Pakoja emergjente fiskale në vlerë prej rreth 180 milionë euro e cila kishte për qëllim të zbusë problemet ekonomike dhe sociale ende nuk ka arritur të shpërndahet te bizneset dhe punëtorët.
Kjo pako ishte miratuar në muajin mars nga Qeveria Kurti për nevoja emergjente të qytetarëve dhe bizneseve.
Disa nga masat kishin filluar të zbatohen, por tani pas ardhjes së Qeverisë të udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, pakoja thuhet se nuk mund të zbatohet pasi që nuk ka mjete financiare.
Zëdhënësi i Ministrisë së Financave dhe Transfereve, Muharrem Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë në proces të rishikimit të buxhetit dhe se me buxhetin e rishikuar do të sigurohen fondet.
“Me buxhetin e rishikuar, i cili pritet të shkojë së shpejti për aprovim në Qeveri dhe pastaj në Kuvend, do të sigurohen fonde të mjaftueshme për implementimin e plotë të pakos fiskale emergjente”, tha Shahini.
Arsyeja e vonesave të shkaktuara deri më tani rreth Pakos fiskale emergjente, thotë Shahini, rrjedh prej faktit se disa nga masat e zotuara nuk kanë qenë të përfshira brenda linjave të buxhetit.
Po ashtu, ai shton se ka pasur edhe gabime në plotësimin e aplikacioneve të bëra nga aplikantët dhe kjo ka rritur volumin e punës së Komisionit për Shqyrtimin e Aplikimeve.
“Në buxhetin e rishikuar, përveç financimit të Pakos emergjente fiskale, do të përfshihet edhe financimi i programit për rimëkëmbje ekonomike i cili synon të rris ndjeshëm financimin e aktivitetit ekonomik në vendin tonë. Presim që buxheti i rishikuar të procedohet në Kuvend brenda disa ditësh”, thotë Shahini.
Për t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe kategorive tjera të shoqërisë të prekura pas përhapjes së koronavirusit, Qeveria e Kosovës me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, pati miratuar Pakon Emergjente Fiskale në vlerë prej 179.6 milionë eurosh.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës më 11 qershor, ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se nga 180 milionë euro të pakos emergjente janë shpenzuar vetëm rreth 60 milionë euro, pasi që nuk ka mjete financiare pa u bërë ndryshimet ligjore dhe rishikimi i buxhetit.
Përfaqësues të bizneseve thonë se kanë pasur ankesa të shumta që kanë ardhur nga afaristët sa i përket kompensimeve që është dashur të ju bëhen bizneseve nga pakoja emergjente për pagat e punëtorëve dhe qiranë.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka tha për Radion Evropa e Lirë se bizneset nuk kanë marrë ndihmën e premtuar nga pakoja emergjente fiskale.
Ai thotë se nuk e dinë nëse bëhet fjalë për një planifikim jo të mirëfilltë, por shton se është inkurajuese që tani qeveria e re ka thënë se do të marrë për obligim të zbatojë të gjitha masat e përfshira në pakon fiskale.
“Gjatë ditëve të kaluara kemi pasur një numër të madh të ankesave të bizneseve sa i përket marrjes së kompensimit edhe për paga edhe qiranë. Masa që kishte të bënte me mbulimin e 50 për qind të shpenzimeve të qirave e nuk ishte zbatuar asnjëherë nga ana e qeverisë së kaluar”, thotë Zeka.
Ai thotë se duhet të kuptojnë të gjithë dhe të fillojnë zbatimin e masave të pakos emergjente pasi që janë të domosdoshme për mbijetesën e shumë bizneseve në Kosovë.
Derisa, pakoja e parë emergjente fiskale ende nuk është zbatuar në tërësi, qeveria e Kosovës thotë të jetë në proces për pakon e dytë fiskale e cila në fokus do të ketë rimëkëmbjen ekonomike.
You must be logged in to post a comment Login