Një prej aksionarëve të kompanisë “Stella Consulting”, për të cilën Prokuroria pretendon se ka dhënë ryshfet Bratislav Nikoliqit, në këmbim të lejeve ndërtimore në Brezovicë, është edhe publicisti kosovar, Veton Surroi, raporton Gazeta Express.
Në këmbim të lejeve për ndërtim të shfrenuar në qendrën e skijimit në Brezovicë, dyshohet se ish-kryetari i Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, ka marrë ryshfet nga disa pronarë të vilave e komplekseve atje.
Sipas dosjes së hetimeve, detajet e së cilës i ka publikuar Kallxo, një pjesë të madhe të ryshfetit që dyshohet se e ka marrë ish-kryetari i Shtërpcës, vjen prej një kompanie, ku aksionar është Veton Surroi. Emri tij është përmendur disa herë për ndërtime në Brezovicë, por ai ka thënë se lejet i ka marrë ligjshëm. Prokuroria thotë diçka krejt tjetër, raporton Gazeta Express.
Dyshimet e Prokurorisë janë këto: Nikoliq ka pranuar ryshfet një shumë prej 210 mijë eurove për të dhënë leje ndërtimore të vikend-shtëpizave për investitorin e “Stella Consulting”, dhe 200 mijë euro të tjera për dhënien e lejes ndërtimore për objektin hotelier të të njëjtit investitor.
Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve emri i Surroit figuron në listën e aksionarëve me 30%, derisa aksionari tjetër është Gentjan Sula me 70% të aksioneve.
Në media edhe vite më herët ishte raportuar për dyshime të dallavereve me lejet ndërtimore në Brezovicë ku dyshohej se ishte përfshirë edhe kompania “Stella Consulting”
Në vitin 2020, lidhur me raportimet e asaj kohe, Surroi në një përgjigje për Gazetën Insajderi, kishte mohuar se është bërë ndonjë shkelje, derisa për vete kishte thënë se është aksionar i vogël.
“Objekti në fjalë është pronë e Shoqërisë me përgjegjësi të Kufizuar ‘Stella Consulting’ , në të cilën jam aksionar minoritar. ‘Stella Consulting’ ka marrë të gjitha lejet e nevojshme ndërtimore , sipas ligjeve në fuqi, para se ta fillonte ndërtimin dhe u është përmbajtur atyre”, ka thënë Surroi në një përgjigje për Insajderin në vitin 2020.
Dje, Policia e Kosovës ka kryer një aksion, ku janë arrestuar 10 persona, në mesin e tyre edhe Nikoliq. Janë sekuestruar 61 mijë euro dhe monedha të tjera, 8 vetura në vlerë prej 300 mijë euro, armë zjarri, telefona, aparate për prodhimin e kriptovalutave etj.
Për Nikolliq, prokurori i rastit, Rasim Maloku, tha se ka dyshime se ish-kryetari i Shtërpcës ka përfituar mbi 1 milion euro dhe se ka dyshime për ndërtimin e villave pa leje dhe në mënyrë të kundërligjshme në Brezovicë./Media Ndërtimi.