë të hapura, dhe çdo erë që fryn, një pjesë e madhe e pluhurit nuk vjen nga tymtari por vjen nga deponitë e hirit”, thotë Shllaku.
Ai thotë se elektrofiltrat e kanë ndikimin e tyre në parandalimin e ndotjes, por efikasiteti i tyre është larg nga efikasiteti i elektrofiltrave të sotëm, të cilët i përkasin teknologjisë së re.
Ndotje masive
“Aleanca e Shëndetit dhe Mjedisit”, e cila përbëhet nga 70 organizata, në vitin 2016 ka publikuar një raport lidhur me ndikimin e termocentraleve në shëndetin e njeriut.
Në raportin e kësaj organizate”Fatura e papaguar shëndetësore – si na sëmurin termocentralet me qymyr në Ballkanin Perëndimor”, për Kosovën thuhet se dy termocentralet ekzistuese me qymyr krijojnë kosto të mëdha shëndetësore, jo vetëm për qytetarët e Kosovës por edhe atyre të rajonit.
Sipas raportit, për shkak të ndotjes së ajrit nga termocentralet me qymyr në Kosovë shkaktohen rreth 370 vdekje të parakohshme në vit.
Raporti thekson se termocentralet me qymyr emetojnë me mijëra ton agjentë ndotës të ajrit çdo vit, duke sjellë një kontribut të konsiderueshëm në ndotjen e ajrit në Kosovë, por edhe në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.
Blloku B1 dhe B2 kanë emetuar 8 mijë e 354 ton pluhur të dyoksidit të sulfurit
Për ta vërtetuar nivelin e ndotjes që shkarkohet nga dy termocentralet Preportr ka marrë të dhënat nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) për të krahasuar ndotjen që shkaktohet nga dy termocentralet.
Në një përgjigje me shkrim nga zyra për informim e Ministrisë së Mjedisit thuhet se mjedisi mbrohet më shumë në rast kur kemi elektrofiltra efektivë.
“Investimi në elektrofiltra është shumë i rëndësishmen, sepse ndikon në uljen e nivelit të emetimeve në ajër nga termocentralet dhe në zvogëlimin e ndotjes së mjedisit”, thuhet në përgjigje.
Sipas të dhënave të kësaj ministrie për vitin 2022 emisionet vjetore në ajër për ndotësit SO2 (dyoksidi i sulfurit), NOx (oksidet e azotit) dhe pluhurin total në të dy termocentralet e Kosova A dhe B, rezulton se emetime më të larta janë matur në termocentralet e `Kosova B` (bllokun B1 dhe B2) krahasuar me Termocentralet e Kosova A (bllokun A3, A4 dhe A5). Ndërkaq, gjatë vitit 2022 ka pasur zvogëlim të emetimeve të pluhurit total, emetimeve te SO2 dhe NOx, në krahasim me vitin 2021.
Elektrofiltrat zvogëlojnë emetimin e pluhurit deri në 35 herë
Sipas një raportit të institutit INDEP të publikuar në vitin 2020, instalimi i elektrofiltrave të pluhurit pritet të zvogëlojë emetimin e pluhurit deri në 35 herë. Deri atëherë, kjo OJQ konsideron se për të mbrojtur shëndetin publik dhe mjedisin, Kosova B duhet të zvogëlojë orarin e punës deri sa të jetë gati instalimi i elektrofiltrave.
“Në vetëm një muaj monitorim, kemi mbledhur sasi të mëdha të provave që tregojnë mënyrat se si termocentralet me qymyr po e dëmtojnë cilësinë e ajrit në Obiliq. Kjo duhet të shërbejë si bazë për kërkime të mëtejshme dhe si thirrje për autoritetet për të siguruar matje të ndotjes në kohë reale për popullsinë lokale”, thuhet ndër të tjera në raport.
Sabit Restelica thotë se nëse janë të instaluar elektrofiltrat me efikasitet të lartë të largimit të pluhurit të hirit, në vendbanimet përreth do të kemi emesione më të ulëta./Media Ndërtimi
You may like
Infrastrukturë
“Kulla s’asht cool”-qytetarët e Shkodrës po protestojnë kundër ndërtimit të objektit 35 katesh
Published
4 months agoon
July 25, 2024Ndërtimi i kullës 35 katëshe ‘Hotel Rozafa Tower’ në Shkodër mblodhi në protestë dhjetra qytetarë dhe aktivistë.
Kulla është një investim privat që do të ndërtohet përbri pallatit ekzistues Rozafa, nga “Uldedaj Group”, i zbatuar nga një studio spanjolle.
“Të vendosur përpara një fakti të kryer në një kohë kur për projekte kaq të mëdha duhen dëgjesa publike; të shqetësuar për dëmin urban dhe arkitekturor që kjo kullë paralajmëron ti kanosë Shkodrës; të indinjuar nga mosrespektimi nga ana e institucioneve i të drejtës sonë për qytetin dhe hapësirës që jetojmë vendosëm të marshojmë sot bashkë me ju kundër betonizimit të qytetit për të thënë: Jo kullave!“ – u shpreh aktivisti Amel Pervizi.
Sipas qytetarëve, zhvillimi i qytetit nuk vjen përmes kullave, ndërsa ky investim bie në kundërshtim me planin e përgjithshëm vendor të qytetit.
„Projekti i ri ka jo më pak se 43 mijë metër ndërtim të ri. Intensiteti I ndërtimit nga 4 që është i lejuar në planin e përgjithshëm vendor, shkon në 8.2, pra dyfishohet. Numri I lejuar i kateve nga 7 kate të lejuara shkon në 35, pra pesëfishohet. Lartësia në metra nga 29.8 metra e lejuar shkon deri në 100 metra lartësi. Parametër i cili trefishohet. Sa I përket distancave, kjo godinë me këtë lartësi duhet të mbajë jo më pak se 36 metër distancë nga kufiri i saj i pronës. Gjë që nuk mund ta realizojë dot”,-u shpreh urbanisti Imeldi Sokoli.
Ata theksuan se Shkodra ka nevojë për hapësira dhe investime publike dhe jo shëmbëlltyrë e “kryeqytetit rilindas”.
“Sot ne jemi të thirrur për ti dalë zot qytetit tonë, bukurisë së qytetit tonë, kulturës së qytetit tonë, historisë dhe trashëgimisë kulturore. Në 11 vite, kjo qeveri nuk solli asnjë investim për Shkodrën. Shkodra ka nevoja të mëdha, Shkodra ka objekte, monumente kulture që po bien brenda. Shkodra nuk ka nevojë për kulla, Shkodra ka nevojë për zhvillim dhe nëse flitet për inovacion, inovacioni nuk është një kullë e ndërtuar dhe e sjellë këtu jashtë të gjitha kritereve dhe jashtë të gjitha ligjeve. Ne nuk duam dhe nuk pranojmë betonizimin e Shkodrës“, -u shpreh Eliona Shkreli, anëtare e këshillit bashkiak Shkodër.
Mes thirrjeve „Stop betonizimit“ dhe “Kullat janë pastrim parash” qytetarët marshuan nga busti i Luigj Gurakuqit drejt godinës së bashkisë Shkodër, ku kërkuan realizimin e dëgjesave publike dhe konsultimeve me grupet e interesit.
“Një nga kompanitë, pjesë e Rozafa Group që do të investojë për kullë, sinjalizohet me shkresë për mos shlyerje të detyrimeve tatimore me vlerën 970 mijë euro. Nëse mbledhim fitime te deklaruara të këtij grupimi nuk arrijnë të shlyejnë as taksën e ndërtimit prej 8% ndaj bashkisë Shkodër, nëse ky investim prej 30 milionë eurosh realizohet. Si thoni ju a është me të vërtetë kjo kompani pas këtij ndërtimi? Zhvillimi duhet bërë duke ndjekur planin urbanistik të qytetit, duke bërë transparencë dhe duke u konsultuar”, – u shpreh Amel Pervizi./Media Ndërtimi
Infrastrukturë
Si Vladimir Putin krijoi një ‘flluskë’ të pasurive të paluajtshme
Published
4 months agoon
July 25, 2024Çmimet janë rritur me 172% në qytetet më të mëdha të Rusisë gjatë tre viteve të fundit.
Hipotekat dikur ishin të papranueshme në Rusi. Dekada të propagandës sovjetike, e cila e denoncoi kredinë si një barrë të padurueshme, patën efekt.
Edhe pas përfundimit të komunizmit, rusët ende i referoheshin hipotekave si “skllavëri borxhi”, duke preferuar të kursenin derisa të mund të blinin shtëpitë e tyre. Vladimir Putin, presidenti i vendit, ka kaluar dy dekada duke u përpjekur të bindë qytetarët e tij, që të kenë një tjetër pikëpamje.
Në vitin 2003, gjatë mandatit të tij të parë, ai shpjegoi se hipotekat mund të ndihmojnë në zgjidhjen e “problemit akut të strehimit”, me të cilin përballen rusët. Lutja e tij ra në vesh të shurdhër.
Ai tani duket se ka më shumë sukses. Gjatë viteve të fundit, numri i rusëve që marrin hipoteka është rritur, për shkak të një programi bujar të subvencioneve shtetërore për blerësit e apartamenteve të reja. Por, shpërndarja e subvencioneve të shtetit ka nxitur një treg shumë ‘të nxehtë’ të pronave, duke i rritur çmimet e banesave.
Në vitin 2020, kur Rusia u mbërthye nga Covid-19, zyrtarët rritën ndihmat për ata, që blinin prona të sapondërtuara në një përpjekje për të forcuar ekonominë. Në fillim, bankat u ofruan aplikantëve për hipotekë një normë preferenciale prej rreth 6%, afërsisht dy pikë përqindje nën normën e tregut, dhe shteti paguante diferencën.
Zbritje të ngjashme, të cilat më parë ishin në dispozicion vetëm për familjet, iu ofruan më pas punëtorëve dhe njerëzve, që zhvendoseshin në vende duke përfshirë Arktikun, Siberinë dhe Ukrainën e pushtuar.
Megjithatë, vëllimet e hipotekave nuk filluan të rriteshin vërtet, derisa ekonomia e Rusisë shkoi në gjendje lufte. Bankat lëshuan kredi hipotekore me vlerë 7.7 trilion rubla (88 miliardë dollarë, ose 4% e PBB-së) vitin e kaluar, nga një total prej 4.3 trilionësh në vitin 2020. Shumica u mbështetën nga subvencione.
Kjo pasqyron faktin se rusët nuk kanë mundësi investimi: sanksionet rëndojnë mbi bursën dhe kontrollet e monedhës e bëjnë të vështirë lëvizjen e parave jashtë vendit. Inflacioni, i cili u ngrit përsëri në mesin e vitit 2023, ka luajtur gjithashtu një rol.
Kur Banka Qendrore e Rusisë (CBR) filloi të rriste normat e interesit, interesi për skemën u rrit. Ndërsa CBR ngriti normën e saj bazë në 16%, qeveria e mbajti normën e saj preferenciale të ulët, duke e rritur atë në vetëm 8%. Në qershor kishte një hendek prej më shumë se dhjetë pikë përqindjeje midis normës së qeverisë dhe normës së tregut për një hipotekë.
Në fillim të këtij muaji ajo i dha fund skemës së saj më të njohur, e cila ishte për blerësit e ndërtesave të reja. Numri i hipotekave të reja mund të bjerë me rreth 50% në gjysmën e dytë të vitit.
Industria e ndërtimit të Rusisë do të vuajë si rezultat. Kështu do të bëjnë bankat, të cilat kanë gëzuar fitime rekord të nxitura nga rritja e shpejtë e portofolit të hipotekave. Për momentin, megjithatë, tregu i banesave duket se do të arrijë të shmangë një kolaps.
Vasily Astrov i Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, thotë se “ngadalësimi dhe ndoshta stanjacioni” ka më shumë gjasa sesa një rënie e madhe e çmimeve.
Ekonomia e luftës e Rusisë, e cila ka parë rritje të shpejtë të pagave këtë vit, mund të jetë ende në gjendje të mbajë një treg të fortë pronash, edhe kundrejt normave më të larta dhe mbështetjes së pakësuar të shtetit./Media Ndërtimi
Infrastrukturë
Kinezët dhe turqit “gëzojnë” koncesionin e bakrit në Shqipëri
Published
4 months agoon
July 25, 2024Fabrika e përpunimit të bakrit në Fushë Arrëz iu dha me koncesion për 30 vite një kompanie turke. Ishte viti 2001 kur shteti shqiptar firmosi marrëveshjen koncesionare. Shumë shpejt në lojë hynë edhe partnerët kinezë. Periudha e artë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën u ndërpre rreth viteve 80-të, për t’u rivendosur sërish me ardhjen e demokracisë.
Përmes një operacioni financiar të zhvilluar në Turqi, ata morën nën zotërim pjesën më të madhe të rezervave shqiptare të bakrit, të cilat kaluan në pronësi të gjigantit botëror të minierave, kompanisë kineze “Jiangxi Koper”, shkruan citizens.al.
Ata blenë 48% të aksioneve të kompanisë “BerAlb” e cila zotëronte për 30 vite koncesionin e bakrit në vendin tonë, duke përfituar të drejtën për të administruar dhe shfrytëzuar minierën e bakrit Munellë, minierën e bakrit Lak-Rosh, minierën e bakrit Karmë, fabrikën e pasurimit të bakrit Fushë-Arrëz dhe të Mjedës si dhe impiantin e fraksionimit të skorieve të bakrit në Shëngjin.
Me një kapital fillestar prej vetëm 30 mijë USD ose 47 Milionë lekë, kjo kompani e ka zgjeruar kapitalin e saj çdo vit, ndërsa aktualisht deklaron një kapital prej 7.7 miliardë lekësh.
Pavarësisht rritjes së kapitalit, kompania deklaron se del vazhdimisht me humbje.
Megjithëse deklaron bilance negative, në vitin 2017 kompania nënshkroi një tjetër marrëveshje me shtetin shqiptar duke e shtyrë koncesionin edhe me 10 vite . Pra koncesioni i bakrit dhënë Turqisë dhe Kinës do të jetë në fuqi deri në vitin 2043. Ekspertët sugjerojnë se zgjatja e afatit duhet të ishte ballafaquar me performancën ekonomike, rritjen e niveli të mirëqënies së zonës si dhe ruajtjen e mjedisit./Meda Ndërtimi