Aktuale
Zvicra merr vendim të zgjerojë rrugët për shkak të “xhipave”

Tema kryesore në Zvicër është nëse rrugët në vend duhet të zgjerohen. Për shkak të numrit të madh të xhipave, rrugët janë bërë shumë të ngushta.
Autoritetet dhe ekspertët vlerësojnë se zgjidhja e vetme është zgjerimi i rrugëve. Përndryshe, rreziku nga aksidentet po rritet. Disa shoqata të inxhinierëve rrugorë në vend kanë filluar të punojnë në hartimin e standardeve të reja të gjerësisë së rrugëve. Mbështetje për këtë kanë marrë nga Shërbimi Federal i Rrugëve.
Sipas statistikave të hollësishme, çdo i treti automjet i regjistruar në Zvicër dy vjet më parë ishte një model xhip SUV. Modeli më i shitur aktualisht është Mercedes GLC, pastaj vjen BMW X1, ndërsa Volkswagen Tiguan është shitur pothuajse sa Golfi, shkruan albinfo.ch.
Hulumtimi i ekspertëve ka ardhur në përfundimin se gjerësia mesatare e makinave është rritur me 12 centimetra, krahasuar me makinat që nga fillimi i viteve 1990. Disa automjete, si Cadillac Escalade, madje e tejkaluan vlerën prej dy metrash, 2.06 metra. Shoferët kanë njoftuar se po bëhen shumë të pasigurta garazhet shumëkatëshe.
Zvicra po planifikon të zgjerojë rrugët nga dhjetë deri në 50 centimetra. Rrugët kombëtare aktualisht kanë një gjerësi të trafikut midis 3.25 dhe 3.75 metra. Rrugët malore dhe rrugët e qytetit zakonisht janë më të ngushta. Kamionët gjithashtu do të përfitonin nga ky zgjerim.
Kanë reaguar gjithashtu aktivistët për mbrojtjen e mjedisit. Ata mendojnë se duke zgjeruar rrugët për xhipat, rrezikohet përmbushja e qëllimeve të mbrojtjes së klimës.
Kritika e ashpër vjen nga ekspertë të sigurisë. Ata theksojnë se rrugët më të gjera do të çonin në trafik më të shpejtë, gjë që çon direkt në rritjen e rrezikut të aksidenteve.
