Aktuale
Zvarritet ndërtimi i objektit të Fakultetit të Bujqësisë

Punimet për ndërtimin e objektit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, ende nuk kanë përfunduar. Zyrtarë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” thonë për Radio Kosovën se zvarritja e punëve ndërtimore të objektit, është bërë shkaku i papërgjegjësisë së operatorit ekonomik.
Ende nuk ka përfunduar ndërtimi i objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, i cili filloi në korrik të vitit 2013. Dekani i këtij institucioni arsimor, Skender Kaqiu, tha për Radio Kosovën se para tri viteve është dashur të përfundojnë punimet ndërtimore.
“Planet kanë qenë që Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinës të lëshohet se paku para dy ose tri viteve, por për fat të keq ai ende nuk ka përfunduar. Ndërtimi i tij, kontratat të gjitha udhëhiqen në nivel të universitetit. Ne, përveç që e informojmë në vazhdimësi universitetin, nuk kemi ndikim tjetër rreth përfundimit të punëve”, tha ai.
Sipas Kaqiut, kjo është në kompetencë të universitetit dhe së fundi, premtimet serioze janë se deri në fund të majit, punimet duhet të përfundojnë.
” Informatat e fundit i kemi që është arritur një marrëveshje në mes të rektoratit dhe kompanisë që me 31 maj të këtij viti të na dorëzohet objekti. Po presim, se premtimet këtë herë janë me serioze, dhe po shpresojmë që për vitin e ardhshëm akademik objektin ta kemi të gatshëm.”
Ndërkaq, Marjan Dema, rektor i Universitetit të Prishtinës “ Hasan Prishtina”, i tha Radio Kosovës se operatori ekonomik ka qenë i papërgjegjshëm, për çka, universiteti ka provuar disa herë që ta shkëpusë kontratën.
“ Arsyeja është se operatori ekonomik është i papërgjegjshëm dhe nuk i ka kryer detyrat. Kemi provuar ta largojmë por prapë kemi pasur probleme. Janë probleme që nuk varen prej nesh. Pra, janë probleme në të cilat ne nuk mund të ndërhyjmë, sepse janë probleme procedurale. Vërtet aty është një problem shumë i madh”, tha Dema.
Për këtë arsye, studentët e këtij fakulteti dhe organizatat studentore përmes disa aktiviteteve simbolike dhe protestave, kanë shprehur pakënaqësi. Aktualisht, studentët po vazhdojnë të ndjekin mësimet në kushte shumë të papërshtatshme për realizimin e orëve të mësimit.
