Nga viti 2006, Bashkimi nuk mund të paguajë tatimin për shtëpinë dhe rreth tre hektarë tokë, që i ka në vendlindjen e tij në Siarinë, Komuna e Medvegjës, në jug të Serbisë.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Bashkimi – identiteti i vërtetë i të cilit është i njohur për redaksinë – thotë se autoritetet lokale ia kanë pamundësuar një gjë të tillë.
Ai druan se këto veprime do të çojnë drejt pasivizimit të adresës së tij dhe humbjes së pronave që ka në Komunën e Medvegjës.
Medvegja së bashku me Preshevën dhe Bujanocin përbëjnë atë që njihet si Luginë e Preshevës – e banuar me shqiptarë – në jug të Serbisë.
Bashkimi jeton me familjen e tij në Prishtinë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, në vitin 1999. Ai thotë se shkon në vendlindjen e tij tri apo katër herë gjatë një viti, por vetëm për ta parë shtëpinë ku është rritur dhe për të pastruar rreth saj, raporton Radio Evropa e Lirë.
“S’na lejojnë as tatim të paguajmë. Kemi shkuar ta paguajmë disa herë, por prej vitit 2006, nuk na kanë lejuar më, as për tokë dhe as për asgjë tjetër. Do të thotë, vetëm varrezat e të parëve që kanë mbetur aty dhe aq. E kanë ata [autoritetet e Serbisë] atë strategjinë e tyre që të na e marrin tokën kështu, kinse në mënyrë ligjore, por kjo nuk është e drejtë”.
“Kur ne shkojmë, ata thonë që ‘nuk është [shtëpia] e banueshme për të paguar’. E shohin kinse që ne nuk kemi bërë ndonjë renovim dhe, sipas tyre, nuk është e banueshme”, thotë Bashkimi.
“Serbët nuk e blejnë pronën, sepse e llogarisin si të veten”
Bashkimi thotë se tash e dy dekada gjendet në një situatë, ku edhe po të dojë, nuk mund të shkojë të jetojë në vendlindjen e tij. Ai thotë se as shitjen eventuale të pronës nuk mund ta bëjë.
“Do të thotë, që të kthehem atje, të paktën për gjashtë muaj, për të lajmëruar një adresë… Por, nuk të lejojnë. Shkurt, nuk të lënë rehat. Për shembull, nëse do ti që të dalësh për të blerë diçka, ata [serbët vendas] i kanë provokimet e veta”.
“Kanë mbetur pas dore ato shtëpi. T’i shesim? Jo, sepse atje kurrë s’ka pasur të drejtë që të blejë serbi nga shqiptari. Nuk e blejnë, sepse e llogarisin si tokë të veten. As vendasit nuk e blejnë, por as shteti nuk i lejon”, thotë Bashkimi.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Mustafi, thotë se ekzistojnë mekanizma që anulojnë një varg të drejtash të qytetarëve dhe, rrjedhimisht, krijojnë të gjitha parakushtet e pasivizimit të adresave.
“Në mungesë të adresës suaj, në mungesë të rezidencës suaj, nuk keni mundësi të nxirrni çfarëdo dokumenti identifikimi, si për shembull letërnjoftimin apo pasaportën. Me këtë, qytetarët i humbin të drejtat e tyre politike-juridike, civile, me çka nuk mund të disponojnë as trashëgiminë, nuk mund të futen në marrëdhënie shitblerjesh, nuk mund t’i kryejnë obligimet e tjera”.
“Njëkohësisht nuk mund të jesh pjesë e procesit zgjedhor, të zgjedhësh dhe të kesh të drejtën për të qenë i zgjedhur”, thotë Mustafi.
Më 16 dhjetor të këtij viti, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka vizituar Komunën e Preshevës, ku me udhëheqësit atje kanë diskutuar për, siç është thënë, nevojën e “sensibilizimit të bashkësisë ndërkombëtare lidhur me pasivizimin e vendbanimeve dhe adresave të shqiptarëve në Serbi”./Media Ndërtimi.