Aktuale
Zvogëlohet mundësia për dallavere me tenderë në hapin e parë të aplikimit
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/10/Prapaskenat-650x358tender.jpg)
Nga 1 Janari i 2018-s, sistemi i prokurimit publik në platformën plotësisht elektronike do të zbatohet në 173 institucione, duke përfshirë komuna, ministri, agjenci të pavarura dhe ndërmarrje publike, që ka për qëllim shpenzimet e parasë publike në mënyrë më të drejtë.
Isuf Zejna, menaxher i programit Demokracia Plus( D+), OJQ kjo e cila mbikëqyrë sistemin e prokurimit publik, ka thënë për KosovaPress se nga 1 janari 2018 pritet që prokurimi të jetë plotësisht elektronik, gjë e cila do t’i jepte fund problemeve që janë shkaktuar në vlerësimin e tenderëve deri më tani.
Sipas tij, kjo platformë e prokurimit elektronik është donacion i Bankës Botërore për Qeverinë e Kosovës dhe ka kushtuar rreth gjysmë milioni euro.
“Prej 1 janarit është ‘full’ elektronik. Deri tash ka qenë i kombinuar. Dallimi i prokurimit elektronik me atë të kombinuar qëndron në faktin se tani më ofertat e operatorëve nuk mund të dorëzohen në letër, por vetëm përmes platformës e cila është e enkriptuar dhe tani më nuk ka mundësi që të ketë parregullsi me ndërrimin e dokumenteve siç ka pasur në të kaluarën, apo në ndryshimin e çmimeve”, ka thënë Zejna për KosovaPress.
Ai ka shtuar se kjo platformë do të zbatohet në 173 institucione, duke përfshirë komuna, ministri, agjenci të pavarura dhe ndërmarrje publike.
Për platformën e prokurimit elektronik, e cila pritet të jetë obligative që nga 1 janari, kryetari i KRPP-së Safet Hoxha ka thënë për KosovaPress se kjo është një e arritur mjaft e madhe, për të cilën platformë janë trajnuar zyrtarë të prokurimit publik me ndihmën e projektit Team të USAID-it.
Ai pret që me anë të këtij sistemi të jetë edhe më transparent prokurimi publik, për t’i eliminuar dyshimet për keqpërdorim të parasë publike.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)