Aktuale
At Gjergj Fishta “i burgosur në dry” pranë restorantit “Mrizi i Zanave”, rivalitetit bark – shpirt në vështrimin e arkitektit Arbër Sadiki
Published
3 years agoon
Lajmet e mbrëmjes thonë se nesër në Shëngjin do të ketë shi përgjatë gjithë ditës. U pa puna: nesër nuk ka plazh. Vendosa të shkoj në Fishtë, rreth njëzetë kilometra larg nga këtu, vendlindjen e poetit, intelektualit, klerikut, thënë shkurt një prej mendjendriturve më të mëdhenj të kohës që jetoi, At’ Gjergj Fishtës.
Saktësisht, destinacioni im ishte pikërisht vizita në kullën e tij. Fshati ishte rreth 15 minuta shkëputur nga magjistralja Lezhë – Shkodër. Për ta bërë edhe më të lehtë vendndodhjen e saktë me referenca bashkohore, i njëjti fshat ku gjendet restoranti “Mrizi i Zanave” në të cilin ka pak njerëz që rrugëtojnë për Velipojë, Shkodër e Ulqin, e të mos kishin ndaluar për të provuar menynë e begat që ofron. Ka edhe shumë të tillë që bëjnë qindra kilometra rrugë vetëm për të drekuar aty.
Nga të gjithë miqtë që pyeta të gjithë kishin qenë të paktën një herë, por çuditërisht asnjëri prej tyre, ama apsolutisht asnjëri, nuk kishte qenë për të vizituar shtëpinë e At’ Gjergj Fishtës asnjëherë edhe pse ajo ishte vetëm katër minuta larg nga restoranti në fjalë. E kuptoj! Kohët që po jetojmë njerëzit janë dhënë më shumë pas plotësimit të kënaqësive të barkut, si: mishi edhit, kecit, gicit, pulës e shotës, e më pak pas kënaqësive të shpirtit dhe mendjes si: poezia, besimi e dija.
Këtë ma vërtetoi plotësisht edhe gjendja në të cilën gjeta këtë derë të madhe të kulturës kombëtare. Mirëseardhje të ofronin dy dryrë, njëri në portën e hyrjes së oborrit rrethuar me një mur guri të ulët dhe tjetri në derën e hyrjes së kullës. Ky i pari pak më i vogël, ndërsa i dyti të fuste frikën vetëm ta shikoje se lëre më të merrje guximin të provoje ta hapje. Rastësi apo qëllimshëm, edhe për nga forma ishte i njëjtë me dryrët me të cilët u lidhën dhe u torturuan deri në vdekje 40 martirët e klerit katolik të gjithë miqtë dhe shokë të Fishtës. S’ka se si do të përfundonte ndryshe edhe vet At’ Gjergji po të mos vdiste para se komunistët të merrnin peng Shqipërinë.
Për një çast mendova se ky dry ishte ai që kishte tepruar e që ishte dedikuar atij, e që e kishin ruajtur për t’ja vendosur kullës së tij, sepse At’ Gjergj Fishta duhet prangosur patjetër, i gjallë apo i vdekur. Brenda oborrit të shkretë qëndronte një bust i Gjergjit hijerëndë, një flamur i përcëlluar prej diellit prapa shpinës së tij, në mes dy dryrësh në një qetësi morti. Çuditërisht nuk lëvizte gjë e gjallë as në kullat përreth ashtu si edhe në gjithë fshatin që e kishte mbuluar një nuancë gri, ndoshta edhe për shkak motit me shi që na përcillte.
Unë në fakt prisja diçka krejt ndryshe, sidomos pasi që kisha dëgjuar se ndërtesa rishtas ishte rinovuar. Prisja dyer të oborrit hapur krah më krah. Portë të kullës ku mund të hyej pa trokitur. Shkallë përgjatë të cilave ngjitesh me gjysmë frymë gjer sa arrin tek dhoma ku lindën me dhjetëra mijëra vargje të këtij gjeniu. Prisja që dhomat tjera të ishin të gatshme dhe krah hapur për të pranuar shkrimtarët e rinj të cilët do të mund të kalonin netët të tëra duke banuar, frymëzuar e punuar në to.
Do e merrja me mend si do të ndihej një shkrimtar i ri brenda këtyre mureve ku çdo gurë jep një frymëzim. Kushedi se sa Lahuta e Malcís, Anzat e Parnasit, Gomari i Babatasit e Shqyptari i gjytetnuem do të kishte lindur përditë. Fundja një praktikë të tillë ndjekin shumë vende të botës. Kam miq shkrimtar të cilët kanë përjetuar eksperienca të tilla duke shkuar dhe jetuar me muaj të tërë nëpër shtëpitë e shkrimtarëve të mëdhenj botëror nëpër Poloni, Gjermani, Çeki, Turqi e gjithandej, gjithmonë finasuar nga qeveritë e vendeve respektive. Që të gjithë janë kthyer me produkte të jashtëtakonshme artistike e mbi të gjitha me shpirtin plot.
Po, se desh harrova! Në fakt, e vetmja gjë e gjallë që na priti ishte një qenush i vogël qimebardhë i cili përçudi nuk lehu kur mbërritëm, por që nuk pushoj së lehuri kur po hipnim në makinë dhe po zhdukeshim që andej sikur donte të na thoshte: “Rrini, rrini, se ka kohë që kjo derë e madhe nuk ka pritur miq”. Derisa po e linim në sfond kullën dhe të lehuarat lutëse të qenushit që sa iknim e humbisnin në ajër mua më kumbonin në kokë vargjet nga e Fishtës nga “I dbuemi”:
***
Lamtumirë ti shpija e t’parvet,
Ku ma s’parit m’agoi drita
E ku strehë u dhançè shtektarvet
Miqt e babes edhe ku i prita
***
T’i kthehemi edhe njëherë rivalitetit bark – shpirt. Që të mos keqkuptohemi. Nuk kam asgjë kundër “Mrizit të Zanave”. Përkundrazi. Kam shumë respekt për idenë origjinale biznesore e mbi të gjitha për ndikimin e tij në ekonominë familjare të fshatarëve të zonës të cilëve u siguron treg të vazhdueshëm për prodhimet e tyre bujqësore dhe blegtorale. Për t’i dalur borxhit po i bëjë edhe një reklamë të vogël: Rakinë e ftoit e ka më të mirën që kam provuar ndonjëherë, e nuk kam provuar pak.
Por, thjesht po e përdor atë për të bërë një paralele në mes nevojës së barkut dhe asaj të shpirtit e mendjes. E respektoj edhe të parën patjetër, por pasiqë të kishit ngopur atë me menynë e pasur të “Mrizit të Zanave” me supëra, paragjella, pasta e antipasta, pjatë e parë, pjatë e dytë, ushqim të ftohtë e të ngrohtë, ju këshilloj që menynë ta mbyllni me një ushqim shpirtëror, ju siguroj se do ju bëjë mirë. E keni vetëm katër minuta larg një pjatë të jashtëzakonshme për shpirtin, derisa për çdo pjatë barku rëndomt prisni më gjatë!
*Udhëpërshkrim nga arkitekti ARBËR SADIKI/ Media Ndërtimi.
You may like
Aktuale
Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?
Published
4 months agoon
July 25, 2024Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.
Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.
Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.
Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.
Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.
Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…
Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi
Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.
Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.
Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.
“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.
Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.
“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.
Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.
“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi
Aktuale
Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë
Published
4 months agoon
July 24, 2024Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.
Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.
Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.
Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.
Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.
Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.
Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.
Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.
Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.
Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.
Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.
“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi