Për të mbështetur luftimin e prerjeve ilegale në Kosovë, programi i pylltarisë i FAO-s, i bashkëfinancuar nga BE-ja dhe Suedia, i dorëzoi Agjencisë Pyjore të Kosovës pajisje të ndryshme terreni.
Gjashtë automjete pick-up me kamera dhe pajisje GPS të integruara për inspektime në pyje, pajisje GPS për mbledhjen e të dhënave në terren, kamera kurth dhe dylbi nate për zbulimin e aktiviteteve të paligjshme pyjore iu dorëzuan Agjencisë në një ceremoni të organizuar në vendgjuetinë me rëndësi të veçantë “Blinaja”.
Në fjalimin e tij në këtë ceremoni, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, falënderoi Zyrën e BE-së në Kosovë, Ambasadën e Suedisë në Prishtinë dhe FAO-n për mbështetjen e Agjencisë Pyjore të Kosovës në adresimin e mangësive në kapacitetet njerëzore dhe teknike për luftimin e aktiviteteve ilegale në pyje.
“Paralelisht me avancimin e politikave dhe legjislacionit, rëndësi të veçantë ka sigurimi i mekanizmave logjistikë që ndihmojnë menaxhimin më të mirë të sektorit të pylltarisë. Pyjet mbulojnë mbi 40 për qind të territorit të Kosovës, prandaj janë pasuri kombëtare dhe duhet t’i mbrojmë, ndërsa vetë duhet të ndihemi vetëm si shfrytëzues të përkohshëm të këtyre pyjeve”, tha ministri Peci.
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, përsëriti se mbrojtja e mjedisit, duke përfshirë menaxhimin dhe mbrojtjen e burimeve natyrore, duhet të jetë prioritet më i lartë i Qeverisë.
“Suedia e ka mbështetur sektorin e pylltarisë në Kosovë për shumë vite, mirëpo nuk kemi parë aq përparim, përkundër mbështetjes përmbajtësore nga Suedia, por edhe nga zyra e BE-së në Kosovë. Miratimi i ligjit të ri për pyjet dhe të strategjisë është parakusht për zbatimin me sukses të këtij Programi dhe për të arritur përparim në këtë sektor. Ne presim rezultate në këtë fushë, që është e një rëndësie vendimtare për menaxhimin në mënyrë të qëndrueshme të burimeve pyjore dhe për mbrojtjen e biodiversitetit”, tha ambasadori Westerlund.
Pas dorëzimit të automjeteve dhe pajisjeve, programi për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve do të organizojë aktivitete të ngritjes së kapaciteteve të personelit të Agjencisë Pyjore të Kosovës për përdorimin e duhur të këtyre pajisjeve./Media Ndërtimi