Mbrojtësi i ish-këshilltarit të ministrit Lekaj, Eset Berisha, avokati Afrim Salihu deklaroi se qëndron prapa kundërshtimeve dhe kërkesave për hedhje të aktakuzës.
Sipas tij, dallimi ndërmjet një këshilltari politik dhe një shërbyesi civil është se këshilltari politik emërohet një person i cili është i besuar nga ministri, i njëjti jep këshilla për ministrin, konsulta dhe bën përpjekje maksimale që ministri dhe komplet dikasteri politik të funksionojë në mënyrë perfeksionale. Detyra këto, që sipas tij, i mbrojturi i tij i ka kryer me dinjitet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në rastin konkret sipas tij, përgjegjësi thelbësore lidhur me keqpërdorimin e detyrës zyrtare, në qoftë ekzistojnë rrethana duhet ta kenë shërbyesit civil, e jo këshilltari politik.
“Janë një mori shkeljes, për të cilat ai tha se kanë kërkuar që të përjashtohen disa prova të siguruara në procedurë paraprake, baza kryesore për të cilën gjykata duhet të mos e lejojë këtë aktakuzë të ecë më tutje është se kemi të bëjmë me kalimin e afatit të parashkrimit sipas nenit 250 par.1 nën par.3, sepse ekzistojnë rrethana tjera që e pengojnë ndjekjen”, ka thënë avokati Salihu.
Një deklarim të tillë avokati Salihu e ka bërë të premten në seancën e shqyrtimit të dytë në rastin ku përpos Berishës, ish-sekretarit Nebih Shatri, ish-Ministri Pal Lekaj është i përfshirë edhe Besim Tahirit, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai tha se siç shihet në shkresat e lëndës, kallëzimi penal i Policisë është dorëzuar më 4 korrik 2019, ndërsa hetimet fillimisht janë iniciuar ndaj 3 personave, duke përfshirë edhe ish-ministrin Lutfi Zharku, ndërsa ky aktvendim është marrë më 7 gusht 2019, çka nënkupton se ka kaluar afati 30 ditor.
Ai tha se sipas mendimit juridik të Gjykatës Supreme, e eleboron në mënyrë mjaft profesionale se nga kallëzimi penal e deri te marrja e aktvendimit mbi fillimin e hetimeve ose pushimin e saj, nuk guxojnë të kalojnë 30 ditë.
Ai tha se është shkelur edhe vendimi i ish-kryeprokurorit Lumezi, i cili më 29 prill 2016 ka kërkuar nga të gjitha prokurorët e prokurorive që t’i përmbahen udhëzimit 258-2016, që sapo të deponohet kallëzimi penal, në afat prej 30 të merret vendimi nga Prokurori i Shtetit.
Shkelja më e madhe, sipas tij, e cila ka bazueshmëri në nenin 159, është se pas marrjes së vendimit për fillim të hetimeve për 3 persona.
”Prokuroria e Shtetit ka kërkuar nga gjyqtari i procedurës paraprake që të vazhdohet edhe për 6 muaj. Ky gjyqtar e ka aprovuar kërkesën, ndërsa prokuroria pas disa jave merr aktvendim për zgjerim të hetimeve edhe ndaj disa personave. Kjo është shkelja thelbësore e cila e ndalon mbarëvajtjen e këtij procesi gjyqësor”, ka thënë avokati Salihu.
Ndërsa, i akuzuari Berisha tha se e mbështet në tërësi deklarimin e mbrojtësit të tij lidhur me kërkesën e dorëzuar edhe me shkrim.
Po ashtu, ai tha se sa i përket transmetimit të kërkesës për hartimin e opionionit ligjor në adresë të Departamentit ligjor të MI, se këto detyra, sa i përket transmetimit të kërkesave, të eprorit politik, ndaj shërbyesve civil, rrjedhin nga Rregullorja 2/2011 për fushat e përgjegjësive administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive.
Berisha tha se është tërësisht e pakuptimtë dhe jo reale të besohet se një këshilltar politik ka aftësi të tilla të vë në lajthitje një Komitet Drejtues Ndërministror prej 5 anëtarëve, një Qeveri me kryeministrin dhe 5 zv. kryeministra dhe 21 ministra, një sekretariat koordinues shtetëror përgjegjës për mbarëvajtjen e takimeve të qeverisë, vetëm me qëllim të realizimit të ndonjë kërkese të cilën Prokuroria e Shtetit ia vë në barrë në mënyrë të padrejtë.
Në seancën e sotme, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, avokati Musa Damati deklaroi se mbrojtja qëndron në tërësi pranë kundërshtimeve të deponuara. Po ashtu, shton se kjo aktakuzë nuk i përmbush kërkesat bazike ligjore, është në vete kundërthënëse dhe e paqartë dhe se pika 1 dhe 2 aktit akuzues nuk ka arritur që të përshkruajë saktë dhe në mënyrë koncize se në çfarë vendi, mënyre dhe kohe dhe cilat janë veprimet inkriminuese të të mbrojturit tim, ish ministrit Pal Lekaj.
Edhe mbrojtësi i ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri, avokati Driton Musliu ka thënë se pagesa prej 53 milionë eurove nuk ka pasur alternativë. Ka thënë se nëse nuk do të bëhej pagesa e 53 milionë eurove lënda do të shkonte në Gjykatën e Arbitrazhit dhe shteti do të humbte edhe më shumë para.
Më 4 maj, ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm në rastin e “53 milionë eurove”.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2021, kishte ngritur aktakuzë Lekajt dhe të tjerëve në rastin e 53 milionëve të autostradës./Media Ndërtimi.