Sikur industria e prodhimit të kishte më shumë hapësirë për të ushtruar aktivitetin e saj, vlera e eksporteve të Kosovës do të rritej dukshëm, thotë sipërmarrësi Bujar Rama.
Prej vitesh, ai udhëheq kompaninë “Behari” në Drenas, e cila merret me prodhimin e dyerve të garazheve.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se kompania e tij nuk ka kapacitete t’u bëjë ballë të gjitha kërkesave për eksport, ndaj kërkon mbështetjen e institucioneve.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës thotë se bizneset janë mbështetur me qindra miliona euro vitin e kaluar, me qëllim të rritjes së eksporteve.
Por, pavarësisht kësaj, vlera e tyre ra në vitin 2023 krahasuar me një vit më herët, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Kosova përballet me deficit të lartë tregtar prej vitesh, që do të thotë se importon shumë më shumë sesa që eksporton.
Mesatarisht në vit, ajo importon mallra në vlerë prej 5 miliardë eurosh, ndërsa eksporton nën 1 miliard.
Vitin e kaluar, shifra e eksporteve ra në rreth 820 milionë euro nga rreth 920 milionë sa ishte në vitin 2022, apo për rreth 100 milionë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës.
Zyrtarisht nuk jepet asnjë informacion se përse ka ndodhur kjo.
Në Kosovë janë rreth 2.400 kompani prodhuese, por vendi importon shumë më shumë sesa që eksporton.
Në raportin “Identifikimi i produkteve me potencial për eksport dhe zëvendësim të importit”, i publikuar nga Ministria e Industrisë në tetor të vitit 2023, thuhet se në vitin paraprak, produktet që janë eksportuar më së shumti, kanë qenë: dyshekët, pllakat, dyert, dritaret dhe kornizat e tyre plastike.
Në raport përmendet, po ashtu, se janë identifikuar 36 prodhime të tjera potenciale për zëvendësimin e importit. Shumica e tyre janë në kategorinë e ushqimeve e pijeve dhe pasohen nga prodhimet e drurit dhe tekstilit.
Eksportet e Kosovës përqendrohen më së shumti në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Gjermani, Zvicër dhe Shtete të Bashkuara të Amerikës.
Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se, vitin e kaluar, vendi ka importuar produkte në vlerë prej 5.7 miliardë eurosh.
Importet vijnë kryesisht nga vendet fqinje dhe ato të Bashkimit Evropian dhe përfshijnë një gamë prodhimesh – nga ushqimore deri tek ato ndërtimore.
Për këtë vit, Banka Botërore parashikoi rritje të prodhimit të brendshëm bruto në Kosovë për 3.9 për qind./Media Ndërtimi