Ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Betim Reçica dhe tre zyrtarët tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, janë deklaruar sërish të pafajshëm lidhur me akuzat për keqpërdorime në tenderin për autostradën e Gjilanit.
Në shqyrtimin kryesor të mbajtur këtë të hënë, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi aktakuza u konsiderua e lexuar, i akuzuari Reçica mohoi fajësinë për kryerjen e veprës penale të ushtrimit të ndikimit, atë të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe veprën penale të shpëlarjes së parave, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Në asnjërën prej tyre nuk ndihem fajtor” tha i akuzuari Reçica.
Fajësinë për veprat penale për të cilat u vihen në barrë nga Prokuroria Speciale e mohuan edhe tre të akuzuarit tjerë, Berisha, Limani dhe Emini.
Seanca planifikohej të vazhdohej me fjalën hyrëse të palëve në procedurë e pastaj me dëgjimin e dëshmitarëve që ishin ftuar në këtë seancë, por pas një propozimi të mbrojtësit të të akuzuarit Reçica, avokatit Florin Vërtopi, kjo seancë u ndërpre.
Avokati Vërtopi, tha se pasi ka shqyrtuar dosjet e këtij rasti, ka vërejtur se mungojnë deklaratat e dëmit ku palët të cilat e kanë konsideruar veten si të dëmtuar është dashur t’i paraqesin ato deklarata të dëmit.
Sipas tij, kjo deklaratë e dëmit është dashur të paraqitet në fazën e hetimeve ose më së largu 60 ditë pas ngritjes së aktakuzës.
Ai po ashtu ka përmendur edhe një rast nga praktika gjyqësore, ku Gjykata Themelore në Gjilan në një vendim të saj nuk e kishte konsideruar palë në procedurë një të dëmtuar, pasi nuk kishte paraqitur deklaratën e dëmit dhe se të njëjtën e kishte udhëzuar që kërkesën ta realizojë në procedurë kontestimore.
Në fund, avokati Vërtopi i ka propozuar gjykatës, që 6 operatorët ekonomik nuk duhet të konsiderohen palë në procedurë e që sipas tij i bie se nuk kanë të drejtë në fjalë hyrëse, parashtrim të pyetjeve dhe as në fjalë përfundimtare.
Ky propozim është mbështetur edhe nga avokatët e të akuzuarave të tjerë.
Mirëpo, propozimi i tillë është kundërshtuar nga prokurorja speciale, Habibe Salihu, ku sipas saj dispozitat ligjore përcaktojnë se pala mundë të parashtrojë kërkesën, por që jo detyrimisht duhet, ndërsa lidhur me praktikën gjyqësore ajo ka thënë se ka mijëra vendime që është vendosur në të kundërtën me rastin të cilin e potencoi avokati Vërtopi.
Një deklaratë e tillë e prokurores Salihu, është mbështetur edhe nga përfaqësuesi i Avokaturës Shtetërore, avokati Bedri Krasnqi.
Sipas Prokurorisë Speciale, Betim Reçica akuzohet edhe se në cilësinë Ushtruesit të detyrës se Drejtorit të Prokurimit Publik në MI, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion’” nga Tirana, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke tejkaluar kompetenca e përcaktuara me ligj, në atë mënyre që më 21 nëntor 2017, ka ndryshuar raportin e Komisionit rivlerësues dhe OE “Gjoka Konstruktion’” e ka shpall të përgjegjshëm përkundër faktit se e ka ditur se ky operator nuk i ka plotësuar kushtet ligjore për tu shpallur i tillë dhe e ka ditur se OE “2Agroup & Alko IMPEX &EX FIS&2T” kanë ofertuar me çmim më të lirë, me ç’rast e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumë prej 1 milion e 630 mijë e 48 euro e 45 centë.
Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Betim Reçica se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet./Media Ndërtimi.