Me nisjen e vitit 2024 në Bashkinë Tiranë filloi sezoni i mbjelljeve. Që prej janarit, kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, ka postuar pothuajse çdo ditë fotografi ose video duke mbjellë pemë.
Kjo fushatë intensive mbjelljesh i ngjan një gare me kohën për të mbërritur në objektivin final: “2 milionë pemë deri në fund të mandatit të tretë”.
Fundi i çdo muaji shoqërohet me bilancin e mbjelljeve, në janar 26,273 pemë, në shkurt 15,100 dhe 25,176 në mars, shkruan citizens.al
Sezoni i mbjelljeve u finalizua me një ceremoni pranë Liqenit të Farkës, në 1 Maj. Kryebashkiaku Erion Veliaj falenderoi gjithë donatorët që dhuruan pemë dhe deklaroi se për 4 muaj qytetit iu shtuan 104,475 pemë. Kjo shifër është e barabartë me 870 pemë çdo ditë.
Numri kaq i lartë i mbjelljeve edhe fakti se Bashkia Tiranë ka gënjyer edhe më parë për numrin e pemëve, na nxiti të bëjmë verifikime.
Citizens.al iu drejtua Bashkisë Tiranë, për të mësuar zyrtarisht sa pemë janë mbjellë në Tiranë gjatë periudhës janar-prill 2024.
Nga përgjigja e institucionit rezulton në këto katër muaj janë mbjellë vetëm 5,283 drurë, dhe jo 104,475 pemë sikurse deklaron Veliaj.
Veç drurëve, institucioni deklaron se janë mbjellë 24,581 shkurre dhe 12,109 lule sezonale. Nëse do të llogarisnim si pemë edhe lulet dhe shkurret, sërish kjo shifër përbën rreth 1/3 e asaj që u deklarua zyrtarisht.
Nga verifikimet rezulton se rreth 62,000 nga pemët që deklaron Veliaj, nuk dihet se ku janë mbjellë./Media Ndërtimi